Kryebashkiaku i Kievit: Zelensky është drejt largimit

Kryebashkiaku i Kievit: Zelensky është drejt largimit

21:39, 04/12/2023
A+ Aa A-

Ndërsa luftimet vijojnë të jenë të ashpra mes ushtrisë ukrainase dhe asaj ruse, kreu i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, ka lëshuar një deklaratë të papritur. Ai ka thënë se Volodymyr Zelensky do të largohet nga posti si president i Ukrainës.

Klitschko, ish-kampion i botës në boks në peshat e rënda, e bëri deklaratën e tij befasuese në një intervistë për gazetën zvicerane “20 Minuta”. Ai tha se kundërofensiva e Ukrainës ka ngecur dhe Zelensky po “paguan për gabimet e tij”.

52-vjeçari, i cili e drejton Kievin që nga viti 2014, u shpreh se nuk ishte aspak i befasuar që popullariteti i Zelensky ka rënë, ndërsa sulmoi kundërshtarin e tij politik duke thënë se injoroi paralajmërimet për pushtimin rus në 24 shkurt të vitit 2022.

“Njerëzit shohin se kush është efektiv dhe kush jo. Ka pasur dhe ka ende shumë pritshmëri. Zelensky po paguan për gabimet që ka bërë. Njerëzit ngrenë pyetjen se pse nuk ishim më të përgatitur për këtë luftë? Pse Zelensky e mohoi deri në momentin e fundit se do të vinim në këtë ditë?

Presidenti ka një funksion të rëndësishëm sot dhe ne duhet ta mbështesim atë deri në fund të luftës. Por në fund të kësaj lufte, çdo politikan do të paguajë për sukseset apo dështimet e tij”, tha ai, por hoqi dorë nga mundësia për të kandiduar për President të Ukrainës. “Do të ishte marrëzi të mendosh për këtë sot. Sot pyetja e vetme është nëse Ukraina vazhdon të ekzistojë ende”, tha ai për median zvicerane.

Pavarësisht deklaratave të Vitali Klitschko, popullariteti i Zelensky-t, sipas mediave në Ukrainë, është shumë herë më i lartë se sa në vitin 2022, përpara se Rusia të niste ofensivën e saj. Por mbështetja ndaj Zelenskyt ka rënë në muajt e fundit krahasuar me kohën kur nisi lufta, sipas një sondazhi të organizuar nga “Statista” në Ukrainë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco