Zbulohen 58 varre në Kenia, arrestohet 'predikuesi' që nxiste njerëzit të vdisnin nga uria

Zbulohen 58 varre në Kenia, arrestohet 'predikuesi' që nxiste njerëzit të vdisnin nga uria

22:20, 23/04/2023
A+ Aa A-

Policia keniane ka zhvarrosur 47 trupa pranë qytetit bregdetar të Malindit, ndërsa po hetojnë një predikues që thuhet se u kishte thënë ndjekësve të vdisnin nga uria.

Ndër të vdekurit kishte edhe trupa të fëmijëve. Policia tha se zhvarrosjet janë duke vazhduar.

Varret e cekëta janë në pyllin Shakahola, ku 15 anëtarë të Kishës Ndërkombëtare të Lajmit të Mirë u shpëtuan javën e kaluar.

Udhëheqësi i kishës, Paul Makenzie Nthenge është në paraburgim dhe pritet të paraqitet në gjykatë.

Transmetuesi shtetëror KBC e përshkroi atë si një “udhëheqës kulti” dhe raportoi se deri më tani janë identifikuar 58 varre.

Një nga varret besohet se përmban trupat e pesë anëtarëve të së njëjtës familje, tre fëmijëve dhe prindërve të tyre.

Nthenge ka mohuar keqbërjen, por i është refuzuar lirimi me kusht. Atij i është kërkuar që të mbyllë kishën e tij në vitin 2019.

Ai dyshohet se u tha ndjekësve të vdisnin nga uria në mënyrë që të “takonin Jezusin”.

E përditshmja keniane, The Standard, tha se patologët do të marrin mostra të ADN-së dhe do të kryejnë teste për të përcaktuar nëse viktimat vdiqën nga uria.

Policia e arrestoi Nthenge më 15 prill pasi zbuloi trupat e katër personave që dyshohet se kishin vdekur nga uria.

Victor Kaudo i Qendrës së Drejtësisë Sociale në Malindi tha për Citizen TV “kur ishim në pyll shkuam në një zonë ku pamë një kryq të madh dhe të gjatë, e kuptuam që do të thotë se më shumë se pesë njerëz janë varrosur atje”.

Ministri i Brendshëm Kenian, Kithure Kindiki, tha se pylli prej 800 hektarësh është mbyllur dhe shpallur një skenë krimi.

Nthenge dyshohet se emëroi tre fshatra Nazaret, Betlehem dhe Jude dhe i pagëzoi ndjekësit në pellgje përpara se t’u thoshte të agjëronin, raporton The Standard.

Kenia është një vend fetar dhe ka pasur raste të mëparshme të njerëzve që janë joshur në kisha apo kulte të rrezikshme. /abcnews.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco