Strategjia për të kthyer potencialin e Diasporës Shqiptare në favor të zhvillimit të Shqipërisë

Strategjia për të kthyer potencialin e Diasporës Shqiptare në favor të zhvillimit të Shqipërisë

12:03, 01/08/2023
A+ Aa A-

Nga Aurora Barçi*

Me hapjen e kufijve dhe rënien e regjimit komunist në vitet '90, numri i emigrantëve shqiptarë shënoi një rritje të madhe. Kjo periudhë solli ndryshime të thella në përbërjen e popullsisë dhe lidhjen e diaspores me vendin e tyre të origjinës. 

Remitancat që emigrantët shqiptarë kanë dërguar në vendlindje kanë qenë një burim ekonomik jetik i vazhdueshëm për shumicën e familjeve shqiptare. Sipas raportit të Bankës Botërore, ata kanë sjellë në ekonominë shqiptare 29 miliardë dollarë (1992 - 2019), duke përbërë rreth 10% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), e duke kontribuar në rritjen e mirëqenies dhe reduktimin e nivelit të pabarazisë ekonomike në Shqipëri. 

Studime nga  Fondi Ndërkombëtar për Zhvillim Bujqësor (IFAD) tregojnë se kursimet e emigrantëve shqiptarë në vendet ku jetojnë kanë qenë shumë të larta (rreth 3.4 miliardë euro, ose 5.1 herë më shumë se dërgesat e tyre vjetore), dhe nëse vetëm  10% e kursimeve të tyre vjetore do të investoheshin në Shqipëri, ato do të rrisnin dërgesat rreth 50% - duke ndryshuar trendin zbritës në rritës - dhe do të krijojnë një impuls të ri për zhvillimin ekonomik dhe social në Shqipëri.

Emigracioni shqiptar ka pësuar ndryshime të ndjeshme në dekadat e fundit, sidomos pas hyrjes së Shqipërisë në organizata ndërkombëtare dhe lehtësimit të procedurave të emigracionit. Sipas  INSTAT-it,  46,460 shqiptarë  lanë vendin vitin e kaluar. Kjo shifër është 10.5% më e lartë se në vitin 2021, ku numri i emigrantëve ishte rreth 42 mijë. 
Megjithatë, ajo që bie në sy nga statistikat publike është fakti se emigracioni në vitin 2022 ka arritur nivelin më të lartë që nga viti 2014.

Në vende të zhvilluara të OECD, nevoja për fuqinë punëtore të kualifikuar ka çuar në politika mikpritëse për të tërhequr individë të aftë dhe me kualifikime të larta, siç është rasti me aktin "  Skilled Immigration Act" të Gjermanisë të vitit 2023.

Megjithatë, këto politika mikpritëse kanë shkaktuar një efekt të njohur si "Brain Drain" për Shqipërinë, duke humbur potencialin e saj intelektual dhe profesional.  Mjafton një kerkim i thjeshtë në DataBase publike te faqes:  “Intellectual Brand Albania” dhe vërehet menjeherë suksesi dhe potenciali  i shqiptarëve nëpër botë në sektorë  të ndryshëm që përbën një pasuri të paçmuar të kapitalit njerëzor që mund të kontribuojë në zhvillimin e vendit.

Për të adresuar problemin e “Brain Drain”, Partia Demokratike ka themeluar në vitin 2022 Departamentin "Brain Gain dhe Ekselenca". Qëllimi i këtij departamenti është të krijojë hapsira të reja në politikë për shqiptarët e suksesshëm në botë, për të kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë dhe për të promovuar të drejtat e diasporës, përfshirë lobimin e të drejtës së Votës së Diasporës në vendet ku ato jetojnë.

Departamenti "Brain Gain" ka si parim themelor mbajtjen e lidhjes me Shqipërinë, e cila është e rëndësishme për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për vendin tonë. Në kohën kur emigracioni ka arritur nivele alarmante dhe kemi një shpopullim të frikshëm, thelbësore është të përqendrohemi në kthimin e trurit në Shqipëri. Vetëm një politikë e qëndrueshme dhe vizionare për Shqipërinë, duke përfshirë Diasporën si faktor të rëndësishëm, do të sjellë një ndryshim për vendin tonë. Qeveria Shqiptare duhet të fokusohet në adresimin e sfidave dhe në përdorimin e potencialit të “ Diasporës Shkencore” për përparimin e vendit. 

Faktorizimi i diaporës si një burim i fuqishëm për zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e vendit ka treguar sukses në vende të ndryshme si Koreja e Jugut, Hungaria, Polonia dhe India. Bazuar në këto raste suksesi e duke marrë parasysh realitetin e Shqipërisë dhe sfidat e ndryshme që populli shqiptar përballet, unë kam përgatitur një listë sugjerimesh për Qeverinë Shqiptare te renditura mëposhtë:

Një nga hapat kryesorë është krijimi i një klime miqësore për investime. Qeveria duhet të ofrojë stimuj fiskalë dhe lehtësime të tjera për emigrantët shqiptarë që dëshirojnë të investojnë në Shqipëri. 

Shqipëria duhet të fokusohet në tërheqjen e kompanive ndërkombëtare për outsourcing. Kjo do të ndihmojë në stimulimin e konkurrencës dhe krijimin e vendeve të punës në sektorin privat dhe do të përforconte ekonominë e vendit. Qeveria shqiptare duhet te lokalizojë shqiptarët të cilët mbajnë pozicione strategjike në vendimarrje në kompanitë (p.sh. : Bosch, Microsoft, Infineon Technologies, Google etj.) për të cilat punojnë e t’ju ofrojë stabilitet politik dhe incentiv fiskal që të hapin degë në Shqipëri.

Bashkëpunimi shkencor dhe teknologjik është gjithashtu një tjetër aspekt i rëndësishëm për të kapitalizuar potencialin e diasporës shqiptare. Nëpërmjet projekteve të përbashkëta shkencore dhe teknologjike me diasporën, konferencave shkencore, Shqipëria mund të përfitojë nga ekspertiza e tyre dhe të promovojë inovacionin dhe teknologjinë në vend. Detyra e Qeverisë shqiptare është të akordojë fonde më të konsiderueshme në infrastukturën për laboratorët kërkimor, materialet didaktike etj..
Për më tepër, shqiptarët e suksesshëm që kanë doktoraturë, patenta dhe botime shkencore në universitete prestigjioze në botë duhet të ftohen të shërbejnë si profesorë në universitetet dhe shkollat e specializimit të Shqipërisë. Kjo do të ndihmojë në rritjen e nivelit të arsimit dhe kërkimit në vend, duke e bërë atë një destinacion tërheqës për studentët ndërkombëtarë.

Shqipëria, si prodhues energjie hidrike, ka potencial të zhvillojë njohuritë e saj në energjitë e rinovueshme, me fokus në energjinë hidrike. Qeveria mund të përdorë ekspertizën e diasporës si këshilltarë për programet e trajnimit dhe të krijojë “know-how” të specializuara. Investimi në teknologjitë e energjive të rinovueshme, sidomos energjinë hidrike, do të shfrytëzojë plotësisht burimet hidrike për prodhimin te brëndshëm dhe eksport të energjisë, dhe ofrojë shërbime konsulencash për vendet tjera.

Në fund, Shqipëria duhet të shfrytëzojë vendndodhjen strategjike gjeografike për të ndërtuar një qendër logjistike “Balkan Hub”. Qeveria mund të përdorë ekspertizën e diasporës si këshilltarë për zhvillimin e programeve të trajnimit, krijimin e kompetencave të specializuara dhe investimin në teknologji të automatizuar për këtë sektor. Duke tërhequr kompani ndërkombëtare (p.sh. Amazon etj.) për të hapur dege në Shqipëri, vendi mund të përfitojë nga aksesi në Detin Mesdhe dhe të ndihmojë në rritjen e ekonomisë.

Diaspora shqiptare është një burim i fuqishëm për zhvillimin e vendit tonë, dhe potenciali i saj nuk duhet neglizhuar. Remitancat e dërguara nga diaspora kanë ndihmuar në rritjen e mirëqenies dhe zvogëlimin e pabarazisë ekonomike në Shqipëri, por mundësitë e saj janë shumë më të mëdha.

Për të përfituar maksimalisht nga ky potencial, bashkëpunimi i fuqishëm ndërmjet politikës, shoqërisë civile dhe biznesit është jetik për të gjetur zgjidhje efikase. Ne duhet të përdorim synerginë e burimeve tona vendore dhe të diasporës për të nxitur një zhvillim të qëndrueshëm dhe të përparuar për të ardhmen e vendit.

*Departamentit Brain Gain në Partinë Demokratike

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco