Luftimi i propagandës ruse, sfida e madhe e Moldavisë. Çfarë përfshin fushata dezinformuese?

Luftimi i propagandës ruse, sfida e madhe e Moldavisë. Çfarë përfshin fushata dezinformuese?

09:13, 19/06/2023
A+ Aa A-

Një video që pretendonte se shfaqte grumbullimin e ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të Rumanisë në kufi me Moldavinë, shpejt ra në sytë e mediave pro-ruse dhe u shpërnda gjerësisht në Telegram dhe Twitter në shkurt të këtij viti.

Videoja, megjithatë, nuk shfaqte grumbullimin e ushtarëve rumunë pranë kufirit me Moldavinë. Pamjet ishin marrë nga një paradë ushtarake rumune e mbajtur muaj më parë në Alba Iulia, një qytet në rajonin rumun të Transilvanisë, që gjendet qindra kilometra larg kufirit me Moldavinë.

Pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Kremlini është përqendruar në lojën e dezinformatave, thanë ekspertët, duke përdorur mediat tradicionale dhe ato sociale, si dhe mjete të tjera, për të ndryshuar narrativin në të mirë të tij, teksa po përballet me dënim global për shkak të agresionit të tij.

Moldavia – një prej shteteve më të varfra të Evropës – duket se është në krye të listës së Kremlinit për të bërë propagandë. Për të kundërshtuar këtë, Kishinievi fillimisht ndaloi programet ruse të lajmeve dhe disa muaj më vonë bllokoi transmetimin e disa kanaleve televizive. Së fundi, Maia Sandu, presidentja pro-Perëndimore e këtij shteti, propozoi krijimin e një qendre shtetërore për të monitoruar dezinformimin dhe propagandën ruse, duke thënë se gënjeshtrat e shpërndara përmes televizioneve dhe mediave sociale ishin “arma më e rrezikshme”.

Fushata dezinformuese duket se është një anë e asaj që ekspertët thanë se ka qenë një fushatë e koordinuar nga Kremlini kundër Moldavisë, ish-republikës sovjetike me 2.6 milionë banorë, që kufizohet me Ukrainën. Zyrtarët amerikanë dhe të tjerët kishin paralajmëruar se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk i ka sytë vetëm në Ukrainë, por edhe në Moldavi, që gjendet në një pozicion strategjik. SHBA-ja ka shprehur shqetësim edhe për pothuajse 2.000 trupa ruse të dislokuara në rajonin e shkëputur moldav të Transnjestërit.

Në shkurt, Sandu publikisht akuzoi Rusinë se po bënte komplot për të rrëzuar Qeverinë e saj. Ky pretendim disa ditë para Sandus u bë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Njoftimi i presidentes moldave u pasua me dorëheqjen e kryeministres moldave, Natalia Gavrilita, e cila fajësoi krizën e shkaktuar nga Rusia, përfshirë edhe “shantazhin përmes furnizimeve me energji”. Presidentja moldave bën thirrje për “vigjilencë” pas zbulimit të planit rus për “shkatërrimin e shtetit”. Qeveria moldave po përballej me një valë protestash, gjerësisht të organizuara nga partia pro-ruse, Shor, lideri i së cilës, Ilhan Shor, është një oligark moldav në arrati, që është i lidhur me një rast të mashtrimit bankar në vlerë prej 1 miliard dollarësh dhe në disa skema të tjera të paligjshme.

Përderisa Kishinievi mund të jetë duke u munduar të përballet me fushatën e dezinformimit, ai përballet me një detyrë të vështirë, sipas Mark Sawyer, analist i lartë në Logically, një firmë private që gjurmon dezinformatat për qeveritë dhe bizneset.

“Përpjekjet e fundit për të luftuar mesazhin rus në Moldavi kanë qenë një lojë sikurse ajo e maces me miun. Rregullatorët mbyllën televizionet dhe ueb-faqet që po ritransmetonin programet shtetërore ruse, por përmbajtja po vazhdon të ekzistojë sepse ajo transmetohet shpejt nga kanalet e tjera, sikurse ueb-faqet që janë krijuar së fundmi dhe përmes aplikacioneve për dërgimin e mesazheve”, tha Sawyer për Radion Evropa e Lirë. “Një pakicë e konsiderueshme e qytetarëve po ashtu janë dashamirës të narrativëve të propagandës ruse, duke bërë të vështirë që përpjekjet kundër dezinformimit të fitojnë besueshmëri me këtë pjesë të qytetarëve. Në të ardhmen, përdorimi i përmbajtjes së rremë dhe inteligjencës artificiale mund të rrisë shpejtësinë dhe shkallën e dezinformimit, duke ndërlikuar përpjekjet e Qeverisë”.

Operacione të fshehura
Në shkurt, Rusia mohoi se po bënte komplot për të destabilizuar Moldavinë, pretendime që u përsëritën dhe u amplifikuan brenda Moldavisë nga zëra pro-rusë. Kremlini nuk u ndal me kaq, por bëri akuza, duke pretenduar se Ukraina po planifikonte të kryente një operacion të fshehtë në Transnjestër, ku Moldavia ka luftuar një luftë të shkurtër, por të përgjakshme, kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia më 1992. Akuzat e Kremlinit u cilësuan si “dezinformata klasike” nga Valeriu Pasa, drejtor në institutin moldav, Watchdog.md.

Pretendimet e rreme për një komplot ukrainas fillimisht qarkulluan në Twitter dhe Telegram para se të përdoreshin më 23 shkurt nga Ministria ruse e Mbrojtjes. Kjo deklaratë zyrtare u shpërnda “në mënyrë masive nga mediat shtetërore ruse dhe pro-Kremlinit”, por edhe nga “burimet pro-Kremlinit në Moldavi”, sipas Task Forcës East StartCom, që është themeluar nga BE-ja për të monitoruar dhe raportuar për dezinformimin rus brenda bllokut evropian. Pjesë e kësaj fushate ishte edhe videoja që pretendonte se shfaqte grumbullimin e ushtrisë dhe pajisjeve ushtarake të Rumanisë pranë kufirit me Moldavinë.

“Ripërdorimi dhe keqpërdorimi i fotografive të vjetra apo videove është një taktikë e zakonshme që përdoret nga aktorët dezinformues për të rritur besueshmërinë e narrativëve të tyre, teksa ata janë të vetëdijshëm se postimet multimediale kanë më shumë gjasa të bëhen virale në mediat sociale. Në këtë rast specifik, videoja nënkuptonte se Rumania dhe Qeveria në Kishiniev ishin agresive dhe destabilizuese, edhe pse Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë shpejt hodhi poshtë këto pretendime të rreme”, shpjegoi Sawyer.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco