ShBA 'justifikon' veton kundër armëpushimit në Gaza

ShBA 'justifikon' veton kundër armëpushimit në Gaza

17:09, 11/12/2023
A+ Aa A-

Mes kritikave në rritje, Shtetet e Bashkuara mbrojtën dje qëndrimin e tyre për mbështetjen e vazhdueshme të operacionit ushtarak të Izraelit në Gazë. Por po ashtu, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas, Uashingtoni ritheksoi rëndësinë e mbrojtjes së civilëve palestinezë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi përparimin e trupave të tij në Gazë si “të fuqishëm dhe të intensifikuar”.

“Synimi është të arrijmë të gjitha objektivat tona – shkatërrimin e Hamasit, kthimin e të gjithë të rrëmbyerve tanë dhe premtimin se Gaza nuk do të jetë më kurrë kërcënim për Izraelin”, tha ai.

Zoti Netanyahu falenderoi Shtetet e Bashkkuara për përdorimin e vetos ndaj një Rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së javën e kaluar, që do të kërkonte një armëpushim të menjëhershëm.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken arsyetoi vendimin në një intervistë për emisionin “Këtë Javë” të rrjetit ABC.

“Me Hamasin gjallë, të paprekur, me qëllimin e deklaruar për ta ripërsëritur sulmin e 7 tetorit, kjo thjesht do ta përjetësonte problemin”, tha zoti Blinken.

Ndërsa theksoi rëndësinë e mbështetjes dhe dërgimit të armëve të nevojshme për mbrojtjen e Izraelit, ai e bëri të qartë se ndihma nuk vjen pa kushte.

“Rregullat vlejnë për Izraelin, si për çdo vend tjetër, duke përfshirë mënyrën e përdorimit të dërgesave dhe domosdoshmërinë e respektimit të ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha Sekretari Blinken.

Por, ndërsa numri i viktimave civile në Gazë vazhdon të rritet, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është kritikuar ashpër në Forumin e Dohas, i cili mbahet çdo vit për të diskutuar sfidat botërore.

"Nuk varet vetëm nga Izraeli. Janë ata që u kanë dhënë izralitëve dritën e gjelbër për të vazhduar vrasjen e palestinezëve”, thotë kryeministri palestinez, Mohammad Shtayyeh.

"Në Shtetet e Bashkuara patëm një bisedë shumë të hapur me Sekretarin Blinken. Të gjithë ne, delegacioni arab dhe mysliman ishim shumë të qartë, përparësitë tona janë të përcaktuara – ndaloni agresionin, lejoni furnizime të mjaftueshme humanitare në gjithë Gazën, siguroni mbrojtjen e civilëve”, thotë Ayman Safadi, minister i Jashtëm i Jordanisë.

Në forum mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antionio Guterres, i cili bëri thirrje për një armëpushim humanitar.

Nga Gjeneva shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi mbi ndikimet e luftës në shëndetin e banorëve të Rripit të Gazës.

“Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz do të mblidhen në zona më të vogla, mbipopullimi, mungesa e ushqimeve, ujit, strehimit dhe kanalizimeve po krijojn kushte për përhajepjen e sëmundjeve”, tha zoti Ghebreyesus.

Ai shtoi se organizata e tij ka dërguar ekipe për mbështetjen e punonjësve shëndetësorë në terren, të cilët tha se janë të rraskapitur fizikisht dhe mendërisht./VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco