Vizatimi/ Simboli në dorë i miliarderit bën bujë

Vizatimi/ Simboli në dorë i miliarderit bën bujë

20:14, 15/01/2020

Demokratët në Amerikë po shkojnë drejt zgjedhjeve për kandidatin që do të përballet me Donald Trump në votimet presidenciale. Gjashtë rivalët kryesorë debatuan për çështje të ndryshme, por rrjeti social po pyet: çfarë ishte simboli në dorën e Tom Steyer

Nga Roland Hughes, BBC

Ky ishte momenti më intrigues i debatit, por nëse e sheh nga afër, mund të intrigohesh akoma më shumë. Në dorën e majtë të zotit Steyer ishte një simbol, i vizatuar me stilolaps: një kryq i madh dhe katër kryqa të vegjël në çdo kuadrat.

Nuk është hera e parë që miliarderi shihet me këtë simbol në publik- ai thuhet se e vizaton çdo ditë për dy vitet e fundit- por ky debat e prezantoi simbolin përpara një audience të re sërish.

Çfarë është ky simbol?

Simboli me pesë kryqa njihet edhe si Kryqi i Jerusalemit dhe ka qenë simbol i Mbretërisë së Jerusalemit nga shekulli i 13-të. Mbretëria u themelua nga të krishterët europianë të kryqëzatave, të cilët pushtuan tokat myslimane.

Nuk ka një kuptim të vetëm të dakordësuar për pesë kryqat- teori të ndryshme sugjerojnë se mund të përfaqësojnë Krishtin dhe katër ungjijtë; pesë plagët që vuajti Krishti në kryq, por edhe katër pikat e kompasit.

Simboli origjinal ka të ngjarë të datojë përpara Mbretërisë së Jerusalemit dhe është pëdorur nga shtetet feudale në atë që njihet tashmë si Gjeorgjia, e cila e përdor që prej vitit 2004 edhe në flamurin e saj kombëtar.

Pse e përdor Tom Steyer?

Në një intervistë vitin e shkuar, përpara se të shpallte kandidaturën për president, Steyer u pyet për rëndësinë e kryqit në dorë.

“Nënkupton që të thuash të vërtetën, pavarësisht se cilat do jenë kostot,” tha ai. “U bë ca kohë që e vizatoj përditë në dorë për t’i kujtuar vetes se duhet të tregoj gjithmonë të vërtetën. Më vonë zbulova se ky njihet edhe si Kryqi i Jerusalemit”.

Ai duket se ka nisur ta vizatojë në dimrin e vitit 2017, dhe në maj të vitit 2018 tha për Politico se e bënte këtë si një kujtesë ndaj vetes për të thënë gjithmonë të vërtetën, edhe nëse do të kryqëzojnë për këtë.

Ai gjithashtu tha se kjo është shenja ndërkombëtare e përulësisë, megjithëse kjo nuk njihet si e tillë.

Steyer, një donator prej kohësh i demokratëve, është i krishterë dhe këtë muaj tha se kur ishte 30 vjeç, gjeti Zotin. Por ai nuk ka bërë një lidhje mes besimit dhe simbolit në dorë.

Në vend të kësaj, nxitja për të thënë të vërtetën ka lidhje me një grup politik, të cilin e nisi në tetor të vitit të shkuar, me emrin: Nevoja për shkarkim, që u përqendrua tek largimi i presidentit Trump nga detyra.

Është një mesazh që 62-vjeçari e ka përsëritur që kur hyri në garë për presidencën në korrikun e shkuar. Ai gjithashtu ka dënuar interesat e korporatave që ndikojnë në politikat e qeverisjes dhe është zotuar se do ketë një gjendje emergjence klimatike nëse do të zgjidhet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco