Lajmi i fundit

LIVE- Kuvendi në seancë, jashtë protesta e qytetarëve nuk ndalet, nuk tërhiqen as nga dhuna e policisë

E refuzoi në palestrën për gra, pasuan paditë dhe gjyqet: Ligji trans përçan Gjermaninë

E refuzoi në palestrën për gra, pasuan paditë dhe gjyqet: Ligji trans përçan Gjermaninë

11:09, 30/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjermania po bëhet një lider botëror në konfuzionin për transgjinorët. Që nga zbatimi në vitin 2024, Ligji për Vetëvendosjen ka sjellë një numër gjithnjë në rritje të proceseve gjyqësore të çuditshme.

Nga Sabine Beppler-Spahl/

Një rast i tillë, që fatmirësisht përfundoi me pafajësi në fillim të këtij muaji, përfshinte kryetaren e një grupi feminist të quajtur "Frauenheldinnen", një organizatë që ka luftuar kundër ndikimit të ideologjisë transgjinore.

Historia pas këtij rasti të fundit gjyqësor është e ndërlikuar dhe përfshin një mashkull biologjik që kërkoi të pranohej në një palestër vetëm për gra në qytetin gjerman të Erlangen-it. Pronarja e studios "Ladies First" refuzoi, duke theksuar, ndër të tjera, se ambientet e dusheve ishin vetëm për gra.

Vështirësitë që filluan për Doris Lange-in pas këtij incidenti vazhdojnë edhe sot. Fillimisht, ajo mori një letër nga Komisionerja Gjermane për Antidiskriminimin, Ferda Ataman, e cila kërkoi që ajo të paguante 1000 euro si "dëmshpërblim për dhimbjen dhe vuajtjen" që dyshohet se i kishte shkaktuar "gruas trans". Njëkohësisht, aplikantja e refuzuar, që përdor emrin Laura, e paditi për diskriminim. Rasti i Lange, që është trajtuar në gjykata që nga viti 2024, ende nuk ka përfunduar dhe ajo është në pritje të një vendimi.

Rasti e përfshiu organizatën "Frauenheldinnen" kur grupi publikoi një letër të hapur në mbështetje të Lange. Kështu nisi një tjetër betejë ligjore: ajo e Eva Engelkes, kryetares së Frauenheldinnen, e cila u akuzua për fyerje pasi iu referua "Laurës" si burrë, duke përdorur edhe përemrin "e gabuar", pra "ai". Një deklaratë me shkrim ku Engelke shkroi se Lange po akuzohej vetëm sepse "mbrojti me këmbëngulje klientet e saj nga një "voyeur" i mundshëm" u interpretua gjithashtu si fyese dhe diskriminuese.

Megjithëse Engelke u shpall më në fund e pafajshme, gjë pozitive, rasti i saj tregon sa jashtë kontrollit ka dalë ndikimi i ideologjisë transgjinore në disa pjesë të elitës gjermane. "Pas 252 faqesh dosje dhe dy seancave me dëshmitarë, është e qartë: nuk është fyerje t'i referohesh një burri si burrë," shkruan ajo në një artikull pas shpalljes së pafajësisë. Koha dhe paratë që ajo humbi si pasojë janë të konsiderueshme. Ajo e përshkruan situatën si "çmenduri burokratike, abuzim i ligjit penal si mjet për të imponuar heshtjen." Frauenheldinnen ka premtuar të vazhdojë luftën duke thënë të vërtetën, përfshirë edhe rastin e palestrës në Erlangen.

Pa dyshim, zyrtarja gjermane për antidiskriminimin dhe shumë deputetë që kanë bërë fushatë për ligje gjithnjë e më të rrepta për transgjinorët besojnë se po ndjekin një qëllim fisnik, një që i paraqet si veçanërisht progresistë, sidomos pasi çdo kundërshtim ndaj ideologjisë transgjinore është lidhur me të djathtën ekstreme.

Arsyetimi më i zakonshëm për këtë qëndrim është pretendimi se personat transgjinorë janë bërë një nga pakicat më të shtypura në Gjermani. Sipas tyre, ligjet për vetëidentifikimin, detyrimi për përdorimin e përemrave dhe "afirmimi" i identitetit vendosin në plan të parë identitetin subjektiv dhe për këtë arsye janë shenjë e liberalizmit. Ndërkohë, kundërshtimi paraqitet si përpjekje për të mbrojtur një "ndarje gjinore të vjetruar." Për politikanët, kjo ka edhe përfitimin shtesë tërheqjen e një pjese të votuesve urbanë, më të rinj dhe OJQ-ve (e dobishme në kohë kur koalicionet e tjera po dobësohen).

Në një debat të fundit parlamentar, për shembull, një deputet i CDU-së konservatore (Jan-Marco Luczak) pretendoi se 40% e komunitetit queer nuk mund ta jetojë hapur identitetin e tyre seksual nga frika e dhunës. "Ne jetojmë në një vend të lirë, por këta njerëz nuk janë të lirë," tha ai, duke shtuar se nevojiten "sinjale të forta" nga politikanët.

Është e vetëkuptueshme që personat trans nuk duhet të ekspozohen ndaj dhunës fizike. Por Luczak do të ishte më i sinqertë nëse do të përmendte se pjesa më e madhe e rritjes së pretenduar të dhunës, sipas statistikave të krimit, lidhet me "dhunë verbale", si p.sh. fyerjet. Sipas një statistike policore nga viti 2024, 158 burra dhe 41 gra janë bërë viktima të dhunës fizike reale. (Nga një total i vlerësuar prej mbi nëntë milionë njerëzish që identifikohen si "queer", ky është një numër që kërkon vëmendje policore, por jo niveli alarmi parlamentar që është shprehur).

Më e rëndësishmja, thirrjet e politikanëve tanë për veprim mbështeten në një arsyetim thellësisht të gabuar. Aktivistët trans nuk janë Rosa Parks që luftonin kundër segregimit të padrejtë, asnjë person transgjinor nuk është i ndaluar nga transporti publik apo nga shërbime dhe hapësira të tjera. Po ashtu, ata nuk janë Magnus Hirschfeld-i i kohëve moderne, që luftonte për shfuqizimin e një ligji kufizues që kriminalizonte marrëdhëniet seksuale me pëlqim mes burrave; personat transgjinorë mund të kenë marrëdhënie me kë të duan, për sa kohë ka pëlqim dhe nuk përfshihen fëmijë.

Në fakt, larg së qenit viktima të persekutimit shtetëror, personave transgjinorë u janë dhënë mbrojtje të veçanta nga shteti, siç tregon rasti i Laurës. Cili gjerman tjetër, mund të pyesë dikush, do të merrte një mbështetje të tillë institucionale kur kërkon të hyjë në një hapësirë private të krijuar për një komunitet të caktuar?

Ideologjia trans po përdoret gjithnjë e më shumë kundër njerëzve të zakonshëm dhe shoqërisë në tërësi. Larg të qenit një luftë për të drejtën për të përdorur një palestër, qëllimi i "Laurës" është imponimi. Nëse synimi i vërtetë do të ishte aktiviteti fizik, ai mund të kishte zgjedhur një nga disa palestra të tjera në qytet, shumë prej të cilave janë të përziera.

Në vend të kësaj, duhej patjetër një palestër vetëm për gra, sepse ajo që kërkon në të vërtetë është njohja. Unë ndihem si grua; pra jam grua dhe kam të drejtë të kërkoj që të gjithë të tjerët të më shohin si të tillë, ky është mesazhi i tij.

Ky lloj "jetese e seksualitetit" nuk është çliruese, por regresive. Është një sfidë ndaj arsyes së shëndoshë dhe ndaj të drejtave të grave për hapësira të sigurta. Në këtë rast konkret, është gjithashtu një sulm i hapur ndaj sipërmarrjes së lirë. Doris Lange ka drejtuar klubin e saj të fitnesit për gra, të cilin shumë kliente e kanë zgjedhur pikërisht për mbrojtjen nga vëmendja e padëshiruar mashkullore, për më shumë se 30 vjet.

Frauenheldinnen ka të drejtë kur thekson se objektivi i tyre kryesor është ligji, dhe jo "Laura", edhe pse ai ka nisur prej vitesh procese gjyqësore kundër kujtdo që guxon ta quajë burrë. (Rasti më i fundit përfshin transmetuesin privat NiuS, i cili u urdhërua të paguante 6000 euro dëmshpërblim sepse iu referua Laurës si burrë.)

Ligjet gjermane kundër diskriminimit dhe Ligji për Vetëvendosjen shkojnë shumë përtej asaj që duhet të jetë e pranueshme në një vend të lirë dhe demokratik.

Kjo nis, sigurisht, me rrezikun e përdorimit të qëllimshëm të "gjinisë së gabuar" për dikë, diçka që ligji i ri e ndëshkon shprehimisht. Engelke tregon se kur pyeti se si duhej t'i referohej akuzuesit të saj, pala kundërshtare i tha se duhej ta quante "grua me penis". Edhe pse kjo do të ishte qartazi pa kuptim, të paktën do të ishte e ligjshme.

Por çfarë lloj shteti miraton ligje që krijojnë bazën për një absurditet të tillë? Edhe pse Eva Engelke u shpall, fatmirësisht, e pafajshme, vetë ekzistenca e këtyre ligjeve duhet të na shqetësojë: ligje që kërkojnë që qytetarët të përmbahen nga shprehja e asaj që e dinë se është e vërtetë, nga frika se mos ofendojnë një aktivist trans.

Kjo të sjell ndër mend studimin e famshëm të Hannah Arendt-it, "Origjina e totalitarizmit", ku ajo përshkruan se si shoqëritë rrëshqasin drejt totalitarizmit. Regjimet totalitare, shpjegon ajo, nuk mjaftohen vetëm me propagandë, por duhet vazhdimisht të "realizojnë doktrinat e tyre ideologjike dhe gënjeshtrat praktike." Nuk mjafton, për shembull, të pretendohet kundër realitetit se papunësia nuk ekziston; regjimi do të "shfuqizonte përfitimet e papunësisë si pjesë e propagandës." Në të njëjtën mënyrë, nuk mjafton thjesht të deklarohet se mund të ekzistojë një grua me penis, duhet gjithashtu t'i jepet e drejta të hyjë në një palestër vetëm për gra.

Mund vetëm të shpresojmë që, si në rastin e Eva Engelkes, edhe Doris Lange-it të shpallet e pafajshme. Por as kjo nuk duhet të na mjaftojë. Është më shumë se e turpshme që u lihet grave të guximshme si Lange dhe Engelke të luftojnë për të drejtën e të gjithëve për të thënë atë që besojmë dhe dimë se është e vërtetë. Ligjet gjermane për transgjinorët janë një kërcënim për gratë, lirinë e fjalës dhe arsyen e shëndoshë, dhe ato duhet të shfuqizohen. /European Conservative – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Më të lexuarat
Denonco