Ekskluzive/ Padia ndaj Trump: Pika që rrezikon më shumë ish-presidentin

Ekskluzive/ Padia ndaj Trump: Pika që rrezikon më shumë ish-presidentin

10:52, 13/06/2023
A+ Aa A-

Ish-presidenti Donald Trump mbërriti në Florida përpara paraqitjes në një gjykatë federale në Majemi të martën, si pjesë e një padie për mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete qeveritare.

Zoti Trump përballet me 37 akuza, mes të cilave, mbajtje e qëllimtë e dokumenteve sekrete të mbrojtjes, konspiracion, pengim të drejtësisë dhe deklarata të rreme. Kjo është hera e parë në historinë e vendit që ndaj një ish-presidenti ngrihen akuza federale.

SYRI ka siguruar dokumentin e gjykatës me 37 akuza. 31 akuza janë për mbajtje me dashje të informacioneve për mbrojtjen kombëtare.

Por sipas ekspertëve, akuza më serioze është ajo me numër 32. Presidenti dhe një ndihmës i tij, Walt Nauta akuzohen për komplot për të penguar drejtësinë.

Sipas ekspertëve, nëse provohet një akuzë e tillë, ajo parashikon një dënim maksimal prej 20 vitesh burg. Ish-presidenti Trump pritet të deklarohet i pafajshëm përpara gjykatës.

Por çfarë përmban konkretisht akuza 32?

Prokurori special, Jack Smith, e akuzon Trump dhe Nauta-n për komplot për të fshehur dokumentet sekrete nga Juria e Madhe, e cila në maj të vitit 2022 kishte lëshuar një fletëthirrje që të dorëzoheshin këto dokumente.

Akuza thekson se Trump mashtroi Jurinë e Madhe, FBI-në, por edhe avokatët e tij.

Akuza përfshin një sugjerim nga Trump që avokati i tij t’u thoshte në mënyrë të rreme hetuesve se ish-presidenti nuk kishte më dokumente të klasifikuara në vilën e tij në Mar-A-Lago.

Ndërkohë me udhëzimin e Trump, Nauta zhvendosi rreth 64 kuti me dokumente nga një dhomë ruajtje në Mar-A-Lago, tek një rezidencë e ish-presidentit. Më pas ai ktheu rreth 30 kuti në dhomën e ruajtjes në Mar-A-Lago, pikërisht në ditën kur ekipi ligjor i Trump do të kthehej për të shqyrtuar kutitë dhe për të kërkuar për dokumente të klasifikuara.

Më pas, Nauta pati një telefonatë të shkurtër me Trump përpara se të ktheheshin kutitë. Asnjëri prej tyre nuk u tha avokatëve të ish-presidentit se Nauta kishte lëvizur kutitë, thuhet në padi.

E gjitha kjo ndodhi ndërkohë që ish-presidenti deklaronte se po bashkëpunonte plotësisht me drejtësinë.

Trump akuzohet se ka bërë deklarata false dhe mashtruese para FBI-së dhe Jurisë së Madhe.

ImageImageImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco