Rekord i ri, temperaturat në 2023: 'Po japin sinjal alarmi'!

Rekord i ri, temperaturat në 2023: 'Po japin sinjal alarmi'!

09:16, 07/12/2023
A+ Aa A-

Që nga qershori temperaturat mesatare globale shënojnë rekorde: çdo muaj ka qenë më i nxehti i matur ndonjëherë. 2023 mund të jetë viti më i nxehtë që nga fillimi i matjeve të temperaturës. Por çfarë do të thotë kjo?

Tetori 2023 në mbarë botën ishte muaji më i nxehtë i matur ndonjëherë. Sipas shërbimit të BE-së për ndryshimin e klimës, Copernicus, temperatura mesatare e sipërfaqes globale ishte 1,7 gradë mbi temperaturën mesatare të vlerësuar për tetorin përpara fillimit të industrializimit (periudha e refrencës vitet 1850-1900). Që nga muaji qershor të këtij viti Copernicus Climate Change Service (C3S) çdo muaj po mat temperatura të reja rekord: pason përkatësisht muaji duke u konsideruar si më i nxehti - korriku, gushti, shtatori e tani edhe tetori – i të gjitha kohërave. Që edhe nëntori e dhjetori 2023 sërish po shënojnë temperatura rekord, kjo konsiderohet tashmë si e sigurtë. Jo vetëm në ajër, por edhe temperatura e sipërfaqes së detrave sivjet shpallet si vlerë rekord.

 "Ne mund të themi me siguri të madhe, se 2023 është viti më i ngrohtë që nga fillimi i matjeve të temperaturës dhe ndërkohë kemi 1,43 gradë mbi mesataren e periudhës para industrializimit", thotë Samantha Burgess, zëvendësdrejtore e C3S. Bashkë me të dhënat e këshillit për klimën IPCC, rezulton, se tetori 2023 ishte "tetori më i nxehtë në më shumë se 125.000 vjet", shkruan Burgess në platformën e internetit Linkedin. IPCC ndryshe nga C3S i referohet edhe vlerave të matjes së shufrave të akullit që nxirren duke shpuar shtresat e akullnajave, rrathët e pemëve dhe kalçifikimeve në korale. Drejtori i Copernicus Carlo Buontempo thotë, se është e qartë, që "temperaturat rekord sivjet japin një sinjal alarmi!" Për të minimizuar rrezikun e botës që po ngrohet gjithnjë e më shumë, duhet të pakësohen radikalisht emisionet e efektit serë - "e kjo duhet të ndodhë shumë shpejt. Ne duhet ta shfrytëzojmë më mirë dijen që posedojmë dhe politika si dhe zakonet e mënyra jonë e sjelljes duhet të përshtaten me këtë domosdoshmëri", thotë Buontempo në bisedë për DW.

Si një ndër shkaqet për vitin e nxehtë 2023 konsiderohen emetimet e larta të efektit serë përmes djegies nga përdorimi i energjisë fosile. Në vitin 2022 ato arritën një nivel të lartë rekord në mbarë botën, sipas World Meteorological Organization (WMO). Vetëm emisionet e dioksidit të karbonit CO2, sipas këtyre të dhënave, kanë qenë rreth 50 përqind më shumë se niveli i paraindustralizimit dhe ato do të rriten edhe më tej në vitin 2023.

Aktualisht sipërmarrjet e mëdha të regjistruara në bursë po i ngadalësojnë masat e tyre për dekarbonizimin, sikurse tregon Net-Zero-Tracker – një analizë e sipërmarrjes së të dhënave MSCI. Ekziston rreziku, që për këtë arësye të ketë më shumë emisione, nga 1,5 grad që është objektivi i lejueshëm, thuhet më tej.

Sipas raportit të fundit vjetor të Programit të OKB-së për Mjedisin (UNEP) 20 vendet më të rëndësishme të nxjerrjes së naftës dhe gazit, ndër to SHBA, Kina, Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe planifikojnë që deri në vitin 2030 të nxjerrin edhe më shumë naftë, gaz e qymyr, që si rrjedhojë mund ta çonte ngrohjen globale në  mbi 2 gradë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco