Të mërkurën në Senat, votimi përfundimtar për dy akuzat kundër Trump

Të mërkurën në Senat, votimi përfundimtar për dy akuzat kundër Trump

07:40, 01/02/2020
A+ Aa A-

Senati amerikan hodhi poshtë të premten mbrëma propozimin për të thirrur dëshmitarë në gjyqin për shkarkimin e Presidentit Trump, pas argumenteve të paraqitura nga senatorët republikanë se dëshmitë e reja do të ishin të panevojshme.

Senatorët kanë në plan të votojnë të mërkurën lidhur me dy akuzat e ngritura kundër presidentit Trump për shpërdorim pushteti dhe pengim të Kongresit, njofton VOA.

Republikanët thanë se argumentet përmbyllëse të gjyqit në Senat do të mbahen të hënën.

Demokratët u përpoqën deri në minutën e fundit që në gjyq të thirrej për të dëshmuar ish këshilltari i sigurisë kombëtare John Bolton dhe zyrtarë të tjerë.

Por shumica e senatorëve republikanë nën kryesimin e udhëheqësit të shumicës, Mitch McConnell, u shprehën në mbrojtje të presidentit, duke thënë se ai nuk duhet të shkarkohet.

Ligjvënësi demokrat Adam Schiff, që luan rolin e prokurori kryesor në ekipin e akuzës, tha se senati do ta marrë vendimin pikërisht pasi gazeta New York Times njoftoi hollësi të tjera nga dorëshkrimi i pabotuar i librit të John Boltonit, në të cilin ish këshilltari i Shtëpisë së Bardhë thotë se Presidenti e udhëzoi në muajin maj të ndihmonte në fushatën e presionit ndaj Ukrainës që ajo të hapte hetime nga të cilat presidentit Trump do të përfitonte politikisht.

Ligjvënësi Schiff vuri në dukje se Presidenti Trump e mohon variantin e treguar nga zoti Bolton.

"Pra, këtu keni presidentin që thotë se John Bolton nuk thotë të vërtetën. Le ta zbulojmë," tha Schiff përpara senatit. "Le ta vëmë Boltonin të dëshmojë nën betim. Le të gjejmë se kush po tregon të vërtetën. Le të mos kemi frikë nga ajo që do të mësojmë", tha ai.

Për të shkarkuar presidentin, duhen votat e dy të tretës së Senatit. Asnjë republikan deri tani nuk ka lënë të kuptohet se do të votojë pro shkarkimit./Zeri i Amerikes

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco