23-vjeçarja e rrëmbyer nga Hamas, familjarët për median: Erdhi për ditëlindje, sot festojmë pa të

23-vjeçarja e rrëmbyer nga Hamas, familjarët për median: Erdhi për ditëlindje, sot festojmë pa të

09:04, 17/10/2023
A+ Aa A-

Urime… qirinj… torta. Nuk mungon asnjë element i një feste ditëlindjeje… përveç …asaj që e feston! Tifferet Lapidot, do duhej të ishte bashkë me familjarët dhe miqtë për të shuar 23 qirinjtë e një jete të jetuar mes shpengimeve të një të riu dhe punës vullnetare.

Por mëngjesin e 7 tetorit, planet për festën u prishën në mënyrë dramatike, pasi Tifferet u rrëmbye nga militantët e Hamasit, teksa merrte pjesë në festivalin muzikor Nova… E reja, e cila punonte si vullnetare për fëmijët me nevoja të veçanta, në Afrikën e Jugut, ishte rikthyer në atdhe me rastin e sezonit festiv në Izrael, dhe për të qenë pranë familjes, në 23 vjetorin e lindjes. Sot, është më larg se kurrë, ndërsa urimet për të vijnë virtualisht. 

“U rikthye në Izrael për festat tona këtu dhe për të festuar ditëlindjen e saj… Por nuk mundëm të festonim dot. Në vend të një feste të gjithë së bashku, shumë izraelitë përgatitën torta dhe ndezin qirinj për ditëlindjen e saj por ajo nuk ishte këtu. Ishte diçka virtuale. Shumë e vështirë për ne…”, tha Harr El, xhaxhai i Tifferet.

Orët e agonisë për familjarët e Tifferet nisën mëngjesin e së shtunës së 7 tetorit, kur një telefonatë e papritur shndërroi shpejt në tragjedi atë që duhej të ishte një festë. Xhaxhai Harr El rrëfen për A2CNN detajet e telefonatës dramatike.

“Të shtunën në mëngjes, ra telefoni. Ishte e pazakontë, pasi të shtunave ne nuk përdorim elektricitet prandaj nuk prisnim telefonata. Ishte Tifferet e cila i tha nënës së saj se një sulm terrorist po ndodhte në zonën ku mbahej festivali dhe se ajo po fshihej. E pyeti të ëmën, çfarë duhet të bëj? Të bashkohem me të rinjtë e tjerë apo të qëndroj këtu vetëm, bashkë me një shoqe… Kjo ishte hera e fundit që dëgjuam prej saj…”, tha ai.

Tifferet ndihmonte fëmijë me nevoja të veçanta nëpër botë; të krishterë, myslimanë e hebrenj. Një mision që s’njeh kufij, e as ndasi besimi ai i saji, por që shpejt do të ndërpritej dhunshëm nga realiteti i një bote në luftë për kufij e besim.

“Thjesht mendoj gjatë gjithë kohës mbi atë që ka parë ajo. Nga ai mëngjes e deri më tani, aty ku mund të jetë. Mendoj gjithë kohës, mbi ato që mund të ketë parë, mbi ato që mund të jetë duke menduar… dhe kam shumë frikë. Ne nuk mund të flemë më normalisht. Nuk na hahet më, nuk na bëhet më asgjë”, thotë Galit, halla e Tifferet.

Të bashkuar në dhimbje, të afërmit e 23-vjeçares, që kanë gjithashtu nënshtetësi kanadeze, mbahen fort tek shpresa, e njëjta që i ndihmoi të kalonin periudhën më të errët të kombit të tyre… Holokaustin.

“Populli hebre e mbajti shpresën e gjallë për 2 mijë vjet dhe gjëja më bazike e të qenit hebre është të pasurit e shpresës. Ne shpresojmë që qeveria, të dyja qeveritë, ajo kanadeze dhe izraelite do të bëjnë gjithçka munden për ne. gjyshja ime u largua për ti shpëtuar varfërisë përpara Holokaustit, ndërsa vëllai i saj u vra nga nazistët në Budapest dhe po ashtu të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes”, thotë Harr El, xhaxhai i Tifferet.

Nga 100 deri në 150 persona thuhet të jenë rrëmbyer nga militantët palestinezë gjatë sulmit masiv dhe të koordinuar të 7 tetorit. Shumica e pengjeve besohet të jenë të rinj që po merrnin pjesë në festivalin muzikor Nova, ku u ekzekutuan rreth 260 persona.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco