SHBA-ja miraton ndihmën e fundit ushtarake për Ukrainën, tani për tani

SHBA-ja miraton ndihmën e fundit ushtarake për Ukrainën, tani për tani

10:21, 28/12/2023
A+ Aa A-

Shtëpia e Bardhë e ka miratuar një tjetër ndihmë ushtarake për Ukrainën, në vlerë të 250 milionë dollarëve.

Në paketën e fundit përfshihen armë për mbrojtje ajrore, artileri, municion i vogël dhe armë anti-tank, kanë thënë zyrtarët amerikanë.

Mirëpo kjo është ndihma e fundit që mund të niset prej SHBA-së në Ukrainë, nëse Kongresi amerikan nuk miraton ndihmë shtesë.

Ukraina ka paralajmëruar që lufta dhe financat e saj publike do të jenë në rrezik të madh, nëse do të ndalen ndihmat prej Perëndimit.

Ukraina ka regjistruar ndryshim të vogël të linjës së kontrollit, pas nisjes së kundërofensivës pranverore, dhe tani po përballet me një rënie graduale të ndihmave prej aletëve në Uashington dhe Evropë.

Ndonëse mbështetja për Ukrainën është e madhe në Kongresin amerikan, një marrëveshje për dërgim të mëtutjeshëm të armëve është bllokuar prej republikanëve, të cilët insistojnë që duhet ndarë më shumë buxhet për të forcuar kontrollin e kufijve të SHBA-së me Meksikën.

Një paketë emergjente për shpenzime, që përfshin ndarjen e 50 miliardë dollarëve për Ukrainën dhe 14 miliardë dollarëve për Izraelin, nuk është miratuar në Senatin amerikan muajin e kaluar, pasi çdo republikan ka votuar kundër.

Edhe një vizitë e realizuar së fundi në SHBA nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nuk ka rezultuar me sukses në këtë drejtim.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se është e rëndësishme që Kongresi të veprojë sa më shpejt, “për të avancuar interesat tona kombëtare, duke i ndihmuar Ukrainës që ta mbrojë veten dhe të ardhmen e saj”.

Më herët gjatë këtij muaji, një paketë ndihme për Ukrainën e Bashkimit Evropian, është bllokuar nga Hungaria.

Ukraina po përballet me deficit në vlerë 43 miliardë dollarëve dhe zyrtarët ukrainas frikësohen se mund të vonojnë pagat dhe pensionet për punëtorët qeveritarë, nëse nuk pranohet ndihmë shtesë prej Perëndimit.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco