Hamasi/ Cilët janë udhëheqësit më të shquar të grupit militant palestinez që kontrollojnë Gazën

Hamasi/ Cilët janë udhëheqësit më të shquar të grupit militant palestinez që kontrollojnë Gazën

08:44, 16/11/2023
A+ Aa A-

Që kur Hamasi sulmoi Izraelin me 7 tetor një nga sulmet e tij më ambicioz të këtij grupi të nisur ndonjëherë nga Gaza, janë ngritur pikëpyetje se kush janë organizatorët.

Shumë nga njerëzit e rangut më të lartë që i përkasin grupit militant palestinez që kontrollon Gazën mbajnë një profil të ulët publik, ndërsa të tjerë kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre duke iu shmangur tentativave për vrasje nga Izraeli.

Këta janë udhëheqësit më të shquar të Hamasit.

Ismail Haniyeh

Image

Ismail Haniyeh konsiderohet gjerësisht lideri i përgjithshëm i Hamasit.

Një anëtar i shquar i lëvizjes në fund të viteve 1980, Izraeli e burgosi ​​Haniyeh për tre vjet në vitin 1989 teksa shtypi kryengritjen e parë palestineze.

Më pas ai u internua në vitin 1992 në një tokë të askujt midis Izraelit dhe Libanit, së bashku me një numër udhëheqësish të Hamasit.

Pas një viti në mërgim, ai u kthye në Gaza. Në vitin 1997 ai u emërua kryetar i zyrës së udhëheqësit shpirtëror të Hamasit, duke forcuar pozicionin e tij.

Haniyeh u emërua kryeministër palestinez në vitin 2006 nga Presidenti Mahmoud Abbas pasi Hamasi fitoi shumicën e vendeve në zgjedhjet kombëtare, por u shkarkua një vit më vonë pasi grupi rrëzoi partinë Fatah të z. Abbas nga Rripi i Gazës në një javë dhune vdekjeprurëse.

Haniyeh e hodhi poshtë shkarkimin e tij si "jokushtetues", duke theksuar se qeveria e tij "nuk do të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj kombëtare ndaj popullit palestinez" dhe vazhdoi të sundojë në Gaza.

Ai u zgjodh kryetar i byrosë politike të Hamasit në vitin 2017.

Në vitin 2018, Departamenti Amerikan i Shtetit e cilësoi Haniyeh si terrorist. Ai ka jetuar në Katar për disa vitet e fundit.

Jahja Sinwar

Image

Udhëheqësi i lëvizjes Hamas brenda Rripit të Gazës, Yahya Sinwar, ka lindur në vitin 1962.

Ai është themeluesi i shërbimit të sigurisë Hamas, i njohur si Majd, i cili menaxhon çështjet e sigurisë së brendshme, heton agjentët e dyshuar izraelitë dhe gjurmon oficerët e shërbimeve të inteligjencës dhe sigurisë izraelite.

Sinwar është arrestuar tre herë. Pas arrestimit të tretë në vitin 1988 ai u dënua me katër burgim të përjetshëm.

Megjithatë, ai ishte në mesin e 1,027 të burgosurve arabë palestinezë dhe izraelitë të liruar nga Izraeli në këmbim të një ushtari izraelit të mbajtur rob për më shumë se pesë vjet nga Hamasi.

Sinwar u kthye në pozicionin e tij si një udhëheqës i shquar në Hamas dhe u emërua kreu i byrosë politike të grupit në Rripin e Gazës në vitin 2017.

Në vitin 2015, SHBA përfshiu Sinwar në listën e zezë të "terroristëve ndërkombëtarë".

Muhamed Deif

Image

Mohammed Deif drejton Brigadat Izz al-Din al-Qassam, krahu ushtarak i lëvizjes Hamas.

Ai është një figurë në hije, e njohur për palestinezët si "Mjeshtri" dhe për izraelitët si "Macja me nëntë jetë".

Autoritetet izraelite e burgosën atë në vitin 1989, pas së cilës ai formoi Brigadat al-Qassam me synimin për të kapur ushtarët izraelitë.

Pas lirimit të tij, ai ndihmoi në ndërtimin e tuneleve që kanë lejuar luftëtarët e Hamasit të hyjnë brenda Izraelit nga Gaza.

Deif është një nga njerëzit më të kërkuar të Izraelit, i akuzuar për planifikimin dhe mbikëqyrjen e bombave të autobusëve që vranë dhjetëra izraelitë në vitin 1996 dhe për përfshirje në kapjen dhe vrasjen e tre ushtarëve izraelitë në mesin e viteve 1990.

Izraeli e burgosi ​​atë në vitin 2000, por ai u arratis në fillim të kryengritjes së dytë palestineze, ose intifadës.

Që atëherë, ai ka lënë pas pak gjurmë.

Përpjekjet më të rënda për vrasjen e tij ishin në vitin 2002: Deif mbijetoi, por humbi njërin sy. Izraeli thotë se ka humbur edhe një këmbë dhe një dorë dhe se ka vështirësi në të folur.

Forcat izraelite të sigurisë përsëri dështuan të vrasin Deifin gjatë një sulmi të vitit 2014 në Rripin e Gazës, por vranë gruan dhe dy fëmijët e tij.

Marvan Issa

Image

Marwan Issa, ose Njeriu Hije dhe krahu i djathtë i Mohammed Deif, është zëvendës komandanti i përgjithshëm i Brigadave Izz al-Din al-Qassam.

Forcat izraelite e mbajtën atë gjatë intifadës së parë për pesë vjet për shkak të aktivitetit të tij me Hamasin.

Autoriteti Palestinez e arrestoi Issa-n në vitin 1997, por ai u lirua pas intifadës së dytë në 2000.

Ai ishte në listën e më të kërkuarve të Izraelit dhe u plagos kur Izraeli tentoi ta vriste në vitin 2006.

Avionët luftarakë izraelitë shkatërruan shtëpinë e tij dy herë gjatë pushtimeve të Gazës në 2014 dhe 2021, duke vrarë vëllain e tij.

Nuk dihej se si dukej Issa deri në vitin 2011, kur u shfaq në një foto në grup të bërë gjatë një pritjeje për të burgosurit e shkëmbyer.

Ai mendohet të ketë luajtur një rol të rëndësishëm në planifikimin e inkursioneve në Izrael, duke përfshirë më të fundit.

Khaled Meshaal

Image

Khaled Meshaal, i lindur në Bregun Perëndimor në vitin 1956, konsiderohet një nga themeluesit e Hamasit.

Nën udhëzimet e drejtpërdrejta të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, agjencia e spiunazhit izraelit Mossad tentoi të vriste Meshaalin në vitin 1997 ndërsa ai jetonte në Jordani.

Agjentët e Mossad-it hynë në Jordani me pasaporta të falsifikuara kanadeze dhe Meshaal iu injektua një substancë toksike teksa ecte përgjatë një rruge.

Autoritetet jordaneze zbuluan atentatin dhe arrestuan dy anëtarë të Mossad.

Mbreti i ndjerë Husein i Jordanisë i kërkoi kryeministrit të Izraelit antidotin për substancën me të cilën ishte injektuar Meshaal. Duke u përballur me presionin nga presidenti i atëhershëm i SHBA Bill Clinton, Netanyahu dha antidotin pasi fillimisht refuzoi kërkesën.

Meshaal, i cili jeton në Katar, vizitoi Rripin e Gazës për herë të parë në vitin 2012.

Hamasi zgjodhi Ismail Haniyeh për të pasuar Meshaalin si kreun e byrosë së tij politike në vitin 2017 dhe Meshaal u bë kreu i byrosë politike të grupit jashtë vendit.

Mahmud Zahar

Image

Mahmoud Zahar lindi në Gaza në vitin 1945 nga një baba palestinez dhe një nënë egjiptiane. Ai konsiderohet si një nga udhëheqësit më të shquar të Hamasit dhe anëtar i udhëheqjes politike të lëvizjes.

Ai shkoi në shkollë në Gaza dhe në universitet në Kajro, më pas punoi si mjek në Gaza dhe Khan Younis derisa autoritetet izraelite e pushuan për shkak të pozicionit të tij politik.

Mahmud Zahar u mbajt në burgjet izraelite në vitin 1988, muaj pas themelimit të Hamasit. 

Me fitoren e lëvizjes Hamas në zgjedhjet e përgjithshme palestineze në vitin 2006, Zahar iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme në qeverinë e sapoformuar të kryeministrit Ismail Haniyeh përpara shkarkimit të tij përfundimtar.

Izraeli tentoi të vriste Zaharin në vitin 2003, kur një avion hodhi një bombë në shtëpinë e tij në qytetin e Gazës. Sulmi e la atë me lëndime të lehta, por vrau djalin e tij të madh, Khaled.

Djali i tij i dytë, Hossam, i cili ishte anëtar i Brigadave al-Qassam, u vra në një sulm ajror izraelit në Gaza në vitin 2008.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco