Izraeli vret një nga anëtarët më të lartë të grupit të Hamasit në veri të Rripit të Gazës

Izraeli vret një nga anëtarët më të lartë të grupit të Hamasit në veri të Rripit të Gazës

16:38, 26/11/2023
A+ Aa A-

 

Hamasi, grupi radikal palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, njoftoi të dielën se njëri prej komandantëve të vet më të lartë është vrarë në luftë me Izraelin.

Grupi radikal njoftoi të dielën për vdekjen e Mahmed al-Ghandour, pa treguar se kur dhe ku u vra ai. Ai është anëtari më i lartë i grupit që është vrarë në këtë luftë, e cila nisi më 7 tetor e nxitur nga sulmet e luftëtarëve të Hamasit në Izrael.

Al-Ghandour ishte anëtar i lartë i grupit të armatosur dhe komandanti kryesor i Hamasit në veri të Rripit të Gazës. Ai u kishte mbijetuar së paku tri tentimeve të Izraelit për ta vrarë atë prej vitit 2002, sipas Projektit Kundër Terrorizmit, një grup me bazë në Uashington.

Ndërkohë, armëpushimi i brishtë katërditor mes Hamasit dhe Izraelit vazhdoi në ditën e tretë të tij të dielën, pasi grupi radikal i liroi edhe 17 pengje të shtunën vonë, në këmbim të 39 të burgosurve palestinezë.

Këmbimi i pengjeve me të burgosurit u krye në orët e vona të së shtunës, pas vonesave disa orëshe, për shkak se Hamasi e akuzoi Izraelin e se kishte shkelur marrëveshjen e armëpushimit, shkruan REL.

Lufta shpërtheu më 7 tetor, kur luftëtarët e Hamasit në Gazë i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit, duke i vrarë së paku 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 240 të tjerë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.

Izraeli shpalli gjendje lufte menjëherë, duke kryer bombardime disa javore dhe duke e nisur një ofensivë tokësore, si pasojë e të cilave u vranë mbi 13.300 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Rreth dy të tretat e të vrarëve në Gazë ishin gra dhe të mitur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco