Rusia raporton për sulme me dronë në bazën e saj Detin e Zi dhe Krime

Rusia raporton për sulme me dronë në bazën e saj Detin e Zi dhe Krime

10:11, 04/08/2023
A+ Aa A-

Ushtria ruse ka thënë se i ka zmbrapsur sulmet me dronë në bazën më të madhe detare në Detin e Zi dhe në Gadishullin ukrainas të Krimesë, të aneksuar ilegalisht nga Moska.

Megjithatë, si pasojë e sulmeve, autoritetet kanë thënë se është ndaluar përkohësisht qarkullimi në një prej porteve më të mëdha komerciale të Rusisë.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë më 4 gusht se dy dronët detarë e kanë sulmuar gjatë natës bazën Novorosisk në Detin e Zi.

“Anijet janë identifikuar dhe janë shkatërruar nga anijet ruse që e kanë ruajtur bazën”, ka thënë ministria ruse përmes një deklarate.

Agjencia ruse e lajmeve RIA, e ka cituar guvernatorin e rajonit Krasnodar, Veniamin Kondratyev të ketë thënë se nuk ka raportime për viktima dhe dëme nga sulmi në Novorosisk.

Mininistria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar t’i ketë rrëzuar edhe 13 dronë në Gadishullin e Krimesë, dhe nuk ka raportuar për viktima.

Sulmet në dhe rreth Detit të Zi janë rritur prej kur Rusia ka refuzuar të vazhdojë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, që i ka mundësuar Ukrainës ta transportojë grurin përmes detit.

Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se në lindje të shtetit janë duke u zhvilluar luftime “shumë mizore”.

“Pushtuesit janë duke tentuar t’i ndalojnë djemtë tanë në çdo mënyrë, Sulmet janë shumë mizore”, ka thënë Zelensky, duke shtuar se është “vështirë gjithandej”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco