Praga vajton viktimat e sulmit më të rëndë në historinë çeke

Praga vajton viktimat e sulmit më të rëndë në historinë çeke

10:47, 23/12/2023
A+ Aa A-

Autoritetet thonë se 14 persona u vranë dhe 25 u plagosën në të shtënat masive në qendrën historike të kryeqytetit çek të enjten.

Qeveria çeke e shpalli të shtunën ditë zie kombëtare, ndërsa policia vazhdon hetimet për të shtënat masive në qendrën historike të Pragës që la të vdekur 14 persona dhe plagosi 25 të tjerë.

Hetuesit besojnë se 24-vjeçari i armatosur në të shtënat masive të enjten në një ndërtesë të departamentit të filozofisë në Universitetin Charles vrau gjithashtu babanë e tij më herët gjatë ditës si dhe një burrë tjetër dhe një foshnjë javën e kaluar.

Banorët ndërkohë po përballeshin me sulmin më të keq në vend në zemër të kryeqytetit historik. Liderë politikë, studentë, miq të viktimave dhe të tjerë u mblodhën për të ndezur qirinj gjatë një vigjilje të improvizuar për viktimat të premten.

"Disa nga miqtë e mi studiojnë në fakultetin e filozofisë në Universitetin Charles," tha Kristof Unger, një student që mori pjesë në vigjilje. "Ata janë traumatizuar vërtet nga të shtënat atje”.

Robert Hanus, një tjetër nga të pranishmit në vigjilje, tha se të gjithë duhet të mblidhen për të marrë një qëndrim kundër sulmit. "Kjo nuk duhet të normalizohet," tha ai.

Rektorja e universitetit, Milena Kralickova, ishte gjithashtu në mesin e turmave që ndezën qirinj. "Komuniteti akademik është tronditur, tronditur thellë," tha ajo.

Autoritetet nuk kanë përmendur ose dhënë detaje specifike për viktimat, por thanë se tre nga të plagosurit ishin shtetas të huaj – dy nga Arabia Saudite dhe një nga Holanda.

Ministri i Brendshëm Vit Rakusan tha në radio të premten se policia ka identifikuar të 14 viktimat. Midis tyre, 13 vdiqën në vendin e të shtënave dhe një vdiq më vonë në spital.

Disa nga viktimat ishin shokë klase të personit të armatosur, ndërsa Instituti i Shkencave të Muzikës konfirmoi se kryetarja e tij, Lenka Hlávková, ishte mes të vdekurve.

Sulmuesi, i identifikuar pjesërisht si David K, kreu vetëvrasje pas të shtënave, tha policia të premten. Petr Matejcek, drejtori i shtabit rajonal të policisë në Pragë tha se ai qëlloi veten në ballkonin e ndërtesës së universitetit kur oficerët e policisë iu afruan.

I panjohur për autoritetet, ai kishte një "arsenal të madh armësh dhe municionesh" dhe se veprimi i shpejtë i policisë kishte parandaluar masakër të mëtejshme, tha shefi i policisë Martin Vondrasek.

Image

Image

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco