Sirenat e alarmit në të gjithë Ukrainën, bombardohet Kievi,Putin shkarkon gjeneralin

Sirenat e alarmit në të gjithë Ukrainën, bombardohet Kievi,Putin shkarkon gjeneralin

12:05, 13/07/2023
A+ Aa A-

Rusia reagon me furi ndaj rezultatit pozitiv të Ukrainës në samitin e NATO-s. Ushtria e Vladimir Putin ka lëshuar një breshëri sulmesh ajrore, duke shënjestruar disa rajone, përfshirë Kievin.

Sirenat e alarmit janë dëgjuar në të gjithë Ukrainën, me forcat ruse që përdorën një sërë raketash Kalibr nga mjete luftarake të vendosura në det. Nga sulmi në Kiev raportohen viktima dhe disa të plagosur. Raketat dhe dronët e lëshuar kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, pavarësisht aktivizimit të mbrojtjes ajrore.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, hodhi poshtë raportimet e disa mediave se mund të zhvillohen bisedime për paqen mes Moskës dhe Kievit, gjatë këtij muaji. Kryediplomati i Putinit vijoi më tej duke lëshuar dhe një paralajmërim për aleancën perëndimore.

“Vetë fakti i shfaqjes në Ukrainë të avionëve luftues F-16, të aftë për të mbajtur armë bërthamore, do të konsiderohet nga Rusia si një kërcënim nga Perëndimi në sferën bërthamore”, tha Lavrov gjatë një samiti në Indonezi.

Ministri shtoi se për këtë ka njoftuar fuqitë nukleare si Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Francën, të cilat i akuzoi se “bashkë me NATO-n po rrezikojnë një përplasje të drejtëpërdrejtë me Rusinë”, që sipas tij, do të përfundonte me “pasoja katastrofike”.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u kthye në atdhe me rezultate tepër të mira nga samiti i NATO-s. Ai përmendi armatimet e reja që ushtria e tij do të marrë nga aleanca, por edhe garancitë konkrete të sigurisë, si ndërtimi i triadës mbrojtëse, të premtuar nga vendet e G7-s. Megjithatë konfirmoi se nuk do të bëjë asnjë kompromis apo lëshim territorial në këmbim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO. “Nuk do të dorëzojmë qoftë edhe një fshat në të cilin jeton vetëm një gjysh”, tha Zelensky.

Ndërkohë, në Rusi nuk kanë fund shqetësimet për presidentin Vladimir Putin. Një gjeneral i lartë rus që komandonte forcat ushtarake në Ukrainën jugore të okupuar është shkarkuar papritmas nga posti i tij pasi akuzoi udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes të Moskës se kishte tradhtuar trupat e tij duke mos ofruar mbështetje të mjaftueshme.

“Atyre në Kremlin nuk u pëlqen e vërteta”, tha gjenerali Ivan Popov, i angazhuar në Zaporizhzhia, duke konfirmuar se në fushën e betejës shumë ushtarë rusë po vriten dhe plagosen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco