Robert F. Kennedy Jr. do të kandidojë për president si i pavarur

Robert F. Kennedy Jr. do të kandidojë për president si i pavarur

09:17, 10/10/2023
A+ Aa A-

Avokati për çështjet e mjedisit dhe aktivisti kundër vaksinave Robert F. Kennedy Jr. tha të hënën se do të kandidojë për president si i pavarur, duke hequr dorë kështu nga kandidimi fillestar si demokrat dhe duke i shtuar një tjetër element garës elektorale që duket se do të sjellë një përballje mes Presidentit Joe Biden dhe ish-Presidentit Donald Trump.

Zoti Kennedy, pjesëtar i një prej familjeve demokrate më të mirënjohura në politikë, pati filluar kandidimin për zgjedhjet paraprake ndërkohë që duket se ka gjetur mbështetje më të mirë në radhët e votuesve republikanë, se sa ndër demokratët. Nuk është e qartë se si do të reflektohej kjo mbështetje nga republikanët gjatë zgjedhjeve të përgjithshme, kur zoti Kennedy do të kandidonte edhe përballë ish-Presidentit Trump. Aleatët e Presidentit Biden dhe të ish-Presidentit Trump kanë ngritur shpesh pikëpyetjen nëse kandidimi i zotit Kennedy do të shërbente për një ulje të mbështetjes ndaj kandidatit të tyre.

Aleatët e Presidentit Biden e kanë konsideruar deri më tani si jo serioze fushatën e zotit Kennedy për zgjedhjet paraprake.

Njoftimi i së hënës vjen më pak se një javë pasi aktivisti progresiv Cornel West braktisi kandidimin si përfaqësues i Partisë së Blertë, për të filluar kandidimin si i pavarur. Gjithashtu një grup i qendrës, i quajtur si “No Labels”, po bën përpjekje për të patur një kandidat për president, emri i të cilit nuk është bërë ende i ditur.

Zoti Kennedy akuzoi prej disa javësh Komitetin Kombëtar Demokrat për manipulim të zgjedhjeve në dëm të tij dhe kërcënoi se mund t’i duhet të marrë në konsideratë alternativa të tjera.

Elementë të së djathtës së skajshme dhe kundër vaksinave, që mbështesin zotin Kennedy, kanë dërguar sinjale të forta nëpërmjet mediave sociale duke sugjeruar se ai duhej të largohej nga Partia Demokrate.

Zoti Kennedy është vetë-identifikuar prej kohësh si demokrat dhe shpesh ka përmendur gjatë fushatës babanë dhe xhaxhanë e tij të ndjerë, Senatorin Robert F. Kennedy dhe Presidentin John F. Kennedy. Ai ka krijuar megjithatë marrëdhënie të afërta me përfaqësues të së djathtës së skajshme gjatë viteve të fundit.

Anketimet tregojnë se shumë më tepër republikanë se sa demokratë kanë një opinion pozitiv për zotin Kennedy. Ai ka krijuar gjithashtu mbështetje nga konservatorët e së djathtës së skajshme për shkak të pikëpamjeve të tij, si p.sh. mosbesimi i hapur ndaj vaksinave për COVID-19, për të cilat studimet tregojnë se janë të sigurta dhe efikase kundër sëmundjes së rëndë dhe vdekjes./VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco