Vdekjet nga tuberkulozi u rritën gjatë pandemisë, përmbysën vitet e rënies, thotë OBSH

Vdekjet nga tuberkulozi u rritën gjatë pandemisë, përmbysën vitet e rënies, thotë OBSH

14:09, 28/10/2022
A+ Aa A-

Vdekjet në shkallë globale nga tuberkulozi vlerësohet të jenë rritur ndërmjet viteve 2019 dhe 2021, duke përmbysur vitet e rënies pasi pandemia COVID-19 goditi rëndë përpjekjet për ta trajtuar këtë sëmundje, tha të enjten Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Përpjekjet globale për të trajtuar sëmundjet vdekjeprurëse si SIDA, tuberkulozi dhe malaria janë dobësuar gjatë pandemisë së COVID-19. Kriza shëndetësore ka goditur veçanërisht reagimin ndaj tuberkulozit dhe ka bërë që vendet të mbeten prapa në përmbushjen e objektivave për të frenuar sëmundjen infektive.

OBSH i kërkoi botës të zbatojë mësimet e nxjerra nga pandemia ndaj tuberkulozit, i cili prek rëndë vende si India, Indonezia, Filipinet dhe Pakistani.

“Nëse pandemia na ka mësuar diçka, është se me solidaritet, vendosmëri, inovacion dhe përdorim të barabartë të mjeteve, ne mund të kapërcejmë kërcënimet e rënda shëndetësore”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Raporti vjetor i OBSH-së vlerëson se tuberkulozi vrau 1.6 milion njerëz në vitin 2021, mbi 1.5 milion vdekje të vlerësuara në 2020 dhe 1.4 milion vdekje në 2019. Vdekjet në lidhje me tuberkulozin kishin rënë midis viteve 2005 dhe 2019.

Raporti paralajmëron gjithashtu se në të ardhmen e afërt, tuberkulozi mund të zëvendësojë COVID-19 për t'u bërë shkaku kryesor i vdekjes në mbarë botën nga një agjent i vetëm infektiv.

Një raport i fundit nga Fondi Global për Luftën kundër SIDA-s, Tuberkulozit dhe Malaries tregon bota ende nuk është në rrugën e duhur për të mposhtur këto sëmundje vrasëse.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco