Ambjentalisti i rrëmben mikrofonin Greta Thunberg pas thirrjeve pro-palestineze në tubimin e klimës

Ambjentalisti i rrëmben mikrofonin Greta Thunberg pas thirrjeve pro-palestineze në tubimin e klimës

10:50, 13/11/2023
A+ Aa A-

Aktivistja e klimës Greta Thunberg u ndërpre për pak kohë të dielën nga një ambjentalist që iu afrua në skenë pasi ajo ftoi një palestineze dhe një afgane të flisnin në një protestë për ndryshimet klimatike në kryeqytetin holandez.

Thunbergu po fliste para një turme prej dhjetëra mijëra njerëzish kur i ftoi gratë në skenë.

"Si lëvizje për drejtësi klimatike, ne duhet të dëgjojmë zërat e atyre që po shtypen dhe të atyre që luftojnë për liri dhe drejtësi. Përndryshe, nuk mund të ketë drejtësi klimatike pa solidaritet ndërkombëtar", tha Thunbergu.

Pasi gruaja palestineze dhe afgane folën dhe Thunbergu rifilloi fjalimin e saj, ambjentalisti doli në skenë, i rrëmbeu mikrofonin asaj dhe tha:

"Kam ardhur këtu për një demostrim klimatik, jo për pikëpamje politike".

Identiteti i burrit nuk ishte i qartë menjëherë. Por  ai mbante veshur një xhaketë me emrin e një grupi të quajtur Water Natuurlijk, e cila përfaqëson anëtarët e bordeve holandeze të ujit.

 

Thunberg ka tërhequr kritika të gjera për shumë postime që shprehin solidaritetin me Gazën.

Një grup prej 100 aktivistësh ambientalistë në Izrael nënshkruan një letër të hapur drejtuar Thunberg muajin e kaluar pas një sërë postimesh në rrjetet sociale që shprehnin "solidaritet me Palestinën dhe Gazën".

Nënshkruesit shkruanin se tweet-et dhe postimet e Thunbergut për këtë çështje janë "tejet të njëanshme, të keqinformuara, sipërfaqësore dhe janë në kontrast të plotë me aftësinë tënde për t'u futur në detaje dhe për të arritur në fund të çështjeve komplekse". "A mendon që Hamasi përfaqëson të drejtat dhe liritë e njeriut? Mendohu përsëri!" shkruhej në letër.

Në tubimin e së dielës u panë dhjetëra mijëra njerëz që marshonin në rrugët e Amsterdamit duke bërë thirrje për më shumë veprime për të trajtuar ndryshimet klimatike, në një protestë masive vetëm 10 ditë para zgjedhjeve kombëtare në vend.

Organizatorët pretenduan se 70,000 njerëz morën pjesë në marshim dhe e quajtën atë protestën më të madhe për klimën në Holandë dhe Thunberg ishte një ndër ata që protestonin në kryeqytetin holandez.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco