Historia e pasaportave të arta dhe avokatit zviceran që u kthye në ‘mbretin e pasaportave’

Historia e pasaportave të arta dhe avokatit zviceran që u kthye në ‘mbretin e pasaportave’

18:02, 24/08/2023 Nga Hannes Grassegger, ‘Das Magazin’, Zvicër
A+ Aa A-

(vijon nga një ditë më parë)

Cilat janë përfitimet dhe rreziqet nga ‘pasaporta e artë’? Ky është debati që është zhvilluar gjatë e kryesisht në institucionet e BE që ka mbajtur pozicionin e një muri ndalues në lidhje me çështjen. Sipas Bashkimit Europian, risqet e kësaj pasaporte janë të shumta dhe ato lidhen me ekonominë dhe me sigurinë. Duket se këtë histori e ka nisur avokati i të drejtës kushtetuese nga Zvicra, Dr. Christian H. Kälin i cili konsiderohet si ‘mbreti i pasaportave’. Për këtë ngjarje Syri.net ka publikuar pjesën e parë të shkrimit të gazetarit investigativ zviceran Hannes Grassegger i cili ka rrëfyer për avokatin dhe zanafillën e historisë së pasaportave të arta.

Lexo më tej: Pasaportat e arta/ Avokati zviceran: Ndihmoj të pasurit të marrin nënshtetësinë e vendeve që ofrojnë avantazhe të veçanta...

7. Për Europën

Saint Kitts dhe Nevis janë në fazën e bisedimeve me Bashkimin Europian për të përjashtuar qytetarët e saj nga kërkesa për vizë për zonën ‘Shengen’. Avokati, Chris Kälin është zyrtarisht pjesë e delegacionit negociator. Douglas e emëroi atë ‘të dërguar special për traktatet dypalëshe’ dhe në të njëjtën kohë konsull të përgjithshëm nderi për Zvicrën.

Asnjë shtet nuk detyrohet të garantojë hyrjen për qytetarët e një shteti tjetër. Por nëse është në avantazhin e të dyve, dy vendet mund të hyjnë në marrëveshje reciproke për të ashtuquajturën heqje vizash ose ‘visa waiver’. Të gjithë duhet të bëjnë kërkesë dhe viza është certifikata e lëshuar pas një opinioni pozitiv. Siç shpjegon Marc Spescha,  avokat dhe profesor i ligjit të emigracionit, aplikimet për viza nga shtetas të vendeve të treta (që është rasti për pothuajse të gjitha shtetet më të varfra në botë), refuzohen duke shfaqur si arsye mungesën e garancisë së kthimit në vendin e origjinës.

Të kesh një pasaportë pa detyrimin e vizës, për një vend të caktuar, është si të kesh çelësin për të hyrë në të. Sa më shumë përjashtime nga detyrimi i vizës që ofron një pasaportë, aq më e dobishme është për ata që dëshirojnë të udhëtojnë. Dhe, në logjikën e Kälin, aq më shumë rritet vlera e tij.

Zviceranët praktikisht nuk e dinë se çfarë është kërkesa për vizë: me dokumentin e tyre ata mund të hyjnë lirisht në 186 vende. Ndërsa pasaporta e Saint Kitts dhe Nevis në 2006 kishte 62 përjashtime nga kërkesa për vizë. Me hyrjen e lirë në Bashkimin Europian, vlera e saj u rrit jashtëzakonisht.

Marrëveshja midis Bashkimit Europian dhe Saint Kitts dhe Nevis arrin më 30 qershor 2009: nga ai moment kushdo me pasaportë të Saint Kitts dhe Nevis mund të udhëtojë lirshëm në Bashkimin Europian për tre muaj. Papritur kërkesat rriten në mënyrë eksponenciale dhe së shpejti ishulli fillon të shesë më shumë se dy mijë shtetësi në vit.

Sipas vlerësimeve të paraqitura nga ish-ministri Dwyer Astaphan, në pranverën e vitit 2022, popullsia e ishullit është dyfishuar me programin e pasaportave (të paktën në letër, duke qenë se shumë aplikime kanë përfshirë anëtarë të familjes ose persona të tjerë në ngarkim). Në fakt, qytetarët e rinj që janë vendosur në ishull janë shumë të paktë dhe bumi i pasurive të paluajtshme, për shkak të investimit minimal prej 400 mijë dollarësh për të marrë dokumentin, kufizohet vetëm në ndërtesa luksoze, kryesisht hotele. Në vend që ishulli të zhytet në varfëri si Haiti, ish-ishulli i sheqerit është kthyer në një destinacion luksi.

Saint Kitts dhe Nevis, qytetarët e rinj të vendosur në ishull janë shumë të paktë dhe bumi i pasurive të paluajtshme kufizohet në ndërtesa luksoze

Programi i pasaportave është bërë burimi kryesor i të ardhurave të vendit, duke gjeneruar më shumë se një të katërtën e PBB-së dhe 40% të të ardhurave të qeverisë. Në vend të kallam sheqerit, Saint Kitts dhe Nevis lulëzojnë pëmes pasaportave. Kompania e Kälin arrin të bëjë xhiro prej dyzet milionë dollarësh në vit. ‘Ishte si të zbuloje një fushë nafte. Ne kemi revolucionarizuar vendin,’ më tregon Kälin. Shpejt pas kësaj e thirrën edhe nga ishujt e afërt: ‘Në Karaibe i njoh të gjithë’ shprehet ai dhe kur paratë fillojnë të rrjedhin si lumenj, një tjetër kolaps i jep dorën Kälin: pas krizës ekonomike të vitit 2008, shumë qeveri filluan të kërkonin burime të reja të ardhurash dhe u përballën me modelin që ai krijoi.

Image

8. Shpëtimtari i buxheteve të shtetit

Duke kaluar pothuajse pa u vënë re, në vitin 2009 Kälin filloi të zhvillojë programe për marrjen e vizave dhe pasaportave në të gjithë botën. ‘Henley & Partners’ ofron nga konsulenca të thjeshta deri tek krijimi i një kuadri ligjor dhe tek paketa e plotë, ajo në të cilën kompania kujdeset dhe për marketingun e produktit gjithashtu.

Në vitin 2009 ai vendosi një vizë të artë për investitorët edhe në Letoni, ku deri më sot, pothuajse njëzet mijë njerëz, 80% e tyre rusë, kanë marrë nënshtetësinë. Një vit më pas, ai bashkëpunoi për reformën e vizës së investitorit me të cilën do të kishte leje qëndrimi të pakufizuar në Mbretërinë e Bashkuar, ku sa më shumë investohet aq më shpejt realizohet procedura: duhet të prisni pesë vjet me dy milionë paund dhe vetëm dy vjet duke sjellë kapital nga dhjetë milionë paund e lart. Sistemi bën të mundur lëshimin e më shumë se dymbëdhjetë mijë vizave dhe gjenerimin e të ardhurave prej të paktën 17 miliardë paund. Milionerët rusë kanë siguruar më shumë se 20% të të ashtuquajturave ‘Viza Tier-1’, duke u bërë pronarë të aq shumë pronave në qytetin e Londrës sa që kryeqyteti britanik është riemërtuar ‘Londongrad’. Në vitin 2010, ‘Henley & Partners’ nisën një program në Mal të Zi për lëshimin e pasaportave për vetëm 450.000 euro. Fakti që vendi më pas aplikoi për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian e bëri më të lakmuar dokumentin e tij, që sot kërkohet mbi të gjitha nga rusët dhe kinezët.

Londër, milionerët rusë pronarë të aq shumë pronave në qytetin e Londrës sa që kryeqyteti britanik është riemërtuar ‘Londongrad’

‘Henley & Partners’ nisi një fushatë të vërtetë, duke hapur një qendër administrative (ndërkohë tani është mbyllur) në parajsën fiskale të Jersey dhe një qendër për koordinimin e negociatave me qeveritë dhe politikanët nga e gjithë bota në Lisbonë. Më vonë, kompania mëmë e zhvendosi selinë e saj në Dubai. Pasi u arrit i gjithë ky sukses, Kälin hoqi dorë nga kontaktet e drejtpërdrejta me klientët dhe u zhvendos në një pronë me një park të madh në Nevis për t'iu përkushtuar një teze doktorature mbi shpikjen e tij: ius doni, ligji i bazuar në dhuratë. Ai ka një objektiv të ri...

9. Maltë 2013: Suksesi i madh

Malta është një arkipelag i vogël midis Siçilisë dhe Libisë, vendi i dhjetë më i vogël në botë. Me gati 520.000 banorë, ajo është e populluar dendur dhe në mungesë të lëndëve të para, është e detyruar të mbështetet në burime të tjera të ardhurash. Vendi ishte koloni britanike deri në vitin 1964, sot është pjesë e Bashkimit Europian. Pra, kushdo që ka një pasaportë malteze është shtetas europian. Kälin e ka vizituar shpesh Valettën gjatë viteve shprehet se Tonio Fenech, ministër i financave në vitin 2008 deri në 2013, bëri shumë për të (madje ai shkroi parathënien e një prej manualeve të tij të shumta). Qeveria e udhëhequr nga Partia Nazzjonalista (PN) së cilës bën pjesë Fenech është në favor të një programi për dhënien e pasaportave, por ka një shumicë shumë të vogël në parlament - 35 vende kundrejt 34 - për të miratuar ligje delikate si ai për shitjen e shtetësisë malteze. Kälinn ë këto rrethana, i drejtohet opozitës sepse, më shpjegon, flet gjithmonë me të gjithë: ‘Ka nga ata që janë sot në pushtet dhe nga ata që do të jenë nesër.’

Në vitin 2011 e ftuan në selinë e Partisë Laboriste, atëherë në opozitë, ku u takua me një grup politikanësh të rinj, duke përfshirë Keith Schembri, shefin e ardhshëm të kabinetit të kryeministrit Joseph Muscat. Për Kälin është një takim si shumë të tjerë: shkëmbim kartvizitash dhe prezantim të shërbimeve të kompanisë së tij. Ato janë të njëjta si ato për Saint Kitts dhe Nevis. Falë programit të pasaportave, Malta do të mund të marrë të ardhura shumë të larta, për qindra milionë.

Në mars 2013, Muscat erdhi në pushtet me një shumicë absolute. Ndër masat e tij të para ishte krijimi i një programi pasaportash. Më 4 tetor 2013, Muscat njoftoi miratimin e tij: programi u zhvillua, u zbatua dhe u tregtua nga ‘Henley & Partners’, të cilit iu besua gjithashtu edhe marketingu në mbarë botën.

Për Kälin, ofrimi i një pasaporte të BE-së është një sukses i jashtëzakonshëm. Së shpejti kompania e tij do trajtonte 40% të aplikacioneve në Maltë, ku ai hapi zyrat më të mëdha të tij. Deri më sot, Kälin ende e konsideron ‘Malta individual investor program’ si kryeveprën e tij. Dhe që nga ajo kohë, publikisht dhe para klientëve ka valëvitur flamurin europian, duke e reklamuar si ‘programin e vetëm për lëshimin e pasaportave të njohura nga Bashkimi Europian’. Vetë selia kryesore e Parlamentit Europian shfaqet në videot promovuese.

Në Maltë, ekipi i Kälin shkruan faturat, vendos rregullat për shqyrtimin e aplikacioneve dhe ngre një fond shtetëror, si ai në Saint Kitts, për të mbledhur 70% të të ardhurave dhe për t'i shpërndarë ato në mënyrë transparente. Nën presionin e opozitës, u vendos edhe një kufi maksimal prej 1800 pasaportash për një periudhë eksperimentale disavjeçare.

Si kompensim për shërbimet e saj, kompania e Kälin merr 4% të të ardhurave nga Malta për çdo kërkesë të suksesshme: prandaj, duke marrë parasysh kuotën minimale prej 650 mijë eurosh, 26 mijë euro për çdo shtetësi të dhënë. Përveç kësaj, Kälin gjithashtu fiton nga shpenzimet e ngarkuara për klientët. Kontrata mes Maltës dhe ‘Henley & Partners’ ishte fillimisht një kontratë sekrete, e cila ka shkaktuar jo pak indinjatë tek kritikët e tij. Megjithatë, me kalimin e kohës, shumë gjëra janë bërë më transparente dhe një version i ri i programit ka hyrë në fuqi që nga viti 2020.

Kontrata mes Maltës dhe ‘Henley & Partners’ ishte fillimisht një kontratë sekrete, e cila ka shkaktuar jo pak indinjatë

Sot, për këtë proces të natyralizimit: nuk është e nevojshme për një prani të përhershme në ishull, thjesht qëndrohet atje për një kohë të shkurtër kur të dorëzohet kërkesa dhe të merret pasaporta. Gjithashtu mjafton të keni një shtëpi me qira ose pronë të regjistruar si ‘rezidencë’.

Nga ana tjetër duhen shumë dokumente, duke filluar nga vlerësimi i një agjencie si ‘Henley & Partners’. Agjencitë përdorin, për shembull, ‘World Check’, një bazë të dhënash që ju lejon të kontrolloni nëse dikush është në listat e personave që i nënshtrohen sanksioneve, nëse ata kanë marrëdhënie të dyshimta ose përfaqësojnë një rrezik politik. Nëse dikush rezulton të jetë një rrezik në ‘World Check’, ndërmjetësit punësojnë agjenci hetimore për të përcaktuar nëse do të marrin përgjegjësinë për klientin.

Kjo pasohet nga një kontroll në bazat e të dhënave të agjencive si ‘Interpol’, ‘Europol’ dhe ‘Njësia e Inteligjencës Financiare’. Përveç kësaj, qeveria malteze ngarkon dy agjenci të pavarura private hetimore për të prodhuar dokumentacionin në lidhje me kandidatët.

Ekzaminimi i aplikimit përfshin mbledhjen e shumë informacioneve konfidenciale. Sipas vlerësimeve të Kälin, kompania e tij u ka sjellë shtetësinë dhjetëra mijëra milionerëve, secilit prej të cilëve i është dashur të zbulojë jetën e tij, duke zbuluar origjinën e pasurisë dhe biznesin potencialisht të ndjeshëm. Askush nuk di më shumë se ai për të pasurit: ‘Ne i njohim të afërmit e tyre, bankat e tyre, të dashurat dhe dashnoret e tyre, madje edhe fëmijët e tyre jashtëmartesor’.

Hapi i tretë është ndërmarrë nga ‘Community Malta Agency’ e ngarkuar me vlerësimin e korrektësisë dhe konsistencës së aplikimeve, veçanërisht në lidhje me origjinën e aseteve, si dhe paraqitjen e aplikantëve te ministri kompetent. Ata që kalojnë provimin paguajnë kontributin e tyre në fondin sovran të pasurisë. Më pas, emrat e shtetasve të rinj maltezë publikohen në gazetën zyrtare.

Image

E gjithë kjo transparencë ka pasoja: frikëson klientët të cilët vijnë nga shtete ku i ndalohet të kenë shtetësi të dyfishtë, si Arabia Saudite apo Kina. Midis 2014 dhe 2020, 23% e aplikimeve u refuzuan: kjo është shkalla më e lartë e refuzimit mes të gjitha programeve të shtetësisë, edhe pse pothuajse asnjë vend nuk publikon emrat e qytetarëve-investitorë apo shkallën e refuzimeve. Pavarësisht gjithçkaje, ndërmjetësit në sektor e konsiderojnë sistemin maltez si më të rreptë dhe më transparent, ndërsa sipas kritikëve ai është një portë për elitat e korruptuara.

Sistemin maltez për përfitimin e pasaportave sipas kritikëve është një portë për elitat e korruptuara

Pas fazës së parë të procesit, në fakt, aplikantët marrin një leje qëndrimi e cila i lejon ata të lëvizin lirshëm brenda Bashkimit Europian. Dhe nëse pasaporta e Shën Kitts dhe Nevis ishte e destinuar për elitat ekonomike të vendeve në zhvillim, ajo malteze, e cila kushton tre herë më shumë, u drejtohet atyre me një pasuri mesatare prej më shumë se tridhjetë milionë dollarë, të ashtuquajturit - ultra-high-net-worthindividual (persona me të ardhura neto ultra të larta) – dhe tërheq ata që vijnë nga vende si Rusia dhe Arabia Saudite, sepse ofron akses pa viza në më shumë se 185 shtete, lirinë për t'u vendosur në të gjithë Bashkimin Europian dhe të drejtën për të banuar në Zvicër. Me këtë pasaportë mund të shkosh pa problem në New York, Saint Moritz apo Londër dhe, nëse dëshiron, mund edhe të jetosh atje. Gjithashtu është mundësia për të hapur llogari bankare në vendet e Bashkimin Europian.

Sa kushton sot nënshtetësia europiane për një familje me katër anëtarë? Kërkoj një preventiv nga ‘Henley & Partners’: ‘Malta Express’, me kohë pritjeje të shkurtuara, - dymbëdhjetë muaj në vend të 36 muaj - kushton 1.221.999 euro, duke përfshirë kostot e shërbimit prej 160.000 euro. Për një person fillon nga 750 mijë euro. Shtetësia malteze ka patur sukses të madh në botën e të pasurve. ‘Në Maltë, me të gjitha paratë që kemi sjellë, kemi bërë një revolucion,’ më thotë Kälin me krenari, por në fakt ata kanë ngritur edhe një fole grerëzash.

10. Shpërthimi

Fati i buzëqeshi Kälin për shumë gjatë por, në kulmin e suksesit, ia ktheu shpinën. Në Maltë, Kälin-it iu desht të përballet me një kundërshtar të papritur: Daphne Caruana Galizia, gazetarja e vrarë më 16 tetor 2017. Në blogun e saj‘ Running Commentary’, Caruana Galizia shkruante mbi hetimin e saj për një çështje kaq të pabesueshme sa që shumica e mediave kryesore nuk e morën seriozisht: sipas saj, qeveria synonte ta kthente Maltën në një shtet mafioz.

I gjithë ishulli e njihte si Dafne. Në këtë vend me 500 mijë banorë, kishte ditë që blogu i saj arrinte të kishte 400 mijë vizitorë. E diplomuar në arkeologji, nënë e tre fëmijëve, Caruana Galizia drejtonte burimin më të madh dhe të pavarur të informacionit në Maltë. Që në fillim gazetarja është e bindur se ‘shit-blerja e nënshtetësive’ malteze është e paligjshme dhe se përbën një mashtrim ndaj votuesve. Asnjëherë nuk e ka pëlqyer ‘Henley & Partners’, që nga paraqitja e parë publike në Maltë në vitin 2013. Caruana Galizia bën kërkimet e saj dhe boton dhjetëra artikuj kritikë. Gazetarja i frikësohet korrupsionit dhe shitjes së vendit tek elitat shumë të diskutueshme. Ajo tregon se qindra miliona të mbledhura nga Malta deri në vitin 2016 përmes ‘Skemës së Pasaportave’ nuk janë transferuar kurrë në buxhet.

Caruana Galizia, gazetarja malteze e vrarë me bombë në makinë i frikësohet korrupsionit e shitjes së vendit tek elitat shumë të diskutueshme dhe mendonte se përbën një mashtrim ndaj votuesve.

Çka që e shqetëson më shumë gazetaren është rrjeti që Kälin po krijon bashkë me qeverinë. Falë kontakteve të tij, në fakt, avokati zviceran arrin të jetë shumë më tepër se një ndërmjetës. Në blogun e saj, Caruana Galizia dokumenton punën e Kälin: ku me një klauzolë kontraktuale ai siguroi pjesëmarrjen e eventeve reklamuese të ‘Henley & Partners’ në qeverinë malteze, të paraqitur si 'konferenca’. Herën e parë që kryeministri i Maltës, Muscat merr pjesë në një nga këto evente, në vitin 2013, Kälin e bën atë të takohet me një klient të veçantë: Ali Sadr Hashemi Nejad, i njohur thjesht si Ali Sadr, pasardhës i biznesmenit më të pasur iranian. Si një qytetar i Saint Kitts, Ali Sadr mund të bënte biznes ndërkombëtar duke anashkaluar sanksionet kundër Iranit dhe, menjëherë pas atij takimi me Muscat, ai hapi një bankë në Maltë, bankën ‘Pilatus’.

Caruana Galizia fillon të hetojë disa klientë të çuditshëm të ‘Pilatus’, duke zbuluar llogaritë e ‘17 Black’, një kompani e lidhur me qeverinë malteze, ku përfshihet Yorgen Fenech, sot në gjyq si nxitësi i dyshuar i vrasjes së gazetares. Çdo javë - dhe ndonjëherë edhe një herë në ditë - Caruana Galizia publikonte çfarë kishte zbuluar ose thjesht çfarë hamendësonte, ndonjëherë edhe duke gabuar. I shqetësuar për reputacionin e tij, Kälin i kërkon vazhdimisht të fshijë postimet. ‘Henley & Partners’ iu drejtua gjithashtu edhe firmës ligjore londineze ‘Mishcon de Reya’, e njohur për frikësimin e gazetarëve duke i kërcënuar ata me akuza. Caruana Galizia i përgjigjet duke publikuar disa emaile në të cilat Kälin bie dakord me Muscat dhe shefin e kabinetit të tij për hapat ligjorë që duhen ndërmarrë kundër saj.

Në maj 2017, Kälin përpiqet të tërheqë gazetaren në anën e tij dhe takon atë personalisht. Sipas tij, ajo do të kishte pranuar të fshinte disa postime, por kur firma ligjore londineze tentoi ta frikësonte sërish ajo kishte rifilluar sulmin. Se sa Kälin dhe gazetarja janë pajtuar vërtet, kjo nuk mund të dihet më. Gjithsesi, Caruana Galizia ka shkruar në blogun e saj se i kishte thënë Kälin se Malta nuk është Saint Kitts dhe se nuk mund të sillet si me një fuqi koloniale. Më datë 6 tetor 2017, ajo publikoi postimin e fundit mbi programin e dhënies së pasaportave dhe 10 ditë më vonë vdiq nga shpërthimi i një bombe të vendosur në makinën e saj.

Papritur, Kälin, një person diskret sëbashku me të gjithë sektorin e tij përfundojnë në qendër të vëmendjes, ndërsa në Maltë mbërrijnë nga e gjithë bota. Bashkimi Europian krijon një çmim Daphne për gazetarinë dhe lind një grup investigativ gazetaresk me emrin e saj. Rasti shkakton një ortek zbulimesh.

11. Kohë të vështira

Në vitin 2018, u zbulua një bazë e të dhënave e brendshme e ‘Henley & Partners’dhe shpejt u bë e qartë se kishte më shumë se një skandal, por në Europë askush nuk e vuri re. Që në vitin 2011, ‘Henley & Partners’ kishin ndihmuar Oluwaseun Ogunbambo, një mashtrues financiar nigerian, për të marrë nënshtetësinë e Saint Kitts dhe Nevis. Ndoshta ky nuk ishte qëllimi i Kälin. Në fakt, klientët e paskrupullt shfrytëzuan një të metë në sistemin ‘Henley & Partners’: ata anashkaluan kontrollet e sigurisë duke dërguar të afërm të pastër përpara dhe duke u paraqitur si ‘pjesëtarë të familjes’.

Në vitin 2014, FINCEN, agjencia amerikane që merret me krimet financiare, kishte ngritur alarmin për programin e pasaportave të vendin e Karaibeve, duke synuar mbi të gjitha praktikën e mos rrëfimit të vendit të lindjes së qytetarëve të rinj në pasaportat e paguara. Pas alarmit, qeverisë malteze iu desh të tërhiqte pesë mijë pasaporta.

Të gjitha liritë që ka marrë Kälin në Karaibe – ku ai ka krijuar programe pasaportash në disa ishuj që nga viti 2010 – tregojnë se titulli i lartë i ‘mbretit të pasaportave’ ishte më se i merituar. Në fillim të dekadës, ai kishte ndihmuar një mikun e tij Patrick Liotard-Vogt të merrte një pasaportë të Saint Kitts dhe Nevis, duke shkruar një letër rekomandimi me dorën e tij. Më parë, Kälin e këshilloi këtë personazh të jet-set zviceran që të ngrinte në këmbë social network-un e tij ‘A small world’, me seli në Zvicër. Më pas e ndihmoi edhe me investimet në Saint Kitts në biznesin e hoteleve. Liotard-Vogt është një shembull i aftësisë së Kälin për të bërë që rrjeti i tij i klientëve të mirë-shfrytëzohet.

Sipas raportimeve të ‘Fast Company’, ‘Guardian’ dhe ‘Tages-Anzeiger’, në Karaibe Kälin ka futur duart në fushatat elektorale: në të paktën dy raste, në shtetet ishullore të Saint Vincent dhe Grenadines dhe Saint Kitts e Nevis. Ai i dha bashkëthemeluesit të ‘Cambridge Analytica’, Alexander Nix, aktiv në ato kohë dhe më vonë i njohur për bashkëpunimin e tij me Donald Trump, kontakte investitorësh për t'u përfshirë si donatorë të mundshëm. Kälin afirmon se programi i pasaportave nuk ka qenë kurrë në rrezik dhe rithekson se ka marrëdhënie të mira me opozitën.

Sipas raportimeve të ‘Fast Company’, ‘Guardian’ dhe ‘Tages-Anzeiger’, në Karaibe Kälin ka futur duart në fushatat elektorale

Edhe në Maltë, mediat kanë zbuluar disa qytetarë të rinj me të kaluar të dyshimtë: kryesisht rusë me shumë pushtet dhe shumë para. Për shembull, ish-CEO i Bankës Ruse ‘Alfa’, themeluesi i gjigantit dixhital ‘Yandex’ ose CEO i grupit ‘Beluga’, një kompani lider në sektorin e alkolit. Një pjesë e madhe e elitës ruse – si kundërshtarë ashtu edhe aleatë të Vladimir Putinit – i kanë blerë vetes aksesin në Bashkimin Europian.

Që në fillim, 40% e blerësve të pasaportave në Maltë ishin rusë. Dy familje biznesi saudite morën 62 pasaporta njëherazi, pavarësisht se Arabia Saudite e ndalon shtetësinë e dyfishtë. Madje, një anëtar i familjes mbretërore saudite ka arritur të bindë kreun e qeverisë malteze që të mos e publikojë emrin e tij, siç e kërkon ligji.

Në fund të vitit 2019, ekzekutivi i Muscat ra në akuza për korrupsion që përfshinin shefin e tij të kabinetit, lidhjet e Keith Schembri me firmën financiare ‘17 Black’, me të cilën ishte marrë edhe Caruana Galizia, si dhe çështjet që lidhen me rolin e ‘Schembri’ në vrasjen e gazetares.

Ndoshta ata kanë punuar herë pas here për ndonjë ‘djalë të keq’, më shpjegon Kälin, por përsëri, këto janë gjëra ndodhin në çdo lloj pune. E njëjta gjë ndodh me bankat: mes mijëra klientëve fshihen gjithmonë disa mollë të këqija.

Ligjërisht Kälin nuk është përgjegjës për natyralizime, duke qenë se, për të qenë të saktë, ‘Henley & Partners’ është vetëm një firmë ndërmjetësimi. ‘Konsulentët bëjnë konsulencën, por shtetet vendosin’, shpjegon Kälin.

Por nëse një shtet fiton reputacion si një vend që pret njerëz të dyshimtë, qytetarët paguajnë pasojat: udhëtimi bëhet më i ndërlikuar, sepse nuk ka përjashtime nga vizat. Dhe më pas transfertat ndërkombëtare bëhen më të komplikuara, sepse institucionet si OECD apo Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke dyshuar se aty pastrohen para të pista, e fusin vendin në listën gri apo të zezë. Flukset financiare janë të kufizuara dhe pagesat nga vendi në fjalë i nënshtrohen kontrolleve më të forta apo edhe mund të ndalohet kalimi. Në vitin 2021 Malta përfundoi përkohësisht në ‘listën gri’.

12. Bashkimi Europian bëhet mur

Rasti i pasaportave ka krijuar një sërë problemesh të cilat kanë nxitur kritika në Parlamentin Europian. Qëkur programi u krijua në Maltë, në Europë ishte krijuar një front kundërshtar, i cili fillimisht kishte korrur shumë pak sukses për çështjen. Bashkimi Europian ka dekada që publikon të ashtuquajturën shtetësi europiane, njëfarë çmimi për qytetarët, një lloj përditësimi i pasaportave të vendeve anëtare: lëvizja e lirë e personave, e drejta e qëndrimit, e drejta e votës, ndalimi i diskriminimit dhe këtu vijnë ndërmjetësit e pasaportave që ofrojnë të njëjtat avantazhe për rreth një milion euro.

Rasti i pasaportave ka krijuar një sërë problemesh të cilat kanë nxitur kritika në Parlamentin Europian

Prandaj, tashmë në janar 2014, d.m.th kur filloi programi i pasaportave të Maltës, nënkryetarja e atëhershme e Komisionit Europian, Viviane Reding deklaroi: ‘Shtetësia nuk mund të vihet në shitje’. Koheziv në mënyrë të pazakonshme, Parlamenti Europian miratoi, me 88% të votave ‘pro’, një rezolutë kundër pasaportave të arta, e cila kërkonte që natyralizimi të ishte i arritshëm vetëm nëse ekziston një lidhje e vërtetë me vendin në fjalë.

Në këtë pikë lindi pyetja se çfarë duhet të kuptohet me ‘lidhje e vërtetë’, një pyetje e diskutueshme prej kohësh në të drejtën kushtetuese. Në fakt, janë vetë shtetet që vendosin se kush është shtetasi i tyre: është prerogativë e tyre sovrane. Formalisht, vetëm Komisioni Europian mund të vendoste detyrime për shtetet anëtare në këtë çështje, por ky organ përbëhet nga përfaqësues të qeverisë, të cilët nëse do të përpiqeshin të vendosnin kufij për shtetësinë kombëtare, do të qëllonin veten në këmbë. Çështja është delikate.

Kështu në Bruksel është ndezur një konflikt mes parlamentit dhe komisionit. Ngërçi zbuloi mungesën e demokracisë në zemër të Europës. Parlamenti, organi që përfaqëson popullin, nuk është sovran: ai ka kompetenca të kufizuara. Pas hetimeve të shumta, në mars 2019, Komisioni Europian caktoi një grup ekspertësh për të studiuar rreziqet që lidhen me shtetësinë e marrë nëpërmjet një investimi.

Image

Gjërat ndoshta do të kishin vazhduar kështu për një kohë të gjatë nëse, në gusht të 2020, disa gazetarë të ‘Al Jazeera’ nuk do të kishin zbuluar sesi programi i pasaportave të Qipros ishte i depërtueshëm ndaj korrupsionit. Kälin nuk ishte i përfshirë, por edhe këtu kompania veproi si ndërmjetës. Me kërkesën prej 2.15 milionë euro për dhënien e nënshtetësisë, Qiproja ishte shumë më e shtrenjtë se Malta, megjithatë ishte më e popullarizuara nga kinezë dhe rusë: natyralizimet ishin pothuajse shtatë mijë, katër herë më shumë se ato malteze.

‘Al Jazeera’ zbulon se si programi i pasaportave të Qipros ishte i depërtueshëm ndaj korrupsionit

Në Qipro, një vend anëtar i Bashkimit Europian, ka lagje të tëra ruse: Limassol është bërë Limassolgrad. Dhe, ashtu si në Saint Kitts dhe Nevis, hotelet luksoze kanë lindur me emigracionin e investitorëve. Në vitin 2019, këto flukse monetare përbënin 4.5% të PBB-së së ishullit.

Duke përdorur kamera të fshehta, ‘Al Jazeera’ filmoi agjentët e pasaportave, agjentët e pasurive të paluajtshme dhe presidentin e parlamentit qipriot duke marrë ryshfet. Më pas, një komision hetimor gjeti gabime procedurale në më shumë se gjysmën e kërkesave për natyralizim të shqyrtuara, duke çuar në tërheqjen e dhjetëra pasaportave dhe ndonjëherë edhe të shtetësive përkatëse. Në atë moment, në shtator 2020, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen deklaroi se: ‘Vlerat europiane nuk janë në shitje’. Procedurat e shkeljes u nisën kundër Qipros dhe Maltës dhe qipriotët ngrinë programin, duke ndaluar pranimin e klientëve të rinj.

Mes 2020 dhe 2021, pandemia paralizoi trafikun ajror dhe aktivitetet e shumë institucioneve në mbarë botën. Ndërmjetësuesit nuk kanë mundur më të ofrojnë pasaporta për klientët e tyre, duke krijuar lista pritjeje, ndërkohë që politika e Kinës për zero-covid dhe kontrolli në rritje i autoriteteve të Pekinit mbi qytetarët kanë bërë që kërkesa kineze të bjerë në zero. Biznesi, siç më shpjegon Kälin, ka rënë me 70%.

Më 24 shkurt 2022, Rusia pushtoi Ukrainën. Pas vetëm dy ditësh, më 26 shkurt, Shtëpia e Bardhë, në një deklaratë të përbashkët me Komisionin Europian, Francën, Gjermaninë, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë, kërkuan pezullimin e shitjes së shtetësive për rusët. Vendet në qendër të kësaj praktike janë vënë nën kritika. Në qershor, Zvicra rivendosi kërkesat për viza për qytetarët e Vanuatu-s që kishin marrë pasaporta pas vitit 2015, ndërsa Bashkimi Europian kishte bërë të njëjtën gjë në mars. Bullgaria gjithashtu ndërpreu programin e saj për lëshimin e pasaportave.

Austria, nga ana tjetër, ka arritur të qëndrojë larg gjithçkaje, sepse programi i saj për pasaporta nuk është bërë asnjëherë zyrtar. Mbeti vetëm Malta. Në një video-mesazh të datës 10 maj 2022, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj i kërkoi parlamentit maltez të tërheqë pasaportat e arta nga rusët dhe të sekuestrohen pasuritë e tyre. Malta ka vendosur të mos vazhdojë me natyralizime të reja të shtetasve rusë dhe bjellorusë (me një fluks pasues të rusëve në Turqi), por ka refuzuar të braktisë programin e pasaportave. Më 29 shtator 2022, Komisioni Europian më në fund vendosi të padisë Maltën përpara Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian. Tetë vjet pas suksesit të tij më të madh, Kälin dukej se i kishte ardhur fundi. Apo ndoshta jo?

13. Në Forumin Ekonomik Botëror

Një mëngjes maji të vitit të shkuar (2022) marr pjesë në punimet e Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në Davos, Zvicër, ku Kälin më ftoi, sepse ai dëshironte të më tregojë se biznesi i tij i nënshtetësisë nuk është aspak në fund, por është gati të regjistrojë një bum të ri. Kjo është arsyeja pse ai më lejon të dëshmoj disa negociata sekrete. Së pari, megjithatë, ai më bën të nënshkruaj një marrëveshje konfidencialiteti, një marrëveshje moszbulimi, e cila më ndalon të tregoj se me kë kam folur në ato dy ditë.

Takohemi në hotelin ‘Hard Rock’ në Davos. Kälin siguroi disponueshmërinë e një tryeze të rrumbullakët në restorant për disa ditë. Si gjithmonë ai e ka spilën e tij të fiksuar në xhaketë.

‘Dikur kishim një stendë në WEF’, më rrëfen Kälin, ‘por më pas kuptova se nuk kishim nevojë për një të tillë. Janë qeveritë që vijnë tek unë’. Në Londër ai gjithmonë pret përfaqësues në të njëjtin hotel; në Zyrih, nga ana tjetër, kryeministrat i bashkohen në një kafene me tavolina të konceptuara si bilardo. ‘Ne jemi një kompani mjaft e vogël, vetëm katërqind punonjës, por llogaritemi si një grup i madh’. Në të vërtetë, përfaqësuesit e qeverisë vijnë njëri pas tjetrit. Çdo gjysëm ore shërbehen gjëra të ndryshme: kafe, sallatë me avokado, hamburger. Së pari, Kälin u dorëzon të ftuarve të tij vëllimin promovues që ai ka shkruar dhe botuar, ‘Residence & citizenship programs. Government advisory’, i ilustruar me portrete të klientëve dhe anëtarëvetë qeverive të ndryshme. Është gjithmonë e njëjta histori: kryeministrat, krerët e kabinetit apo ministrat e jashtëm të shteteve të vogla që ndjekin paratë për të rimbushur buxhetet.

Kälin kryen dredhinë e tij matematikore: 600-700 pasaporta në vit, shpjegon ai, janë 150 milionë në investime direkte dhe 300 për tregun e pasurive të paluajtshme. Një klient potencial i mirëinformuar pyet për Maqedoninë e Veriut: natyralizimi është gjithashtu i mundur atje, por kush janë qytetarët e rinj që vijnë në vend? Kinezët dhe aziatikët kryesisht, përgjigjet një bashkëpunëtor, por programi është i ri dhe të dhënat e pakta. Të gjithë pohojnë me kokë. Askush nuk ka shqetësime morale, por të gjitha qeveritë kanë frikë të përfundojnë në listat gri ose të përjashtohen nga aleancat dhe bashkimet e shteteve. ‘Duhen vetëm dhjetë raste problematike që i kanë shpëtuar kujdesit të duhur dhe Bashkimi Europian do të fillojë ushtrojë presion’ shpjegon Kälin. ‘Megjithatë, BE lejon të hyjnë qindra mijëra emigrantë në vit pa kryer asnjë kontroll dhe pa u shqetësuar’.

Askush nuk ka shqetësime morale, por të gjitha qeveritë kanë frikë të përfundojnë në listat gri ose të përjashtohen nga aleancat dhe bashkimet e shteteve

Kälin është në terrenin e tij: ai e ka gjithmonë gati zgjidhjen. Në një rast, ai rekomandon riemërimin e programit të pasaportave, duke e shitur atë si një nismë kushtuar talenteve dixhitale. Në një tjetër ai përpiqet të kuptojë nëse një person kritik që punon për OSBE paraqet një rrezik real. Kälin i njeh kundërshtarët e tij. Dhjetë nga bashkëpunëtorët e tij udhëtojnë gjatë gjithë vitit për t'u lidhur dhe mbajtur kontakte me qeveri të ndryshme.

Kur u largua ministri i fundit i jashtëm, Kälin ishte i kënaqur: ‘Ne e kemi vënë në lojë këtë vend për njëzet vjet, si tigri me antilopën’.

Papritur, në pasditen e ditës së dytë, pas një takimi mjaft zhgënjyes ku një kryeministër nuk u paraqit në takim, e shoh tek kërcen nga gëzimi: ka marrë lajm nga një vend i madh. Këtë herë ne jemi ata që do të shkojmë ti takojmë: drejtohemi shpejt drejt ‘Dorfstrasse’ në Davos dhe hyjmë në një ambient që duket si një dyqan. Na presin në një si tip dhome të pasme. ‘Më sill atë miliard’, thërret ministri i një shteti europian teksa hyn Kälin. ‘Unë jam fansi numër një i projektit tuaj, me të vërtetë, fansi numër një! Ne duam absolutisht programin tuaj në vendin tonë.’ Kalin buzëqesh! ‘Por problemi ynë’, vazhdon ministri, ‘është kreu i qeverisë. Dhe problemi ynë i vërtetë janë qipriotët’. Bëhet fjalë për incidentet e korrupsionit të filmuara nga ‘Al Jazeera’. Ulemi dhe ministri i shikon me dëfrim të pranishmit: ‘Me pak fjalë u pa se çfarë bënin: këshillonin njerëzit, kriminelët, të ndryshonin emrat! Është e gjitha në video!’

Shoqëruesit e tij shpërthyen së qeshuri. Do të shohim nëse qipriotët do të detyrohen të paguajnë dhe sa do të jetë gjoba. ‘Por jo, nuk do të duhet të paguajnë...’.

Kälin e peshon pyetjen duke lënë përshtypjen e dikujt që di. Ministri e ndërpret: ‘A e di çfarë mendoj? Ne nuk prodhojmë makina, por kemi një cilësi të caktuar jete për të ofruar. Më bëj nderin të na sillni disa miliarderë, të vendosen direkt në vila’.

Kälin dëshiron të dalë direkt në temë dhe kur fillon të shpjegojë planin e tij për të krijuar programin e ri, ministri tund kokën: ‘E gjithë kjo nuk na ndihmon të kalojmë Qipron’. Kälin duke u mbështetur në shpindoren e kolltukut i përgjigjet: ‘Ne jemi duke negociuar me dy vende të tjera të BE.’ Ministri shfryen: ‘Nëse Austria do të ofronte një program të tillë, bashkë me ne dhe dy vende të tjera, mirë, atëherë po, gjithçka do të ndryshonte!’.

‘Pikërisht’ përgjigjet Kälin. ‘Në këtë pikë, Bashkimi Europian duhet të dorëzohet’.

14. Njeriu i Kälin në Bruksel

Pak përpara se Bashkimi Europian të vendosë ta çojë Maltën në gjykatë, e pyes Kälin nëse ai është i shqetësuar për punët e tij, duke qenë se Komisioni sapo i ka dërguar kërkesa zyrtare Maltës dhe Qipros për të respektuar ligjin e BE-së, si hap para procesit. Kälin përgjigjet në mënyrë të paqartë dhe kujtohem se në listën e ekspertëve ligjorë që më dërgoi ishte miku i tij Dimitry Kochenov, me të cilin më lidhi me rastin e një konference në Bruksel. Kochenov duket si Ajnshtajni me flokë të kuqe: ai vesh kostume me papijonë me ngjyra, konsiderohet një gjeni i të drejtës kushtetuese europiane dhe urren pasaportat. Ai mban konferenca dhe boton libra për të shpjeguar se shtetësia është një koncept racist.

‘Mirëqenia jonë materiale varet nga shtetësia e lindjes më shumë se çdo gjë tjetër’, më tha kur e takova në një kongres të ndërmjetësve të pasaportave, ku mbajti një fjalim nxitës. Koçenov është babai shpirtëror i agjentëve të pasaportave, të cilët e adhurojnë sepse ai e sheh pozitivisht modelin e tyre të biznesit. Ai e krahason shtetësinë me një martesë të detyruar, një formë skllavërie. Dhe çdo ikje nga një detyrim i tillë, sipas tij, është një gjë e mirë.

Kälin është njohur me Kochenov në vitin 2011, në aeroportin e Zyrihut. Ata të dy ishin nisur për në Maltë: qeveria e Valettës donte të dinte nga Kochenov nëse programi i nënshtetësisë së investitorëve që ai do të niste shkelte ndonjë rregull. Sipas tij, nuk  thyente asnjë prej tyre. Që atëherë, Kälin dhe Kochenov janë bërë miq. Në vitin 2020 ata publikuan indeksin e cilësisë së kombësisë (qni), një tregues i ndërtuar për të vlerësuar shtetësinë bazuar në faktorë si liria e lëvizjes ose iniciativa ekonomike.

Por në vitin 2021 kritikat e rënda për shkak të pjesëmarrjes në programin e dhënies së pasaportave malteze e detyruan atë të largohej nga universiteti holandez ku jepte mësim. Tani punon në Universitetin e Europës Qendrore në Vjenë, Austri.

Kochenov më shpjegoi pse Komisioni Europian nuk ka gjasa të jetë në gjendje të kufizojë shitjen e shtetësive të menaxhuara nga shtetet anëtare. Bashkimi Europian, më shpjegoi ai, përbëhet nga shtete sovrane dhe t'u heqësh atyre mundësinë e ‘formësimit’ të popullit të tyre, do të thotë të mohosh shtetësinë e tyre, të mohosh vetë thelbin e sovranitetit popullor. Dhe, me pak fjalë, pa shtete sovrane nuk ka asociacion shtetesh, e kështu nuk ka edhe Bashkimi Europian.

Çështja e shtetësisë favorizohet pikërisht nga ky boshllëk i së drejtës ndërkombëtare. Por Koçenov kishte edhe më shumë për të thënë. ‘Unë kam një mik të mirë që punon për këtë në Komision. Nëse të intereson një këndvështrim i brendshëm, unë mund të vë në kontakt me të.’

Me pak fjalë, Kochenov, konsulenti i Kälin, ka marrëdhënie të drejtpërdrejta me organin rregullator të sektorit: Departamentin e Drejtësisë të Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Europian. Natyrisht që isha i interesuar!

Të nesërmen, fola ‘në Zoom’ me mikun e Kochenov-it, një avokat që shkruan rregulloret europiane në Drejtorinë e Përgjithshme të drejtësisë dhe konsumatorëve të Komisionit (Dg Just). A është edhe për këtë arsye që Kälin e përballon me kaq qetësi veprimin ligjor të Bashkimit Europian?

Konsulenti i Kälin, ka marrëdhënie të drejtpërdrejta me organin rregullator të sektorit: Departamentin e Drejtësisë të Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Europian

U bëra kurjoz dhe kërkova e gjeta emrin e tij në dokumentet e ‘Henley & Partners’ e publikuar me rrjedhjen e lajmeve: në vitin 2017 bordi i drejtorëve të ‘Henley & Partners’ e kishte punësuar atë si ‘konsulent për çështjet e këshillimeve qeveritare’. Gjeta edhe një  pagesë në favor të tij, por vetëm për nëntëqind euro.

Shfletoj ‘Government Advisory 2018’, librin e bardhë që Kälin u shpërndan qeverive gjatë konsultimeve. Në të vërtetë, punonjësi i Komisionit Europian shfaqet si anëtar i ‘Government Advisory’ të ‘Henley & Partners’, i plotësuar me biografi dhe foto. Por as në profilin e tij në Bashkimin Europian dhe as në faqen e tij në LinkedIn nuk ka asnjë gjurmë të bashkëpunimit me ‘Henley & Partners’, aq më pak mbi shkëmbimin e  informacionit mes zyrtarit europian dhe kompanisë. Është vetëm një tjetër dëshmi se sa me influencë është rrjeti i Kälin. Më 29 shtator 2022, Komisioni Europian vendos të padisë Maltën.

15. Më shumë kriza, më shumë pasaporta

Sipas vlerësimeve të Kristin Surak, sociologe në London School of Economics, çdo vit në botë fitohen rreth 25.000 shtetësi në këmbim të parave. Kälin fillon të ketë njëfarë konkurrence: kompani të reja të specializuara vijnë në treg, të tilla si ‘Arton Capital’, ‘Latitude’, ‘CS Global Partners’ dhe ‘Apex Capital Partners’. Ekzistojnë gjithashtu kompani të mëdha konsulence si ‘PwC’. Askush nuk e di saktësisht se sa fryte jep ndërmjetësimi për vizat dhe pasaportat. Sipas IMC, shoqata e këtij sektori e bashkëthemeluar nga Kälin, qarkullimi vjetor arrin në njëzet miliardë dollarë.

Surak beson se aktualisht rreth 70 vende shesin leje qëndrimi – të ashtuquajturat rezidenca me investim – duke përfshirë katërmbëdhjetë shtete anëtare të Bashkimit Europian. Ata që ofrojnë shtetësi – shtetësi me investim – do të ishin ‘më së shumti njëzet e dy’.

Italia ofron një ‘Dolce Visa’, ndërsa që nga viti 2012 më shumë se njëmbëdhjetë mijë investitorë kanë blerë vizën e artë portugeze, e cila kushton gjysmë milioni euro. Më shumë se dy të tretat e blerësve ishin kinezë, të ndjekur nga disa qindra turq. Megjithatë, në realitet, mund të jenë rusët ata që së pari blenë një pasaportë turke dhe më pas, falë kësaj, një vizë portugeze, një kombinim që ‘Henley & Partners’ ua rekomandon shumë klientëve të saj.

Pastaj ka miliona njerëz që falë paraardhësve të tyre europianë – për disa vende deri në brezin e tretë – kanë të drejtë, të paktën teorikisht, të marrin nënshtetësinë. Pavarësisht vendimit që do të marrë Gjykata e Drejtësisë, dyert e Europës do të mbeten të hapura për ata që kanë para të mjaftueshme.

Të pasurit po shkëputen nga regjimet autoritare, si Kina ose nga demokracitë e rrezikshme si Hong Kongu, India dhe Brazili. Me luftën në Ukrainë, trendi është forcuar. Një studim i ‘Henley & Partners’ vlerëson se në gjysmën e parë të vitit 2022, 15.000 nga rreth 100.000 milionerët e Rusisë janë larguar nga vendi i tyre, ndërsa Ukraina ka humbur 42 % të super të pasurve të saj.

Megjithatë, kohët e fundit, gjithnjë e më shumë klientë vijnë nga Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Sërish sipas ‘Henley & Partners’, pas Brexit Mbretëria e Bashkuar ka humbur mijëra milionerë. Ndërsa, klientët amerikanë, më shpjegon Kälin, janë shpesh demokratë që kanë frikë për stabilitetin e vendit.

Jo vetëm kaq: në tetor 2022 ‘New York Times’ zbuloi se Peter Thiel, një sipërmarrës i teknologjisë së lartë dhe financues i eksponentëve radikalë të Partisë Republikane, po pret gjithashtu një pasaportë malteze. Gazetari Ryan Mac gjurmoi apartamentin në Valletta ku Thiel pretendonte se banonte në Airbnb.

Fakti që edhe kjo lloj klientele e sheh shtetësinë rezervë si një formë të përshtatshme sigurimi, mund të jetë një tregues që elitat po humbasin besimin në të ardhmen e shteteve kombëtare. Ose ndoshta mund të provojnë se filozofia postkombëtare e Kochenov-it, e cila do të donte të ndante shtetësinë nga mëmëdheu, shteti dhe kultura nuk është më margjinale. ‘Ne jemi turqit e së nesërmes’, këndonin në mënyrë profetike grupi gjerman i muzikës elektronike ‘Daf’.

Kur e pyeta nëse Thiel është klienti i tij, Kälin nuk komentoi. Por ai ka përvojë me kompanitë e teknologjisë: siç shihet nga dokumentacioni i mbajtur nga ‘Das Magazin’, që në vitin 2012 ‘Henley & Partners’ morën nënshtetësinë e Saint Kitts dhe Nevis për Pavel Durov, themelues dhe zhvillues i aplikacionit të mesazheve Telegram, i cili ishte kthyer kundër shërbimeve sekrete ruse. Në Instagram, Durov tregon jetën e tij në jet set, duke e quajtur veten një qytetar ligjor i botës. Durov ka marrë dy shtetësi që nuk mund të blihen: atë franceze dhe atë të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Durov ka marrë dy shtetësi që nuk mund të blihen: atë franceze dhe atë të Emirateve të Bashkuara Arabe

Në shumë artikuj kritikë për programet e pasaportave, harrohet se qytetarët janë kryeqyteti i vërtetë i një shteti: të kesh lidhje me njerëz veçanërisht me ndikim mund të jetë një sukses për një shtet, një lëvizje e rëndësishme gjeopolitike.

Nga fundi i vjeshtës 2022, humori i Kälin është i shkëlqyeshëm: ai pret hyrje parash rekord dhe qeveria e re italiane e krahut të djathtë e udhëhequr nga Giorgia Meloni e bën të shpresojë për mirë. Ata janë pragmatikë, dëshirojnë një ‘emigrim pozitiv’. Në nëntor shkon në Romë.

Kälin udhëton gjithmonë shumë, shkon në Shqipëri, Mal të Zi. Ai shpreson të krijojë programe të reja për lëshimin e pasaportave në Ballkan. Pasi më ofroi ta shoqëroja në Afrikë: ‘Henley & Partners’ po zgjerohet në Kenia, Nigeri dhe Afrikën e Jugut. Goditjen tjetër do të donte ta bënte atë në Afrikën e Veriut. Ai do të donte t'i jepte jetë qytetit global të Andanit, një qytet-shtet sovran i destinuar të mirëpresë refugjatët që askush nuk i do dhe që nuk mund të blejnë shtetësi. Me pak fjalë, Kälin dëshiron të themelojë një shtet. Me pasaporta të gjitha të tijat.

Tashmë ai imagjinon të veprojë edhe si ndërmjetës për marrjen e nënshtetësisë zvicerane. Për momentin, kërkesa për leje qëndrimi nga shtetas të pasur joeuropianë ndjek një proces ‘të ndërlikuar dhe jo transparent’ dhe duhet të kultivohen kontaktet me institucionet vendore. Sipas Kälin, një program natyralizimi mund t'i fitojë Zvicrën miliarda.

Natyrisht, më shpjegon ai, pasaporta zvicerane duhet të jetë më ekskluzive në botë. Çmimi? Të paktën dhjetë milionë franga. Me ato para mund të garantohen pensionet p.sh. ‘Ne duhet të propozojmë një ligj për nismën popullore’./'Internazionale'- Përgatiti në shqip për Syri.net Jerina Luka

Hannes Grassegger është një gazetar investigativ zviceran. Ai drejton faqen e lajmeve ‘Polaris’.           

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco