VOA/ Opozita polake e gatshme të marrë pushtetin

VOA/ Opozita polake e gatshme të marrë pushtetin

18:49, 24/10/2023
A+ Aa A-
Partitë kryesore të opozitës në Poloni thanë të martën se janë gati të marrin pushtetin, ndërsa rrisin presionin ndaj presidentit polak për të marrë një vendim të shpejtë për emërimin e kandidatit të tyre Donald Tusk për kryeministër.

Partitë opozitare pro-BE-së fituan shumicën në zgjedhjet që u mbajtën në fillim të këtij muaji, një ndryshim i madh për Poloninë pas tetë vitesh përplasjesh me Brukselin mbi një sërë çështjesh, që nga pavarësia e gjyqësorit, deri tek të drejtat e komunitetit LGBTQI+.

Presidenti Andrzej Duda, aleat i partisë nacionaliste në pushtet “Ligj dhe Drejtësi” (PiS), ka thënë më parë se ai do t'i jepte mundësinë e parë për formimin e qeverisë së re, partisë që ka fituar e vetme numrin më të madh të vendeve në parlament gjatë zgjedhjeve të fundit.

PiS doli e para në zgjedhjet e përgjithshme, por pa fituar shumicën e duhur për të formuar qeverinë dhe duket se nuk ka gjasa të jetë në gjendje të sigurojë një partner koalicioni.

“Sot, së bashku me udhëheqësit e partive demokratike, konfirmuam gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar plotësisht dhe për të krijuar një shumicë në parlamentin e ardhshëm”, tha zoti Tusk, kreu i grupit më të madh të opozitës liberale të Polonisë, Koalicioni Qytetar, në një konferencë për shtyp. Ai shtoi se do të jetë kandidati i opozitës për kryeministër.

Presidenti Duda do të takohet me krerët e të gjitha partive që fituan vende në parlament të martën dhe të mërkurën.

Udhëheqësit e tre grupimeve që kanë hyrë në koalicion dhe synojnë të formojnë qeverinë e ardhshme - Koalicioni Civil, me prirje liberale i zotit Tusk (KO), Rruga e Tretë, e qendrës së djathtë dhe e Majta e Re - i kanë kërkuar Presidentit Duda të mos vonojë në marrjen e një vendimi për emërimin e një kryeministri të ri.

Megjithatë, ndihmësit e presidentit kanë thënë se ai nuk do të ngutet për të bërë një zgjedhje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco