Dinastia Rothschild u mbijetoi luftërave dhe krizave. A do ta përçajnë dosjet e Epstein-it?

Dinastia Rothschild u mbijetoi luftërave dhe krizave. A do ta përçajnë dosjet e Epstein-it?

20:27, 04/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Lidhja e Ariane de Rothschild-it me kriminelin seksual vë në provë një armëpushim mes dy bankave që mbajnë të njëjtin emër dinastik

Nga Margot Patrick - WSJ/

Një të premte marsi me diell, Ariane de Rothschild mblodhi stafin e bankës së saj në një park në qendër të Parisit. Drejtoresha ekzekutive u tha dhjetëra bankierëve privatë dhe menaxherëve të fondeve se biznesi në bankën zvicerane ishte i fortë.

Ndërsa ajo fliste, policia franceze mbërriti në zyrën e bankës, një ndërtesë banimi e përshtatur për zyra, vetëm pak minuta larg. Ata kishin urdhër për të kontrolluar ambientet si pjesë e një hetimi ndaj një diplomati që kishte punuar më parë në bankë dhe ishte i lidhur me të ndjerin Jeffrey Epstein. Pas aktivitetit, CEO-ja shkoi t’i takonte.

Kontrolli erdhi pasi Departamenti i Drejtësisë publikoi miliona dokumente të lidhura me Epstein-in, duke hedhur dritë të fortë mbi rrjetin e tij elitar të bashkëpunëtorëve, persona me ndikim si Ariane, një baroneshë miliardere përmes martesës së saj në dinastinë Rothschild. Dokumentet e Departamentit të Drejtësisë treguan se ajo kishte vizituar ishullin e Epstein-it, kishte kërkuar këshilla prej tij për marrëdhënie familjare komplekse dhe banka e saj i kishte paguar atij 25 milionë dollarë për konsulencë.

Pak blloqe më tutje, anëtarë të një dege tjetër të familjes Rothschild u shqetësuan nga goditja ndaj reputacionit. Banka e tyre, Rothschild & Co., me origjinë që nga viti 1809, prej vitesh kishte tentuar të distancohej nga Ariane dhe banka e saj Edmond de Rothschild me seli në Gjenevë.

Tani, titujt për Epstein-in ishin një shqetësim për klientët. Për të mos përmendur se ishte personalisht e pakëndshme për anëtarët e familjes të lexonin mendimet e hapura të Ariane-s. Në një email të vitit 2017 drejtuar Epstein-it, që sapo ishte bërë publik, ajo i quante kushërinjtë në Rothschild & Co. "një racë e vdekur".

Alexandre de Rothschild, një nga ata kushërinj dhe CEO i ri i Rothschild & Co., kishte një mesazh të thjeshtë për ekipet e tij, sipas personave në dijeni të çështjes: menaxherët e marrëdhënieve duhet t’u thonë klientëve të shqetësuar: jo ne, ata të tjerët.

Në tetë breza, dinastia Rothschild u ka mbijetuar luftërave, krizave financiare dhe përndjekjeve. Skandali i Epstein-it kërcënon të thellojë përçarjen mes pasardhësve në një kohë kur dy bankat e mbetura që mbajnë emrin e familjes po konkurrojnë gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën.

Në një deklaratë, Edmond de Rothschild tha se "Grupi nuk ka parë asnjë ndikim të rëndësishëm negativ që nga publikimi i dokumenteve të Departamentit të Drejtësisë dhe pozicioni i tij tregtar është jashtëzakonisht i fortë."

As banka dhe as Ariane de Rothschild "nuk kishin dijeni për krimet e tmerrshme të Epstein-it dhe nuk janë palë në asnjë procedim që lidhet me veprimet e tij," thuhet në deklaratë.

Prokurorët francezë thanë se kontrolli në zyrën e bankës në Paris ishte pjesë e një hetimi paraprak për akuza të mundshme korrupsioni që lidhen me ish-diplomatin, pas zbulimeve në dokumentet e Epstein-it.

Drejtues të bankave rivale private zvicerane thanë se kanë dëgjuar nga disa klientë të pasur të bankës, të shqetësuar për zbulimet mbi Epstein-in dhe disa po pyesin nëse mund të ketë një ribashkim mes degëve bankare Rothschild.

Edmond de Rothschild tha se nuk po shqyrton as bashkim dhe as shitje. "Të sugjerosh se një degë do të kërkonte të përfitonte ekonomikisht nga çështja Epstein do të ishte keqkuptim i këtyre lidhjeve dhe një fyerje për vendimmarrësit e përfshirë," thuhet në deklaratë.

Rothschild-ët e gjurmojnë prejardhjen e tyre te Mayer Amschel Rothschild, i cili u ngrit nga lindja e tij në geton hebreje të Frankfurtit për të ndërtuar një perandori bankare ndërkombëtare. Në kulmin e saj, familja ishte ndër më të pasurat në botë.

Gjatë shekujve, pasuria dhe emri Rothschild janë ndarë mes dhjetëra pasardhësve në Angli, Francë dhe gjetkë. Ajo që ka mbetur sot nga biznesi bankar është përqendruar rreth dy bankave që ndajnë simbolin e familjes me pesë shigjeta.

Banka private zvicerane drejtohet nga Ariane, një ish-tregtare që u martua me familjen në vitin 1999 dhe më pas mori drejtimin e Edmond de Rothschild-it nga bashkëshorti i saj. Banka investuese franko-britanike drejtohet nga Alexandre, një bankier dhe Rothschild i brezit të shtatë që mori rolin e CEO-s nga i ati në vitin 2018.

Të dyja bankat e gjurmojnë origjinën te djali më i vogël i Mayer-it, James, i cili e zbukuroi legjendën Rothschild me rezidencën e tij madhështore në qendër të Parisit dhe u bë pjesë e jetës së lartë shoqërore duke pritur figura të njohura si Honore de Balzak dhe Xhiakomo Puçini.

Para zbulimeve për Epstein-in, tensionet e vjetra po rriteshin. Dikur, dy bankat kishin modele shumë të ndryshme biznesi, Rothschild & Co. njihej për këshillimin në marrëveshje për kompani dhe qeveri globale, ndërsa Edmond de Rothschild për bankimin privat dhe menaxhimin e aseteve, por tani ato po mbivendosen gjithnjë e më shumë. Ato mirëmbajnë bashkërisht një faqe interneti, rothschild.com, për të orientuar vizitorët e pasigurt.

Pas blerjes së bankës britanike të familjes dhe zgjerimit të fundit në menaxhimin e pasurisë, Rothschild & Co. menaxhon rreth 200 miliardë dollarë, krahasuar me 250 miliardë dollarë të Edmond de Rothschild. Ndërkohë, Edmond de Rothschild ka punësuar më shumë bankierë për marrëveshje dhe vitin e kaluar këshilloi rreth 60 transaksione, kundrejt 694 të rivalit të saj.

Vitin e kaluar, Rothschild & Co. punësoi dy bankierë privatë me përvojë nga ekipi i Ariane-s në Zvicër, pasi ata u larguan. Njëri prej tyre menaxhonte disa llogari të familjes dhe ishte gjithashtu kujdestar në fondacionin bamirës Edmond de Rothschild në SHBA.

Banka e Gjenevës i gjurmon rrënjët te Edmondi, një trashëgimtar i brezit të pestë që themeloi një kompani investimi me paratë e trashëguara. Pas Luftës së Dytë Botërore, kushërinjtë e tij në Paris rindërtuan biznesin. Edmondi i ndihmoi financiarisht kur Franca shtetëzoi bankën e tyre në fillim të viteve 1980. Megjithatë, bankat Rothschild ndoqën kryesisht rrugët e tyre të ndara.

Edmondi vdiq në vitin 1997 dhe djali i themeluesit, Benjamin, atëherë rreth të 30-ave, u emërua kryetar i bankës zvicerane. Një koleksionist i makinave Ferrari Formula 1 dhe jahteve, Benjamin ishte njohur me Ariane-n disa vite më parë në një takim biznesi. Ata u martuan në vitin 1999.

Ariane ishte vajza e një drejtuesi gjerman dhe e një nëne franceze. Ajo u rrit në vende të ndryshme ekzotike, studioi për biznes në Nju Jork dhe punoi tek AIG, ku merrej me tregtimin e valutave. Ajo u përfshi plotësisht në jetën e Rothschild-ëve, duke i thënë një intervistuesi se identifikohej me prirjen e tyre për të ndërmarrë rreziqe dhe për të shtyrë kufijtë.

Në vitin 2009, Ariane u bë numri dy i bashkëshortit të saj në bankën zvicerane, gjë që shqetësoi disa mbrojtës të traditës. Mayer kishte përjashtuar gratë nga trashëgimia, edhe pse shumë prej tyre martoheshin brenda familjes.

"Një grua mund të ishte Rothschild dhe të merrej me verë, por të kishte rol në bankë dhe në financat e pastra thjesht nuk ndodhte," tha Ariane në një intervistë të vitit 2011 për revistën për gra Terrafemina.

Ariane bashkoi një rrjet të shpërndarë bankash dhe zyrash Edmond de Rothschild në gjithë kontinentin. "Ishte tashmë mjaft e vështirë për njerëzit të kuptonin kush bën çfarë mes degëve të ndryshme të familjes Rothschild," i tha ajo revistës franceze Le Point në vitin 2014.

Në qershor 2013, Ariane u takua me Epstein-in në një drekë me një diplomat norvegjez dhe një punonjës politik nga banka e saj. Në një mesazh pasues, Epstein përmendi kohën që kishte kaluar me Edmondin duke mësuar për biznesin. Ai propozoi të takoheshin sërish për t’i dhënë disa këshilla të drejtpërdrejta. "Dakord!" iu përgjigj Ariane, sipas email-eve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë.

Korrespondenca e tyre ishte e afërt, me Epstein-in që i kërkonte ndihmë për të gjetur një asistente të re femër dhe Ariane që ankohej për Benjamin-in dhe nënën e tij të ndarë, Nadine-n, e cila nga inati kishte tërhequr paratë nga banka që kishte themeluar bashkëshorti i saj. Ariane dhe Nadine janë ende në konflikt për koleksionin e artit të Edmondit.

Ariane udhëtoi me avionin privat të Epstein-it dhe e ndihmoi atë të arredonte shtëpitë. Në nëntor 2014, Epstein priti Ariane-n dhe tri vajzat e saj adoleshente në ishullin e tij privat në Karaibe, sipas dokumenteve.

Në fillim të vitit 2015, emri i Epstein-it u shfaq në faqet e para të gazetave dhe në televizione pasi Virginia Roberts paraqiti një deklaratë nën betim në një proces civil në Florida, duke pretenduar se ishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale me Epstein-in, Princin Andrew dhe të tjerë që në moshën 17-vjeçare. Andrew Mountbatten-Windsor, të cilit iu hoqën titujt mbretërorë vitin e kaluar, ka mohuar çdo shkelje lidhur me marrëdhëniet e tij me Epstein-in.

"Pyes veten nëse duhet t’u kisha shpjeguar drejtpërdrejt vajzave të tua lajmet e këqija për mua," i shkroi Epstein Ariane-s pas një takimi pasditeje në Paris atë mars.

Muajin pasues, Davidi, patriarku në Paris që bashkoi bizneset bankare në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë, njoftoi se kompania e tij do të ndryshonte emrin nga Paris Orleans në Rothschild & Co., një emër i mbetur nga periudha pas shtetëzimit.

Ariane u këshillua me Epstein-in për mënyrën si të kundërpërgjigjej dhe e bëri çështjen publike duke ngritur një padi në vitin 2015 për kontrollin e përdorimit të emrit në financë. "Ai po mposhtet publikisht nga një grua jo hebreje, jo e lindur në familje, jo bankiere," i shkroi Ariane Epstein-it. "Po kupton gjithashtu se nuk është i gjithëpushtetshëm në Paris."

Po atë vit, Epstein e prezantoi Ariane-n me një nga bashkëpunëtorët e tij ligjorë dhe ndihmoi Edmond de Rothschild-in të negocionte një marrëveshje me Departamentin e Drejtësisë për llogari të fshehura amerikane, pjesë e një aksioni kundër dhjetëra bankave zvicerane për të ndalur evazionin fiskal.

Marrëveshja u mbyll në 45 milionë dollarë. Epstein mori një pagesë prej 25 milionë dollarësh. "Faleminderit shumë për ndihmën tuaj të jashtëzakonshme," i shkroi Ariane atij.

Familjet në Paris dhe Gjenevë zgjidhën mosmarrëveshjen e tyre në vitin 2018, duke rënë dakord të shtonin parashtesa ose emra shtesë në marketing. Në një deklaratë të përbashkët, të dyja palët përmendën moton e familjes, "Concordia, Integritas, Industria," që do të thotë Harmoni, Integritet dhe Punë. Por gjithashtu thanë se po hiqnin dorë nga aksionet e pakicës që mbanin historikisht tek njëra-tjetra.

Në fund të atij viti, Epstein u rikthye në titujt e mediave, kur Miami Herald publikoi një seri artikujsh që rikthenin në vëmendje abuzimin e tij me vajza të mitura dhe marrëveshjen e lehtësuar gjyqësore që kishte marrë.

Në shkurt 2019, Epstein e pyeti Ariane-n nëse lajmet negative po i shkaktonin shqetësim. "Aspak – nuk i kam parë këto lajme këtu dhe gazetarët shkruajnë shumë gjëra pa kuptim gjithsesi," u përgjigj ajo.

Muajin pasues, ata u takuan në Paris. Epstein u arrestua disa muaj më vonë dhe vdiq në gusht 2019 ndërsa ndodhej në burg.

Pas arrestimit të Epstein-it, Edmond de Rothschild mohoi çdo lidhje me të. Banka i tha Bloomberg-ut se Ariane nuk e kishte takuar kurrë Epstein-in dhe se banka nuk kishte asnjë lidhje biznesi me të.

Në vitin 2023, kur The Wall Street Journal raportoi për takimet dhe komunikimet e saj me Epstein-in, banka tha se Ariane ishte takuar me të në kuadër të detyrave të saj normale midis viteve 2013 dhe 2019 dhe se nuk kishte dijeni për procedime ligjore kundër tij apo "ndonjë dyshim mbi sjelljen e tij personale".

Ariane reagoi fort kur lidhjet e saj me Epstein-in dolën sërish në dritë këtë vit. Ajo u shkroi disa klientëve në shkurt, duke thënë se nuk kishte dijeni për krimet e Epstein-it dhe duke shprehur dhembshuri për viktimat e tij.

Në letrën drejtuar klientëve, Ariane tha gjithashtu se disa elemente në dokumentet e Departamentit të Drejtësisë ishin qartësisht të rreme ose të manipuluara. Ajo tha se kjo lidhje nuk reflektonte mbi integritetin e saj apo të bankës.

Situata e Ariane-s është e ndërlikuar sepse vdekja e bashkëshortit të saj në vitin 2021 e la atë si pronaren kryesore, drejtoreshën ekzekutive dhe fytyrën e bankës për klientët, sipas analistëve bankarë. Ajo nuk mund të tërhiqet lehtësisht dhe nuk ka një pasardhës të qartë.

Andreas Venditti, një analist bankar në Vontobel në Zyrih, tha se dy gjëra kanë rëndësi për klientët e menaxhimit të pasurisë: "Bëhet fjalë për besim dhe për reputacion." /WSJ – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco