Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës, mijëra qytetarë vijojnë marshimin në Tiranë, ku kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

Europa nuk është aq e dobët sa sillet

Europa nuk është aq e dobët sa sillet

16:13, 10/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Martin Sandbu/

Shumëkush u mahnit nga fjalimi i kryeministrit kanadez Mark Carney në Davos tri javë më parë. Ai u tha "fuqive të mesme" të lënë mënjanë pretendimin se rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla, i krijuar nga SHBA-ja, ka dhënë atë që premtoi, dhe të bashkëpunojnë me vende me mendim të njëjtë, kur dhe ku të munden.

Por në një fjalim në Leuven javën e kaluar, figura më e respektuar e politikës europiane,Mario Draghi, e çoi idenë edhe më tej. Rendi i vjetër ka vdekur, tha ai, por jo "sepse ishte ndërtuar mbi iluzione. Ai solli përfitime reale dhe të ndara gjerësisht". Ajo që nuk mbijetoi ishte përdorimi i qëllimshëm i varësisë ekonomike si armë.

Përgjigjja e BE-së, forcimi i kapaciteteve të brendshme dhe kërkimi i marrëdhënieve më të thella aty ku është e mundur, i ngjan shumë qasjes së Carney-t. Por, paralajmëroi Draghi, kjo mund të jetë vetëm një "strategji pritjeje". Pse? "Të marrë veçmas, shumica e vendeve të BE-së nuk janë as fuqi të mesme që mund të lundrojnë në këtë rend të ri duke krijuar koalicione," tha ai. "Por nga të gjithë ata që sot janë mes SHBA-së dhe Kinës, vetëm europianët kanë mundësinë të bëhen vetë një fuqi e vërtetë."

Me pak fjalë, Europa nuk është Kanadaja: ose duhet të pranojë rolin e madh që po i imponohet, ose do të përçahet dhe do të sundohet. Por si? Përgjigjja e Draghi-t është "federalizmi pragmatik", ku vendet e BE-së që duan të ndajnë më shumë sovranitet, zgjedhin të bashkohen dhe të ecin përpara në sa më shumë fusha që munden.

Në praktikë, kjo qasje po testohet tashmë. Shembull është iniciativa spanjolle "laboratori i konkurrueshmërisë", e hapur për vendet e BE-së që duan të përshpejtojnë rregullat e përbashkëta për tregjet financiare. Ndoshta si reagim, ministrat e financave të gjashtë ekonomive më të mëdha të BE-së u zotuan së fundmi të lidhin marrëveshje mes tyre. Por për të shmangur akuzën se po prishin unitetin, ky grup duhet të tregojë përparim serioz shpejt.

Në siguri dhe mbrojtje, mekanizmi i ri i huamarrjes së përbashkët "Safe" mbulon vetëm rreth gjysmën e vendeve të BE-së (dhe përfshin edhe disa jashtë saj). Tani ka propozime të forta që kryeqytete europiane të gatshme të bashkëpunojnë, të financojnë dhe ndërtojnë së bashku kapacitete ushtarake strategjike që më parë i siguronte SHBA-ja. Në politikat makroekonomike, liderët kanë rënë dakord të nxjerrin obligacione të reja të BE-së (për Ukrainën), por me kompensime që u lejojnë vendeve që nuk duan të marrin pjesë, të tërhiqen praktikisht.

Qasja gjithnjë e më gjeopolitike ndaj zgjerimit të BE-së mbështet të njëjtën logjikë "federalizmi pragmatik". Siç raporton FT, rrethanat e rënda rreth së ardhmes së Ukrainës kanë nxitur diskutime për të përmbysur procesin aktual të anëtarësimit. Në vend që anëtarësimi të vijë në fund të një rruge të gjatë përafrimi, ai do të vinte në fillim, por vetëm me të drejta dhe detyrime bazë. Më pas do të shtoheshin gradualisht, sipas reformave që vendi i ri bën në shtëpi.

Një model i tillë mund t'i japë energji bisedimeve me kandidatë të tjerë të BE-së, përfshirë Turqinë, marrëdhënia e ngrirë e së cilës me bllokun po jep shenja të lehta shkrirjeje. Një rrugë anëtarësimi më pak binare mund të jetë tërheqëse edhe për Islandën, që pritet të mbajë referendum së shpejti, Norvegjinë dhe madje edhe Mbretërinë e Bashkuar. Nëse rezultati përfundimtar është një BE më e madhe, por me shumë shpejtësi, kjo nuk do të vijë automatikisht, por nga rritja natyrale e atyre që duan të bëjnë më shumë së bashku.

Megjithatë, shumëkush do të mendojë se federalizmi pragmatik i Draghi-t është i dënuar nga ndarjet e brendshme të Europës. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, preku në tela me shakanë e tij therëse për "grupin e frikshëm të punës" të BE-së. Draghi jep dy përgjigje. Së pari, mungesa e unitetit nuk është arsye për të pritur: "Uniteti nuk vjen para veprimit; ai krijohet duke marrë së bashku vendime me peshë, nga përvoja e përbashkët dhe solidariteti që ato krijojnë, dhe duke zbuluar se mund ta përballojmë rezultatin." Kur europianët guxuan të kundërshtonin së bashku pretendimin e Donald Trump për Groenlandën, u detyruan të bënin "një vlerësim të vërtetë strategjik", dhe "vullneti për të vepruar" sqaroi "aftësinë për të vepruar".

Së dyti, nevoja e Europës për të marrë me vete njerëzit, kërkesat e një bashkimi demokracish kombëtare, është vetë një vlerë e çmuar. Ndërsa sistemi amerikan i lejon ekzekutivit të imponojë vullnetin e tij dhe Kina i shtyn me lehtësi kostot e përparimit të saj ekonomik te ekonomitë e tjera, Draghi thekson se "integrimi europian është ndërtuar ndryshe: jo mbi forcë, por mbi vullnet të përbashkët; jo mbi nënshtrim, por mbi përfitim të përbashkët".

Europianët po zgjohen, ngadalë por me siguri, për atë që janë në gjendje të bëjnë. Një fjali që më tha së fundmi një ministër i lartë i BE-së e përmbledh këtë ndryshim: "Europa nuk është aq e dobët sa sillet." / Financial Times – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco