VOA: Gjykata e Lartë britanike: Plani për të dërguar imigrantë në Ruandë, i paligjshëm

VOA: Gjykata e Lartë britanike: Plani për të dërguar imigrantë në Ruandë, i paligjshëm

16:30, 15/11/2023
A+ Aa A-

Gjykata e Lartë britanike tha të mërkurën se plani i qeverisë për të dërguar një pjesë të emigrantëve që mbërrijnë në vend, në Ruandë, është i paligjshëm. Vendimi shihet si një goditje e fortë e politikës kryesore të qeverisë së Kryeministrit Rishi Sunak që ka nxitur kritika ndërkombëtare.

Pesë anëtarë të gjykatës më të lartë të vendit, vendosën njëzëri se azilkërkuesit që do të dërgoheshin në Ruandë, ekspozoheshin ndaj “rrezikut real për t’u keqtrajtuar" dhe se ata mund të ktheheshin në vendet e tyre.

Por pavarësisht vendimit, kryeministri britanik Sunak tha sot se do të vazhdojë me përpjekjet për të dërguar disa emigrantë në Ruandë.

Zoti Sunak, i cili është angazhuar të ndalojë imigrantët që futen në Britani me varka të vogla përmes Kanalit të la Manshit, tha se vendimi nuk ishte rezultati që ai priste. Por shtoi se qeveria e tij kishte menduar për të gjithë skenarët e mundshëm dhe se mbetej plotësisht e përkushtuar për të ndaluar anijet (me imigrantë).

Grupet e refugjatëve dhe të të drejtave të njeriut e përshëndetën vendimin. Organizata britanike “Charity ActionAid”, e cila ndihmon gratë dhe vajzat në vendet e varfra, tha se vendimi ishte një fitore e “vlerave njerëzore britanike dhe e dinjitetit”.

Organizata “Amnesty International” i kërkoi qeverisë britanike “të heqë dorë nga një kapitull i turpshëm në historinë politike të Britanisë”, siç dhe e konsideroi ajo.

Në prill të vitit 2022 Britania dhe Ruanda nënshkruan një marrëveshje për të dërguar një numër imigrantësh që kishin mbërritur në Britani të fshehur në automjete ose me varka, në vendin e Afrikës Lindore, ku do të përpunoheshin kërkesat e tyre për azil dhe nëse përgjigja do ishte pozitive, ata do të qëndronin.

Qeveria e Britanisë tha se ky plan synonte që të ndalonte imigrantët që të rrezikonin jetën e tyre, duke kaluar një nga korridoret më të ngarkuara të transportit në botë si dhe do të ishte një goditje për bandat që trafikojnë njerëz. Politikanët e opozitës, grupet e refugjatëve dhe organizatat e të drejtave të njeriut thonë se plani ishte joetik dhe i pazbatueshëm.

Deri tani asnjë imigrant nuk është dërguar ende në Ruandë, pasi plani u kundërshtua në gjykata.

Duke lexuar vendimin unanim të gjykatës, Presidenti i saj, Robert Reed tha se nuk ka garanci se Ruanda do t’i qëndrojë premtimit të saj për mos keqtrajtuar azilkërkuesit.

Ai përmendi të dhënat problematike të vendit me të drejtat e njeriut, përfshirë rastet e zhdukjes dhe torturat duke shtuar se Ruanda zbatonte praktika të kthimit të imigrantëve në vende të pasigurta.

Gjykatësit arritën në përfundimin se kishte “baza për të besuar se azilkërkuesit do të përballeshin me një rrezik real për keqtrajtim, në rast se ata do të dërgoheshin në Ruandë”.

Qeveria britanike ka thënë se edhe pse Ruanda ishte vendi i një gjenocidi, gjatë të cilit në 1994 u vranë më shumë se 800 mijë persona, që nga ajo kohë vendi ka ndërtuar një reputacion për stabilitet dhe përparim ekonomik.

Në vendimit e gjykatës, viheshin në dukje shkelje të shumta të të drejtave të njeriut, përfshirë vrasjet me motive politike, që kishin nxitur policinë britanike "të paralajmëronte individët me origjinë nga Ruanda, që jetonin në Britani, mbi plane të besueshme për vrasjen e tyre nga ana e atij shteti”.

Ata thanë se të dhënat tregojnë se Ruanda i ka refuzuar në 100 për qind të rasteve azilkërkuesit nga vendet e shkatërruara nga lufta, me tyre ata që vinin nga Siria, Jemeni dhe Afganistani.

Vendimi i jep një goditje të fortë një politike që i ka kushtuar qeverisë britanike të paktën 175 milionë dollarë në pagesa për Ruandën, ndërsa as një immigrant nuk është dërguar atje. Fluturimi i parë me imigrantë u ndalua në minutën e fundit, në qershor të vitit 2022, pas ndërhyrjes së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Në dhjetor, Gjykata e Lartë në Londër vendosi se plani i Ruandës është i ligjshëm, por se qeveria duhet të marrë parasysh rrethanat individuale të secilit rast përpara se të vendosë dikë në aeroplan.

Mbetet e paqartë nëse qeveria britanike do të përpiqet ta mbajë gjallë këtë politikë. Disa konservatorë të Mbretërisë së Bashkuar kanë bërë thirrje për veprime radikale në këtë drejtim. Ish-Sekretarja e Brendshme Suella Braverman, e cila u shkarkua nga Kryeministri Sunak të hënën, ka thënë se Britania duhet të largohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe gjykata e saj, nëse i ashtuquajturi plani i Ruandës bllokohet.

Pjesa më e madhe e Evropës dhe e Shteteve të Bashkuara po hasin në vështirësi për të identifikuar zgjidhjet më të mira për t'u përballur me imigrantët që largohen nga lufta, dhuna e shtypja në vendet e tyre.

Megjithëse Britania merr më pak kërkesa për azil krahasuar me vende si Italia, Franca apo Gjermania, mijëra imigrantë nga e gjithë bota udhëtojnë çdo vit me shpresën për të kaluar Kanalin e La Manshit.

Më shumë se 27,300 imigrantë kanë kaluar kanalin këtë vit krahasuar me 46,000 që ishte vitin e kaluar. Qeveria thotë se kjo tregon se qasja e saj e ashpër ka funksionuar. Por të tjerë përmendin faktorë si moti i keq si arsye për këtë rënie të numrit të imigrantëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco