VIDEO e re/ Analiza e BBC: Yevgeny Prigozhin pranoi se është kërcënuar

20:22, 31/08/2023
A+ Aa A-

Nga Malu Cursino, BBC

Shefi i Wagner, Yevgeny Prigozhin aludoi për kërcënime ndaj sigurisë së tij në një video që duket se është filmuar disa ditë përpara se ai të vdiste në një aksident ajror.

“Për ata që po diskutojnë nëse jam gjallë apo jo... çdo gjë është në rregull,” thotë ai në klipin e shkurtër në Telegram.

Udhëheqësi mercenar rus u varros në një funeral në Shën Petersburg të martën, sipas ekipit të tij të shtypit.

Prigozhin dhe nëntë të tjerë u vranë nga rrëzimi i avionit pranë Moskës më 23 gusht, çka solli spekulime të furishme.

Bosi i Wagner ishte përshkruar nga shumë njerëz si ‘një i vdekur që ecën’, pasi ai udhëhoqi një kryengritje të dështuar në qershor, gjatë së cilës luftëtarët e tij morën kontrollin e një qyteti rus dhe marshuan drejt Moskës.

Shtëpia e Bardhë ka sugjeruar se autoritetet ruse mund të qëndrojnë pas vdekjes së tij, megjithëse Kremlini ka hedhur poshtë çdo sugjerim për përfshirjen e tij si një ‘gënjeshtër të plotë’.

Zona Gri, një kanal në Telegram i lidhur me Wagner, që publikoi videon e re të enjten, tha se avioni ishte rrëzuar nga ushtria ruse- megjithëse nuk dha prova për të mbështetur këtë pretendim.

Në klipin e shkurtër, më pak se 30 sekonda, Prigozhin thotë: “Për ata që po diskutojnë nëse jam gjallë apo jo, se si po ia kaloj- tani është fundjavë, gjysma e dytë e gushtit, jam në Afrikë”.

“Pra, për njerëzit që duan të diskutojnë për të më fshirë mua, ose jetën time private, se sa shumë fitoj apo çfarëdo gjëje tjetër- gjithçka është në rregull”.

Referenca për ‘fundjavën’ në video sugjeron se ajo mund të jetë regjistruar më 19 ose 20 gusht.

E regjistruar në një automjet në lëvizje, video tregon Prigozhin të veshur me rroba kamuflazhi dhe me një kapele të ngjashme me atë që kishte veshur në videon e publikuar nga Zona Gri më 21 gusht, në të cilën ai gjithashtu sugjeron se ishte në Afrikë.

BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë vendndodhjet dhe as datat e asnjërës video.

Prigozhin ishte dikur një aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin. Por ndërsa pushtimi rus i Ukrainës nisi të lëkundej, ai u bë një kritik i shpeshtë i udhëheqjes ushtarake të vendit të tij, nëse jo edhe vetë presidentit.

Putin e përshkroi tentativën për kryengritje në qershor si një ‘thikë pas shpine’, por duket se ka nënshkruar një marrëveshje që e bënte Prigozhinin të shmangte akuzat dhe luftëtarët e Wagner të zhvendoseshin në Bjellorusi ose t’i bashkëngjiteshin ushtrisë së rregullt ruse.

Sidoqoftë, shumë ekspertë kishin dyshime se Prigozhin do të lejohej të shpëtonte pasi sfidoi në mënyrë kaq të hapur Kremlinin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco