Rusia paralajmëron SHBA: Po përfshihet në konflikt, duke furnizuar Ukrainën me armë

Rusia paralajmëron SHBA: Po përfshihet në konflikt, duke furnizuar Ukrainën me armë

15:33, 05/10/2022
A+ Aa A-

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të dërguar më shumë ndihma ushtarake në Ukrainë rrit rrezikun për një përplasje të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe Perëndimit.

Paralajmërimi erdhi nga ambasadori rus në SHBA, Anatoli Antonov. Ai foli për kërcënim imediat ndaj Moskës dhe i cilësoi Shtetet e Bashkuara si pjesëmarrëse në konflikt.

 “Vendimi i administratës për të vijuar furnizimin e regjimit të Kievit me artileri të rëndë i jep Uashingtonit statusin e pjesëmarrësit në konflikt. Ne e perceptojmë këtë si një kërcënim urgjent ndaj interesave strategjike të vendit tonë. I bëjmë thirrje Uashingtonit të ndalë veprimet provokuese që mund të çojnë në pasoja më të rënda“, deklaroi ambasadori rus.

Më herët, Uashingtoni njoftoi ndihma të tjera ushtarake prej 625 milionë dollarësh për Ukrainën. Armatimet e avancuara amerikane janë konsideruar si thelbësore në kthimin e trajektores së luftës, me forcat e Kievit që kanë shënuar avancime të rëndësishme në verilindje dhe jug të vendit, javët e fundit. Pjesë e armatimeve në paketën e re, janë 4 sisteme të tjera raketore të precizonit të lartë, Himars.

Në total, Uashingtoni është angazhuar për rreth 17 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Kievin që prej fillimit të luftës më 24 shkurt.

 “Në paketën e re përfshihen më shumë sisteme të avancuara raketore, të tilla si Himars, më shumë municione Howitzer, armatime të vogla, apo mjete ushtarake. Ne e dimë që këto janë llojet e armëve që ata duan dhe u nevojiten aktualisht”, deklaroi John Kirby, këshilltari për Sigurinë e Shtëpisë së Bardhë.  

Paralajmërimet e ambasadorit rus erdhën pak pasi presidenti amerikan, Joe Biden, si dhe zëvendëspresidentja Kamala Harri diskutuan për bashkëpunim të mëtejshëm ushtarak, me presidentin Zelensky.

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë theksoi se SHBA nuk do të njohë kurrë rajonet e aneksuara ilegalisht. Pas disfatave të pësuara në fushëbetejë gjatë javëve të fundit, Rusia është zotuar të mbrojë veten me të gjitha mjetet e mundshme, duke mos përjashtuar përdorimin e armëve bërthamore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco