VOA/ Helmohet bashkëshortja e shefit të zbulimit të Ukrainës

VOA/ Helmohet bashkëshortja e shefit të zbulimit të Ukrainës

20:35, 28/11/2023
A+ Aa A-

Bashkëshortja e shefit të zbulimit të Ukrainës është helmuar me pluhur metalesh të rënda dhe po trajtohet në spital, njoftoi të martën një zëdhënës i shërbimit të zbulimit.

Marianna Budanova është bashkëshortja e Kyrylo Budanovit, i cili udhëheq agjencinë e zbulimit ushtarak të Ukrainës, të njohur me shkurtesën GUR. Kjo agjenci është përfshirë në operacione të fshehta kundër forcave ruse që kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022.

“Po, e konfirmoj, fatkeqësisht, është e vërtetë,” i tha agjencisë së lajmeve Reuters zëdhënësi i shërbimit të zbulimit Andriy Yusov , por nuk sqaroi se kur kishte ndodhur helmimi.

Shërbimi ukrainas i televizionit publik britanik BBC citoi zëdhënësin Yusov duke thënë se edhe disa zyrtarë të agjencisë së zbulimit gjithashtu po vuanin nga simptoma më të lehta helmimi.

Profili publik i zotit Budanov ka fituar peshë në Ukrainë dhe në Perëndim, ku përshkruhet si truri prapaskenës për organizimin e kundër-sulmeve ndaj Rusisë. Në mediat ruse ai është figurë e urryer.

Drejtuesi 37 vjeçar i shërbimit të zbulimit edhe vetë ishte shënjestër të disa përpjekjeve për ta vrarë, përfshirë një bombë të vendosur në makinën e tij, që dështoi.

Nëse helmimi i gruas së tij konfirmohet si i qëllimshëm, atëherë ai përbën sulmin më serioz ndaj një anëtari të familjes së zyrtarëve të lartë të Ukrainës gjatë këtyre 21 muajve të luftës.

Helmimi fillimisht u raportua nga mediat ukrainase.

Media “Babel” citoi një burim sipas së cilit, zonja Budanova ishte e shtruar në spital dhe se po trajtohej për pasojat e helmimit.

Një media tjetër, “Ukrainska Pravda” citoi një burim të paidentifikuar duke thënë se helmi sipas të gjitha gjasave ishte futur në ushqim.

Në të kaluarën Moska ka fajësuar shërbimet sekrete të Ukrainës për vrasjen e një blogeri dhe një gazetari rus që përkrahnin luftën brenda Rusisë. Ukraina mohon të ketë qenë e përfshirë në ato vrasje.

Mediat ruse kanë raportuar ndërkohë që një gjykatë në Moskë në muajin prill ka dënuar zoti Budakov në mungesë për terrorizëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco