Ç’vlerë ka turizmi, kur qytetarët e një vendi nuk kanë mundësi të pushojnë në vendin e tyre!

Ç’vlerë ka turizmi, kur qytetarët e një vendi nuk kanë mundësi të pushojnë në vendin e tyre!

13:31, 19/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Çfarë ironie tragjike: një qytetar shqiptar nuk arrin dot të bëjë pushime në vendin e tij, e jo më jashtë shtetit.

Nga Shkëlzen Hasanaj

Ç’vlerë ka turizmi, kur qytetarët e një vendi nuk kanë mundësi të pushojnë në vendin e tyre? Shqipëria sot është shembulli më i qartë i këtij paradoksi: një vend i bekuar me det, male, lumenj e liqene, por i kthyer në një hapësirë ku pushimi është privilegj i pak personave dhe jo e drejtë e shumicës.

Mjafton të krahasohet me Vasilikin e Lefkadës në Greqi, ku turizmi është rritur me 35% dhe ku një drekë me peshk, sallatë dhe një litër ujë nuk i kalon 30 euro, shifër krejtësisht e përballueshme për një qytetar me të ardhura 1.200 euro në muaj, duke e bërë turizmin të aksesueshëm edhe për vetë vendasit; në Shqipëri ndodh e kundërta, me paga mesatare prej 350–400 euro dhe me çmime hoteli, restorantesh e shërbimesh turistike të ngritura në nivele të çmendura, shpesh mbi mesataren evropiane, duke e përjashtuar qytetarin shqiptar nga e drejta elementare për pushim.

Ky përjashtim nuk është thjesht ekonomik, por shoqëror dhe simbolik: deti dhe plazhet, që janë pasuri e përbashkët, janë privatizuar ose janë kthyer në hapësira të paarritshme për njerëzit e thjeshtë, punëtorët, të papunët, pensionistët apo ata pak të rinj që nuk janë larguar nga Shqipëria; ndërsa komunitetet vendase reduktohen në rolin e shërbyesve sezonalë që punojnë orë të gjata për paga minimale, pa mundësi të shijojnë as një ditë të vetme të asaj që prodhojnë.

Kemi të bëjmë me një formë të qartë të pabarazisë strukturore, ku hapësirat publike kapen nga kapitali i ndërtimit dhe ekonomia informale, shpesh e lidhur me mafien, duke imponuar një model zhvillimi të bazuar në fitime të shpejta dhe jo në qëndrueshmëri afatgjatë.

Pasojat sociale dhe ekonomike janë të dukshme: nga njëra anë krijohet një shoqëri e ndarë, ku pushimi, që në shumë vende evropiane shihet si e drejtë sociale, në Shqipëri mbetet luks i pakicës; nga ana tjetër dëmtohet imazhi ndërkombëtar i vendit, pasi gjithnjë e më shumë turistë shprehin zhgënjimin e tyre. Shumë italianë që kam takuar rastësisht jashtë më kanë thënë të njëjtën gjë: “Nuk kthehemi më, sepse çmimet janë të ekzagjeruara dhe infrastruktura është në gjendje të mjeruar”.

Këto zëra tregojnë se nuk kemi të bëjmë me raste individuale, por me një perceptim të përhapur që rrezikon seriozisht të ardhmen e turizmit shqiptar. Kur brezi i ri rritet duke parë plazhe të mbyllura, male të rrethuara dhe qytete ku vlera matet me numrin e SUV-ve para restoranteve të luksit, normalizohet ideja se privatizimi i hapësirave publike është i natyrshëm, dhe kjo është forma më e rrezikshme e pabarazisë: ajo që pranohet pa u vënë kurrë në diskutim.

Progresi i vërtetë nuk matet me shkëlqimin e resorteve apo me jahtet në port, por me aftësinë e një shoqërie për t’i dhënë qasje të barabartë qytetarëve të saj në pasuritë natyrore dhe në pushim dinjitoz; një shtet që nuk e garanton këtë, nuk ndërton turizëm, por vetëm grabitje të së tashmes duke vënë peng të ardhmen.

 

/Shkelzen Hasanaj është, PhD, Postdoc Universiteti i Sienës, Profesor i Sociologjisë në UNINT Romë

© SYRI.net

Lexo edhe:

Më të lexuarat
Denonco