Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Blinken-Austin, thirrje Kongresit të miratojë ndihmën për Izraelin dhe Ukrainën

Blinken-Austin, thirrje Kongresit të miratojë ndihmën për Izraelin dhe Ukrainën

18:50, 31/10/2023
A+ Aa A-

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe ai i Shtetit Antony Blinken deklaruan të martën se Shtetet e Bashkuara duhet t'i dërgojnë menjëherë ndihmë Izraelit dhe Ukrainës. Komentet dy zyrtarët e lartë të administratës i bënë gjatë një seance dëgjimore në Senat, ku po bëjnë thirrje për miratimin e ndihmës urgjente masive prej 105 miliardë dollarësh, e cila ka ndeshur në kundërshti në Kongres

Shumica e demokratëve dhe shumë republikanë të Senatit e mbështesin lidhjen e ndihmës me të dy vendet së bashku, por ajo po përballet me probleme shumë më të thella në Dhomën e Përfaqësuesve, që udhëhiqet nga republikanët. Kryetari i ri i saj Mike Johnson, ka propozuar ndërprerjen e ndihmës për Ukrainën dhe përqendrimin vetëm tek Izraeli.

Ndërsa ndasitë në Kongres vetëm sa thellohen, sekretarët Blinken dhe Austin, u thanë senatorëve se mbështetja e gjerë për ndihmën e huaj do të ishte një sinjal i forcës amerikane për kundërshtarët.

"Aktualisht jemi në një moment ku shumë besojnë se ndarjet e brendshme janë aq të thella në Shtetet e Bashkuara sa rrezikojnë përmbushjen e angazhimeve të vendit”, tha zoti Blinken.

Zoti Austin tha se nëse Uashingtoni dështon të luajë rolin e tij udhëheqës “kostoja dhe kërcënimet ndaj Shteteve të Bashkuara vetëm sa do të rriteshin”.

“Ne nuk duhet t'u japim miqve tanë, rivalëve ose armiqve tanë asnjë arsye për të dyshuar në vendosmërinë e Amerikës", tha ai.

Gjatë fjalës së tyre në Senmat dy sekretarët u ndërprenë në mënyrë të përsëritur nga dhjetëra protestues që bënin thirrje që Izraeli t'i japë fund bombardimeve në Rripin e Gazës. Seanca pezullohej duke i dhënë kohë policisë të largonte protestuesit nga salla.

Zoti Biden ka kërkuar 14.3 miliardë dollarë për Izraelin dhe 61.4 miliardë dollarë për të mbështetur Ukrainën dhe për të rimbushur rezervat e Pentagonit me armë, që janë siguruar tashmë. Po kështu administrata kërkon 9.1 miliardë dollarë për përpjekjet humanitare në Gazë, Izrael, Ukrainë dhe vende të tjera si dhe 7.4 miliardë dollarë për Indo-Paqësorin, ku Shtetet e Bashkuara janë përqendruar në kundërshtimin e ndikimit të Kinës. Shtëpia e Bardhë kërkon gjithashtu rreth 14 miliardë dollarë për të mbrojtur kufirin amerikan, duke përfshirë një rritje të numrit të agjentëve kufitarë, vendosjen e makinerive të reja të inspektimit për të zbuluar fentanilin dhe një rritje të personelit për të përpunuar rastet e azilit.

Varianti i reduktuar në mënyrë drastike i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili parashikon rreth 14.5 miliardë dollarë, u përball me rezistencë të menjëhershme nga demokratët e Senatit ndërsa ka vënën nën trysni republikanët e kësaj dhome që mbështesin ndihmën për Ukrainën.

Qasjet e ndryshme sinjalizojnë probleme në vazhdim ndërsa të dy vendet janë përfshirë në konflikte të gjata, që shumë ligjvënës amerikanë thonë se mund të kenë pasoja të mëdha për pjesën tjetër të botës./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco