Gjykata Evropiane refuzon padinë e viktimave të abuzimeve: Vatikani s’mund të paditet në Evropë

Gjykata Evropiane refuzon padinë e viktimave të abuzimeve: Vatikani s’mund të paditet në Evropë

12:07, 12/10/2021
A+ Aa A-

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi të martën që Vatikani nuk mund të paditet në gjykata evropiane, sepse është shtet sovran, duke e refuzuar padinë e paraqitur nga të mbijetuarit e abuzimeve të klerit katolik.

Një grup prej 24 të mbijetuarve belgë, francezë e holandezë të abuzimeve janë përpjekur që t’i padisin Vatikanin dhe udhëheqësit e Kishës Katolike në gjykatat belge që nga viti 2011, por këto organe kishin vlerësuar se nuk kanë juridiksion mbi Vatikanin, sqaroi Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimin e saj të martën.

Të mbijetuarit e abuzimeve u përpoqën që të kërkojnë drejtësi në sistemin belg të gjykatave para se ta dorëzonin padinë në gjykatën evropiane në vitin 2017, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

Të martën, me gjashtë vota për e një kundër, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi që të vlerësojë se Vatikani është shtet sovran që nuk mund të paditet dhe se nuk ka pasur asgjë “të paarsyeshme ose arbitrare” në pozicionin e gjykatave belge.

Ndryshe, para një jave, Franca u trondit nga një raport i hetimeve të pavarura, sipas të cilit rreth 216.000 fëmijë kanë qenë viktima të abuzimit nga kishat nga viti 1950.

Komisioni për hetimin e abuzimeve nga priftërinjtë dhe zyrtarë të tjerë kishtarë ka gjetur dëshmi për së paku 2.900 deri në 3.200 abuzues – nga gjithsej 115.000 priftërinj e klerikë të tjerë.

Në raportin me gati 2.500 faqe thuhet se shumica e viktimave ishin djem para adoleshencës me prejardhje të ndryshme sociale.

“Kisha Katolike, pas rrethit të familjes dhe miqve, është mjedisi që e ka shkallën më të lartë të dhunës seksuale”, thuhet në raport.

Shumica e rasteve të vlerësuara nga paneli mendohet të jenë shumë të vjetra për t’u ndjekur penalisht me ligjet franceze./Gazeta Express/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco