116 të vrarë nga përleshjet mes bandave në një burg të Ekuadorit

116 të vrarë nga përleshjet mes bandave në një burg të Ekuadorit

12:59, 01/10/2021
A+ Aa A-

Katërqind policë të forcave speciale mësynë një burg në qytetin bregdetar të Guayaquilit në Ekuador pasi 116 të burgosur mbetën të vrarë nga një përleshje masive mes bandash.

Përleshja nisi të martën ndërsa autoriteteve iu desh rreth 24 orë për të rimarrë kontrollin e burgut. Sidoqoftë mëngjesin e së enjtes banorë të rrethinave u thanë mediave se dëgjuan shpërthime dhe të shtëna.

Pak pas raportimeve nga mediat, policia deklaroi zyrtarisht se kishte dërguar 400 forca të policisë për të siguruar rendin. Në profilin zyrtar “Twitter”, policia ekuadoriane botoi disa foto të forcave speciale teksa mësynin burgun “Litoral”.

Në këtë burg janë vendosur anëtarë të bandave famëkeqe të drogës si “Los Choneros”, me lidhje të forta me kartelin meksikan të Sinaloas. Kerteli rival i Sinaloas në Meksikë “Jalisco”, vitet e fundit ka trazuar grupe rivale në Ekuador me “Los Choneros” për të kontrolluar rrugët kryesore të narko-trafikut.

Autoritetet raportuan se përleshja e nisur të martën nuk kishte si synim thyerjen e burgut, por vetëm përplasjen mes bandave. Grupet rivale janë vendosur në anë të ndryshme të burgut, mirëpo sikurse u zbulua ata kishin hapur tunele ku kalonin nga ana në anë.

Mediat lokale raportojnë se përleshja masive mund të jetë porositur nga grupet jashtë madje dhe nga kartelet meksikane.

Ekuadori është një nga vendet me prodhimin më të lartë të kokainës. Vitet e fundit, me origjinë nga ky vend, janë kapur qindra kilogramë drogë edhe në Portin e Durrësit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco