SHBA, ndasitë gjatë festimeve për Ditën e Kolombit

SHBA, ndasitë gjatë festimeve për Ditën e Kolombit

16:43, 10/10/2023
A+ Aa A-

Dita e Kolombit, apo Dita e Banorëve Indigjenë, festohet të hënën e dytë të tetorit dhe është ndër festat më të debatueshme në Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Johny Fernandez, kjo festë ka emra të ndryshëm dhe amerikanët përgjigjen në mënyra të ndryshme për domethënien e saj.

Gjatë viteve të fundit, është shtuar debati se si Amerika feston një aspekt të caktuar të historisë së saj, në Ditën e Kolombit dhe Ditën e Banorëve Indigjenë.

Dy grupe në epiqendër të këtij debati janë italiano-amerikanët dhe banorët autoktonë të Amerikës.

Joseph Depaola është nënpresident i Shoqatës së Zjarrfikësve të Qytetit të Nju Jorkut. Ai është krenar për origjinën e tij italiane.

‘Shoqata e zjarrfikësve u krijua në vitin 1934. U krijua për t’i ndihmuar italianët që të festonin në departamentin e zjarrfikësve dhe për t’i ndihmuar italianët që nuk flisnin anglisht me masat kundër zjarrit’, thotë zoti Depaola.

Dita e Kolombit u krijua në vitin 1892 në përgjigje të vrasjes nga turma të 11 italiano-amerikanëve në Nju Orlins. Më vonë u shndërrua në ditën që feston trashëgiminë italiano-amerikane.

Por, për shumë banorë të fiseve indigjene të Amerikës, kjo festë simbolizon skllavërimin dhe regjimin e dhunshëm që pasoi mbërritjen e Kolombit.

Zoti Depaola pranon se Dita e Kolombit mbart konflikt, por mendon se ekziston një zgjidhje.

‘Nuk mendoj se ka diçka të keqe me të. Nuk mendoj se duhet ta heqin Ditën e Kolombit. Mendoj se mund të kemi dy parada njëkohësisht për banorët indigjenë dhe për Ditën e Kolombit. Mund të bëhen paralelisht nëse dëshirojnë të njëjtën ditë. Mendoj se do ishte shumë mirë’, thotë ai.

Ndërkohë, disa banorë indigjenë të Amerikës bëjnë thirrje për heqjen e kësaj feste, apo rivlerësimin e saj. Si kundërpeshë ndaj Ditës së Kolombit, në fillimet e viteve 1980, ata filluan të kremtojnë festën e tyre, Ditën e Banorëve Indigjenë.

Image

‘Nëse je amerikan, atëherë është e rëndësishme të dish se kush janë banorët indigjenë, pasi ata hodhën themelet e këtij vendi’, thotë Cliff Matias, nga organizata Këshilli ‘Redhawk’ i Arteve Indigjene.

Në ishullin Randall të Nju Jorkut mbahet çdo vit një festival, misioni i të cilit është t’i mësojë publikut trashëgiminë e banorëve indigjenë të Amerikës.

‘Është një ditë rezistence. Na kujton se kemi mbijetuar për 532 vite dhe se jemi ende këtu, si popuj indigjenë, kultura jonë, gjuha jonë, dhe se vazhdojmë të festojmë’, thotë zoti Matias.

Kur pyeten për Ditën e Kolombit, disa thonë se ka të bëjë jo vetëm me të shkuarën, por se ka rëndësi edhe për formën që do t’i japim në të ardhmen kujtesës sonë të përbashkët.

/VOA

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco