Gazetarët që raportojnë për konfliktin Izrael-Hamas përballen me një vërshim dezinformimi

Gazetarët që raportojnë për konfliktin Izrael-Hamas përballen me një vërshim dezinformimi

20:53, 16/10/2023
A+ Aa A-

Prej momentit që nisen sulmet me raketa dhe militantët e Hamasit hynë në Izrael, filloi gjithashtu edhe një vërshim dezinformimi.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Robin Guess, konflikti nuk po zhvillohet vetëm në terren, por edhe në internet.

Bombardimet dhe sulmet ajrore goditën objektivat në mbarë Izraelin dhe Gazën, pas sulmit vdekjeprurës terrorist të Hamasit ndaj Izraelit dhe kundërofensivës së Izraelit.

Në të njëjtën kohë, dezinformimi për konfliktin shpërtheu në internet me një forcë që i shtangu analistët.

‘Është më keq se periudha përpara, apo pas, 6 janarit. Është më keq se në kulmin e pandemisë COVID-19, apo për vaksinat. Kjo është sinqerisht vala më intensive e keqinformimit të shpërndarë në mediat sociale që mund të mbaj mend’, thotë Alex Mahadevan, drejtor i organizatës ‘MediaWise’.

Ndër postimet e shpërndarë gjerësisht në platformat si TikTok-u apo X, që po përpiqen t’i luftojnë organizatat e mediave si ‘MediaWise’, është edhe një video false.

Në video pretendohet se Ukraina e ka furnizuar me armatim kontrabandë Hamasin. Videoja ka marrë rreth 1 milion shikime. Por postimi dhe pamjet janë false.

Një tjetër video tregon fëmijë të mbajtur në kafazë që pretendohet se janë izraelitë të rrëmbyer nga Hamasi. Por, kjo video u publikua në TikTok ditë përpara sulmit të Hamasit.

Në një tjetër rast, postimi është fals dhe gazetarja e shfaqur nuk ekziston. BBC-ja nuk ka ndonjë korrespondente me emrin Verona Mark, apo një emision të titulluar ‘American Inside’.

Rrjeti X e pezulloi më vonë këtë llogari, pasi shkel rregullat e kësaj platforme.

Në një zonë luftimesh aktive, gazetarët nuk kanë gjithnjë qasje në zonat e goditura, dhe kjo krijon boshllëk informacioni. Dhe këtë boshllëk e mbush shpesh dezinformimi.

 ‘Do të thotë se sasia e madhe e dezinformimit dhe e propagandës në internet mund të dëmtojë punën për informacion të saktë dhe në kohën e duhur që i nevojitet publikut dhe miliona njerëzve në mbarë botën’, thotë Sherif Mansour, nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Mediat sociale mund t’i ndihmojnë gazetarët të transmetojnë të vërtetën, por mund të lejojnë edhe lulëzimin e lajmeve të rreme. Disa ekspertë të mediave përmendin ndryshimet në rrjetin X, i njohur më parë me emrin Twitter, përfshirë shkurtimet në personel, si faktor për përhapjen e dezinformimit.

‘Shumë gazetarë, ndër ta edhe unë, ishim mësuar t’i drejtoheshim rrjeti X, ish-Twitter-it, për të mësuar se çfarë po ndodhte me luftën Izrael-Hamas. Tashmë me rrjetin e ri X, i gjithë ekipi për informacionin e besueshëm është shkurtuar. Pra nuk është më i njëjti nivel punonjësish që hiqnin dezinformimet dhe keqinformimet, si dhe materialet e dhunshme apo të urrejtjes’, thotë zoti Mahadevan.

Bashkimi Evropian i rikujtoi pronarit të rrjetit X, Elon Musk dhe platformave të tjera të mediave sociale, detyrimet e tyre ligjore për të mos përhapur materiale të tilla. Zoti Musk u përgjigj në rrjetin X, duke thënë se platforma e tij është transparente, dhe i bëri thirrje BE-së të paraqesë një listë të shkeljeve për të cilat aludohet.

Ndërkohë, mes dezinformimit masiv për konfliktin, gazetarëve iu duhet të dallojnë se cilat informacione janë fakte dhe cilat janë trillime, për t’u siguruar që audiencat të kenë qasje në lajme të besueshme.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco