Pavarësisht reagimeve nga Izraeli, Katari thotë se do të vazhdojë të bëjë pagesa për Gazën

Pavarësisht reagimeve nga Izraeli, Katari thotë se do të vazhdojë të bëjë pagesa për Gazën

15:59, 11/12/2023
A+ Aa A-

Katari do të vazhdojë të bëjë pagesa për Gazën për të mbështetur enklavën, siç ka bërë prej vitesh, ka thënë ministri i Shtetit për Punët e Jashtme të Katarit.

‘Ne nuk do të ndryshojmë mandatin tonë. Mandati ynë është ndihma dhe mbështetja jonë e vazhdueshme për vëllezërit dhe motrat tona të Palestinës. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë atë në mënyrë sistematike siç e kemi bërë më parë’, citohet të ketë thënë Mohammed bin Abdulaziz Al-Khulaifi.

Deklaratat e tij vijnë në mes të zemërimit të shtuar në Izrael rreth pagesave prej vitesh nga shteti i Gjirit për Hamasin, sipas një marrëveshjeje që dikur i shihte diplomatët e Katarit të mbërrinin në enklavë çdo muaj me valixhe që përmbanin 15 milionë dollarë para të gatshme.

Dorëzimi i parave të gatshme duhej të ndihmonte në pagesën e nëpunësve civilë të Gazës.

Dhe fotografitë në vitin 2018 tregonin punëtorët që rrinin në rresht për të marrë kartëmonedha prej 100 dollarësh.

Izraeli e miratoi marrëveshjen në një takim të kabinetit të sigurisë në gusht 2018, gjatë një mandati të mëparshëm të Benjamin Netanyahu si kryeministër.

Në atë kohë, Netanyahu u kritikua se ishte i butë ndaj Hamasit.

Pasi i dërguari i Katarit në Gaza, Mohamed Al Emadi, dorëzoi valixhet e para me para në nëntor 2018, Netanyahu mbrojti iniciativën.

‘Po bëj gjithçka që mundem në koordinim me ekspertët e sigurisë për të rikthyer qetësinë në fshatrat (izraelitë) të jugut, por edhe për të parandaluar një fatkeqësi humanitare (në Gaza). Është një proces. Mendoj se në këtë kohë, ky është hapi i duhur’, kishte thënë Netanyahu.

Ndër kritikët e tij në atë kohë ishte ministri i atëhershëm i arsimit, Naftali Bennett, i cili i quajti fondet ‘para për mbrojtjen’.

Bennett më vonë u bë vetë kryeministër në një qeveri jetëshkurtër që përfshiu spektrin politik.

Të dielën, ai i tha CNN se kishte ndaluar së lejuari që pagesat të bëheshin me para në dorë kur u bë kryeministër, duke i quajtur valixhet e parave të gatshme një ‘gabim të tmerrshëm’.

‘Pse do t’i ushqejmë ata [Hamasin] me para për të na vrarë ne [izraelitëve]?’, pyeti Bennett.

Kujtojmë se marrëveshja është një arsye pse shumë izraelitë sot ia vënë një pjesë të fajit për sulmin e Hamasit më 7 tetor personalisht Netanyahut.

Shumë njerëz i thanë CNN se besonin se lejimi i pagesave e bëri Hamasin më të fortë dhe, në fund të fundit, i përkeqësoi sulmet brutale.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco