Frikë se lufta Izrael - Hamas mund të zgjerohet pas sulmeve në Gazën qendrore Ushtar izraelit në Rripin e Gazës

Frikë se lufta Izrael - Hamas mund të zgjerohet pas sulmeve në Gazën qendrore

08:50, 28/12/2023
A+ Aa A-

"Ata janë shumë të dobët. Është ftohtë, fryn erë," tha një grua palestineze që lindi katërnjakë në një kamp refugjatësh të bombarduar nga Izraeli.

Ushtria izraelite ka paralajmëruar për një "zgjerim" të mundshëm të operacioneve në kufirin e saj me Libanin.

Kjo vjen pasi Forca e Mbrojtjes së Izraelit po e përqendron forcën ushtarake në Gazën qendrore, pavarësisht gjendjes gjithnjë e më të dëshpëruar të civilëve.

Forca izraelite po shton gjithashtu bastisjet gjatë natës në qytetet kryesore në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë Jenin dhe Ramallah, sipas agjencisë së lajmeve Wafa.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë izraelite paralajmëroi se të shtënat po intensifikoheshin përgjatë kufirit verior me Libanin, ku vepron Hezbollahu.

Organizata politike dhe militante shiite është pjesë e "boshtit të rezistencës", një koleksion grupimesh  afër me Iranin dhe armiqësore me Izraelin.

Të mërkurën, Teherani kërcënoi Izraelin me "veprime të drejtpërdrejta", pas vdekjes së një oficeri të lartë iranian të hënën në një sulm ajror në Siri për të cilin ia vuri fajinIzraelit.

Shefi i Shtabit të IDF-së, Herzi Halevi, tha se forcat izraelite "janë në një gjendje shumë të lartë gatishmërie për një zgjerim të luftimeve në veri".

Përleshjet midis Izraelit dhe Hezbollahut kanë qenë një dukuri pothuajse e përditshme këtu që nga fillimi i luftimeve në Gaza.

Pranë kufirit libanez, një dron u rrëzua gjatë natës së të mërkurës duke gdhirë e enjtja, tha ushtria izraelite për agjencinë e lajmeve AFP, pasi luftëtarët nga grupet e armatosura pro-Iranit morën përgjegjësinë për një sulm në zonë.

Civilët në Gaza përballen me situatë të rëndë

Forca e Mbrojtjes së Izraelit tha se operacionet ushtarake po vazhdonin në Khan Younes, qyteti kryesor jugor i Gazës, por edhe në kampet e refugjatëve në qendër të enklavës.

Autoritetet palestineze raportuan sulme vdekjeprurëse gjatë natës në kampet në Nuseirat dhe Deir al-Balah.

Në Deir al-Balah, Iman al-Masry lindi katërnjakë - dy djem dhe dy vajza - në mes të luftës.

"Janë shumë të dobët, është ftohtë, fryn erë dhe nuk ka banjë bebesh për t'i larë... Nuk mund t'u bëj banjë, i laj me peceta", tha vetë nëna 28-vjeçare e zhvendosur nga dhuna.

​"Nuk kemi pelena apo qumësht pluhur. Unë përpiqem t'i ushqej me gji, por ka mungesë të ushqimit," shtoi ajo, nga frika se sulmet izraelite mund të dëmtojnë të porsalindurit e saj.

"Nuk e mendoja se lufta do të zgjaste kaq gjatë. Mendova se pas dhjetë ditësh do të mund të ktheheshim në shtëpi."

“Nuk kemi marrë asgjë me vete”, shtoi bashkëshorti i saj Ammar.

Rreth 1.9 milionë njerëz - që barazohet me 85% të popullsisë së Gazës - vlerësohet të jenë zhvendosur nga luftimet.

Ata përballen me "rrezik të madh" me përkeqësim të "urisë dhe dëshpërimit", sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Karvanet e ndihmave janë bastisur më parë nga civilë të dëshpëruar.

Autoritetet palestineze vlerësojnë se 21,110 njerëz janë vrarë, duke përfshirë 6,300 gra dhe 8,800 fëmijë.

Rreth 1,140 njerëz u vranë në sulmin e Hamasit në 7 tetor në Izraelin jugor, i cili shkaktoi dhunën e fundit./ar.sh/SYRI.NET

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco