DASH kërkon që Irani t’ia kthejë familjes trupin e pajetë të gazetarit të REL-it

DASH kërkon që Irani t’ia kthejë familjes trupin e pajetë të gazetarit të REL-it

12:15, 28/10/2022
A+ Aa A-

Departamenti amerikan i Shtetit ka shprehur neveri për raportimet se trupi i gazetarit të Radios Evropa e Lirë, Reza Haghighatnejad, është marrë nga Garda Revolucionare e Iranit, duke kërkuar nga autoritetet iraniane që trupi i gazetarit t’i kthehet familjes së tij.

“Jemi të neveritur nga raportimet se mbetjet mortore të Rezas janë marrë nga Garda Revolucionare, pasi ato u riatdhesuan në Iran për t’u varrosur në qytetin e tij të lindjes, Shiraz”, tha për REL-in një zëdhënës i DASH-it.

Haghighatnejad ka punuar në Shërbimin iranian të REL-it nga viti 2019, deri në vdekjen e tij.

Marrja e mbetjeve mortore të gazetarit Haghighatnejad “tregojnë shkallën e frikës së udhëheqjes së Iranit ndaj gazetarëve që bëjnë publike keqbërjet, dhe kjo frikë shfaqet edhe pas vdekjes së tyre”, tha DASH-i.

“Sipas të gjitha informacioneve, ai ishte një gazetar brilant, i përkushtuar për lirinë e shprehjes dhe zbulimit të së vërtetës”, tha zëdhënësi dhe shtoi se “ne u bëjmë thirrje autoriteteve iraniane që menjëherë të dorëzojnë te familja eshtrat e Rezait, dhe të ndalojnë frikësimin e tmerrshëm të gazetarëve”.

Haghighatnejad, 45 vjeç, vdiq më 17 tetor në Spitalin Charite në Berlin dhe trupi i tij u riatdhesua në Iran për varrim më 25 tetor. Megjithatë, trupi i pajetë i tij u zhduk me të arritur në Iran mes raportimeve të pakonfirmuar se agjentët e Gardës Revolucionare e dërguan në një lokacion të panjohur.

Më herët gjatë 27 tetorit, nëna e gazetarit, Beygumjan Raeisi tha se agjentët e sigurisë së Iranit rrëmbyen trupin e djalit të saj.

“Ky është mesazhi i nënës që nuk e ka parë djalin e saj për gjashtë vjet dhe nuk kishte dijeni për sëmundjen e tij, dhe tani trupi i tij u kthye në Iran, por u rrëmbye në aeroport nga autoritetet”, tha nëna e Haghighatnejadit përmes një videoje.

Raeise nuk tha se nëse autoritetet kishin konfirmuar se ku kanë dërguar trupin e djalit të saj. Autoritetet iraniane ende nuk kanë komentuar për këtë çështje.

Familjarët dhe miqtë i thanë Shërbimit Iranian të REL-it se kishin pasur lejet e nevojshme për varrosjen e gazetarit në Shiraz.

Haghighatnejad ishte larguar nga Irani pas rritjes së presionit ndaj gazetarëve dhe nisi të punonte në mediat jashtë vendit. Ai nuk mundi të kthehej në Iran për shkak të punës së tij si gazetar.

REL-i ka informacione që sugjerojnë se familja e Haghighatnejadit ka qenë nën presion nga Qeveria që të pajtohet që trupi i gazetarit të varrosej në një tjetër varrezë jashtë qytetit të tij të lindjes.

Presidenti i REL-it, Jamie Fly, tha se manipulimet e regjimit iranian ndaj familjes së Haghighatnejadit janë “të turpshme dhe të neveritshme” dhe shtoi se familjarët e tij meritojnë që t’u lejohet që ta varrosin atë pa u penguar nga regjimi.

Haghighatnejad ishte një analist dhe komentator politik i shquar në mediat në gjuhën persiane brenda dhe jashtë Iranit. Vdekja e tij vjen në kohën kur Irani po përballet me trazira pas vdekjes së një vajze të re, e cila vdiq në mbajtje, pas arrestimit nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco