Qeveria e Francës në rrezik, ndërsa në qytete vazhdojnë demonstratat për pensionet

Qeveria e Francës në rrezik, ndërsa në qytete vazhdojnë demonstratat për pensionet

13:16, 17/03/2023
A+ Aa A-

Protesta të reja shpërthyen në qytete të ndryshme në Francë të premten, ndërsa njerëzit vazhdojnë të shprehin zemërimin e tyre pasi presidenti Emanuel Macron u imponoi reformat e tij të debatueshme të pensioneve dhe qeveria e tij tani po përballet me një mosbesim në parlament.

Në Paris, transporti u ndërpre dhe në Rennes po zhvillohet një demonstratë e madhe në qendër të qytetit.

Të premten, 310 persona u arrestuan, kryesisht në Paris, pas një nate protestash, tha ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin për radiostacionin RTL.

Në Place de la Concorde në Paris të enjten njerëzit i vunë flakën pajisjeve të ndërtimit në shesh dhe demonstrata të ngjashme pati në Rennes, Nantes, Lion dhe Marsejë.

Kjo erdhi pasi qeveria e Macron përdori Nenin 49,3 për të imponuar reformat në ligjet franceze të pensioneve, të cilat do ta rrisin moshën e daljes në pension deri në 64 vjeç.

Në Asamblenë Kombëtare kryeministrja Élisabeth Borne u prit me tallje kur ajo përmendi nenin e debatueshëm.

"Ne nuk mund të luajmë kumar me të ardhmen e pensioneve tona," tha ajo. "Reforma është e nevojshme."

Mocion mosbesimi për qeverinë franceze

Marine Le Pen, nga partia e ekstremit të djathtë Rally National, tha se do të paraqesin një mocion mosbesimi në qeveri.

Politikani komunist Fabien Roussel tha: “Mobilizimi do të vazhdojë. Kjo reformë duhet të pezullohet.”

Mocioni i mosbesimit, i cili pritet të dorëzohet të premten, duhet të miratohet nga më shumë se gjysma e Kuvendit. Nëse do të ketë sukses, qeveria do të duhej të japë dorëheqjen.

Nëse mocioni i mosbesimit nuk kalon, projektligji i pensioneve do të konsiderohet i miratuar.

Mocioni i fundit i mosbesimit që pati sukses ishte në vitin 1962.

Élisabeth Borne tha në një intervistë të enjten mbrëma në stacionin televiziv francez TF1 se ajo nuk ishte e zemëruar kur iu drejtua ligjvënësve mosrespektues, por "shumë e tronditur".

“Disa (deputetë të opozitës) duan kaos, në Kuvend dhe në rrugë,” tha ajo.

Neni 49,3 është një fuqi e debatueshme që qeveritë franceze mund ta përdorin për të imponuar përmes legjislacionit.

Është përdorur 100 herë në 60 vitet e Republikës së Pestë - më shpesh nga qeveritë që nuk kanë shumicën në parlament, për shembull qeveria e socialistit Michel Rocard në vitet 1980 dhe tani ajo e Élisabeth Borne.

Sindikatat franceze kanë shpallur një ditë tjetër greve kombëtare më 23 mars.

Pankartat në Paris të enjten mbrëma shkruanin: “Ata thonë kapitalizëm. Ne themi të luftojmë”.

“Nëse të drejtat nuk mbrohen, ato do të shkelen”.

Nicolas Durand, një aktor 33-vjeçar i tha agjencisë së lajmeve AP: “Nëse nuk flasim tani, atëherë të gjitha të drejtat tona për të cilat francezët kanë luftuar do të humbasin.

“Macron është jashtë realitetit dhe në shtrat me të pasurit. Është e lehtë për njerëzit në qeveri të thonë punë më shumë, por jeta e tyre ka qenë e lehtë.”

Image

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco