Nga Qemal Çejku
Sot sistemi arsimor është fokusuar tek drejtimi i shkollave, duke mashtruar mësuesit me shpresën për t'u bërë drejtorë. Ndërkohë shkolla e drejtorëve që nisi si projekt, ka degraduar në një shkollë partie, në të cilën pronarët pasurohen me paratë e mësuesve të cilët janë shtresa më e pambrojtur e shtetit shqiptar.
Po të kërkosh në të gjitha dikasteret arsimore nuk gjenden të dhëna se sa mësues kanë ndjekur këtë shkollë ‘partie private’, por sipas shoqes Mirela, e lindur vetëm për të qenë ministre, certifikohen rreth 334 drejtues arsimorë në vit. Po të bëjmë llogari; viti i 12 për nga 334 për çdo vit, i bie të jenë 4008 drejtues të rinj. Në një hark kohor prej 12 vitesh, në një sistem që funksionon me rreth 1 600 shkolla në total ,’Shkolla e Drejtorëve’, e konceptuar si instrument profesionalizimi, është shndërruar në një mekanizëm masiv certifikimi, ku numri ka zëvendësuar kriterin dhe procedura ka zëvendësuar meritën.
Pse u degradua kjo shkollë? Pasi sot, mbi 95% e mësuesve në Shqipëri kanë diplomë universitare, një pjesë e madhe edhe master. Në këtë realitet, shtimi i certifikatave masive nuk krijon vlerë të shtuar, por e zhvlerëson rolin e drejtuesit.
Kur gjithçka certifikohet, asgjë nuk diferencohet. Shqetësues është fakti se pas më shumë se një dekade, nuk ka të dhëna publike, që të lidhin drejtpërdrejt këtë skemë me përmirësim të rezultateve të nxënësve, me rritje të autonomisë së shkollave apo me forcim të rolit të drejtorit si lider pedagogjik.
Kjo e bën programin financiarisht të pajustifikueshëm dhe institucionalisht të dobët. Më shumë drejtorë se mësues ka pasoja reale, pasoja që lidhen me dobësim të autoritetit të drejtorit, shpërndarje të përgjegjësisë dhe me krijim të një sistemi ku dështimi nuk ka autor. Arsimi nuk përmirësohet me drejtorë dhe shkolla partie, por me përzgjedhje të kufizuar, meritokraci transparente dhe elitare.
Nëse nuk hartohen rregulla reale, sipas nevojave dhe kritereve strikte, ‘Shkolla e Drejtorëve’ rrezikon të mbetet një strukturë që prodhon drejtues në letër, ndërsa shkollat vazhdojnë të mbeten pa drejtim real. Rezultati është tragjik: drejtues me titull, por pa autoritet, shkolla me drejtori, por pa drejtim, nxënës pa vizion dhe mësues pa mbështetje.
Ky nuk është aksident, është produkt i një politike të gabuar dhe të qëndrueshme në gabim. Kur drejtori prodhohet masivisht: drejtimi humbet autoritet, përgjegjësia shpërndahet, dështimi nuk ka autor. Kush e përcakton kuotën vjetore të pranimeve?A lidhet numri i kandidatëve me nevojat reale të sistemit?Fakti që këto të dhëna nuk publikohen automatikisht, por duhen kërkuar me ligj, tregon një qasje administrative të mbyllur ndaj opinionit publik. Ky sistem duhet ndaluar, jo rregulluar:
Pezullim i menjëhershëm i certifikimit masiv;
Audit publik i plotë i ‘Shkollës së Drejtorëve’;
Publikim i kostove reale dhe përfituesve;
Përzgjedhje elitare, transparente dhe e kufizuar;
Lidhje ligjore mes performancës së drejtorit dhe mandatit.
Arsimi nuk ka nevojë për rezervë drejtuesish, arsimi shqiptar ka nevojë për: drejtues që udhëheqin, jo që presin; institucione që vendosin, jo që zbatojnë verbërisht politika që i shërbejnë shkollës, jo kontrollit politik të saj. Në këtë formë, ‘Shkolla e Drejtorëve’ nuk është zgjidhje, është simptomë e kapjes së arsimit nga burokracia dhe pushteti. Dhe çdo vit që vazhdon, dëmi bëhet më i thellë dhe më i pakthyeshëm.
© SYRI.net