SHBA, gazetari meksikan fiton azilin pas 15 vjetësh

SHBA, gazetari meksikan fiton azilin pas 15 vjetësh

20:37, 21/12/2023
A+ Aa A-

Pas 15 vjetësh përpjekjeje para gjykatave amerikane të emigracionit, gazetarit meksikan Emilio Gutierrez Soto i është miratuar kërkesa për azil. Mbrojtësit e medias thonë se gazetarët në rrezik si ai kanë nevojë për një rrugë të shpejtë drejt sigurisë.

Procesi për marrjen e azilit në SHBA i zgjati 15 vjet. Bordi i Apelit për Emigracionin në SHBA vendosi në favor të çështjes së azilit të gazetarit meksikan Emilio Gutierrez Soto.

“Ishte një një pritje e gjatë me shumë zhgënjime. Por, tani ndihem i lumtur dhe mbi të gjitha jam shumë mirënjohës”, thotë zoti Gutierrez Soto

Gazetari iku me djalin e tij drejt SHBA-së në vitin 2008 pasi mori kërcënime me vdekje për shkak të raportimit të tij mbi korrupsionin në ushtrinë meksikane. Me të mbërritur në një pikë kufitare në SHBA, ai kërkoi mbrojtje përmes azilit.

 

“Kjo filloi një proces shumë të gjatë dhe të padrejtë gjatë së cilit ai u arrestua dy herë, pavarësisht se nuk kishte shkelur asnjë ligj. Pra, kjo ishte një luftë e madhe për Klubin Kombëtar të Shtypit që i ofroi përkrahje, dhe një sërë organizatash të tjera për lirinë e shtypit”, thotë Kathy Kiely, drejtuese e studimeve mbi lirinë e shtypit te Universiteti i Misurit.

Në një ngjarje në Uashington ku ishte ftuar të fliste për rastin e tij, zoti Gutierrez Soto buzëqesh, flet me gazetarë të tjerë dhe herë pas here i mban lotët teksa falënderon njerëzit që e ndihmuan përgjatë kësaj rruge.

“Ndihem jashtëzakonisht mirënjohës për avokatët dhe për gazetarët që më ndihmuan”, thotë ai.

Mbrojtësit e lirisë së shtypit thonë se udhëtimi i gazetarit meksikan deri te e drejta për të jetuar në SHBA tregon se sistemi i imigrimit duhet të ndryshojë. Ata duan mbrojtje më të mirë për gazetarët në rrezik që detyrohen të vijnë në SHBA për arsye sigurie.

“Ajo që ne po kërkojmë është që më shumë demokraci perëndimore të bëjnë atë që ka bërë Kanadaja, që është krijimi i një vize speciale për punonjësit e të drejtave të njeriut, e cila do të përfshinte gazetarët që janë nën kërcënim për shkak të kësaj lufte globale ndaj demokracisë”, thotë zonja Kiely nga Universiteti i Misurit.

Një sistem i tillë, thotë zonja Kiely, do të garantonte sigurinë e gazetarëve dhe do t’i ndihmonte ata të kthehen në punë.

“Kjo me të vërtetë është përgjigja më e mirë për diktatorët, që do të thotë, ju mund të na detyroni të ikim, por nuk do të na mbyllni gojën”.

Hapi i fundit për gazetarin Gutierrez Soto para se t’i mbërrijë leja e banimit të përhershëm (Green Card) është të dalë para një gjyqtari të emigracionit në mars për të marrë zyrtarisht letrat e tij të azilit. Aktivistët e lirisë së shtypit thonë se do të jenë në krah të tij./ VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco