'Willkommenskultur' -  A hoqi dorë Gjermania nga mikpritja e emigrantëve?

'Willkommenskultur' - A hoqi dorë Gjermania nga mikpritja e emigrantëve?

13:29, 06/11/2023
A+ Aa A-

Pas dy humbjeve elektorale të koalicionit të tij, kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz tani po merr një qëndrim më të ashpër ndaj migracionit, duke u përpjekur të shtojë përpjekjet për të dëbuar ata që rrinë ilegalisht në vend.

Mes panikut të përhapur ndër vendet evropiane gjatë krizës së emigrantëve në vitet 2015-2016, Gjermania përfaqësoi një fener drite dhe optimizmi nën udhëheqjen e kancelares së atëhershme Angela Merkel, e cila me një thirrje që mbeti në histori, e hapi vendin e saj ndaj një numri të madh emigrantësh.

Nën udhëheqjen e Merkelit dhe politikën e saj të "kulturës së mirëseardhjes", vendi pranoi më shumë se 1.2 milionë refugjatë dhe azilkërkues midis viteve 2015 dhe 2016.

Por ndërsa nivelet e emigrimit të paligjshëm në Evropë janë përsëri në rritje, Gjermania tani e gjen veten në një pozitë shumë të ndryshme, e detyruar t'i kthejë shpinën "kulturës së mirëseardhjes" - ose "Willkommenskultur" - me të cilën dikur krenohej.

“Ne po e kufizojmë emigrimin e parregullt drejt Gjermanisë. Shumë njerëz po vijnë”, tha kancelari Olaf Scholz në një intervistë të fundit me gazetën Der Spiegel. “Ne duhet t'i dëbojmë njerëzit më shpesh dhe më shpejt.”

Gjermania duhet të përshpejtojë dëbimet e emigrantëve që nuk lejohen të qëndrojnë në vend, tha Scholz dhe vetëm disa ditë më vonë, kabineti gjerman miratoi një propozim legjislativ që synon të thjeshtojë procesin e dëbimit të azilkërkuesve që iu është mohuar qendrimi.

Ky është një ndryshim i madh për Gjermaninë dhe Scholz, nga të cilët pritej të vazhdonin trashëgiminë e paraardhëses.

"Ka një ndryshim të dukshëm në retorikë dhe politikë me objektivin e qartë për të ulur numrin e migracionit," tha për Euronews, z. Michael Bröning, një shkencëtar politik dhe një anëtar i Komisionit të Vlerave Bazë të SPD.

“Hapat e propozuar përfshijnë lehtësimin e dëbimeve, sanksione më të rënda për trafikantët e qenieve njerëzore, riinstalimin e kontrolleve të përkohshme kufitare, marrëveshje të mëtejshme dypalëshe me vendet e origjinës dhe një zgjerim të listës së vendeve që konsiderohen të sigurta. Me pak fjalë, ky është një ndryshim drastik në politikë që sinjalizon fundin e 'kulturës unike të mirëseardhjes' të Gjermanisë, siç u dëshmua në vitin 2015,” shtoi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco