Europa duhet t'i mbështesë fjalët me vepra

Europa duhet t'i mbështesë fjalët me vepra

11:05, 03/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Gillian Tett - FT/

Këtë muaj ka nisur të marrë formë një debat i ri rreth monedhës amerikane. Por këtë herë nuk bëhet fjalë për Rezervën Federale, dobësimin e dollarit apo inflacionin. Kjo përplasje është kryesisht simbolike.

Në fund të vitit të kaluar, Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi mundësinë e hedhjes në qarkullim të një monedhe dollari për të shënuar 250-vjetorin e SHBA-së, me portretin e presidentit Donald Trump. Kjo zemëroi disa senatorë demokratë, të cilët i dërguan një letër të ashpër Thesarit, duke thënë se "vendosja e figurës së një presidenti në detyrë në një monedhë bie ndesh me vlerat tona si komb".

Në SHBA ekziston prej kohësh një traditë politike që ndalon figurat e udhëheqësve aktualë të shfaqen te paratë. Megjithatë, Trump ka mbushur Komisionin e Arteve të Bukura, organin që shqyrton dizajnet e monedhave, me mbështetës të tij, pasi shkarkoi anëtarët e mëparshëm. Ndërkohë, një plan i periudhës së Biden-it për të vendosur aktivisten e të drejtave civile Harriet Tubman në kartëmonedhën 20 dollarë (një ide me mbështetje të madhe publike) duket se është pezulluar. Mesazhi simbolik është i qartë, dhe i shëmtuar.

Në Europë po shfaqen beteja të tjera simbolike, veçanërisht në Bankën Qendrore Europiane. Kjo histori e dytë është po aq domethënëse, por shumë ndryshe nga debati amerikan.

Problemi në Frankfurt është se euroja është e pazakontë nga pikëpamja historike: ajo ka një sistem qeverisjeje të përbashkët, por kartëmonedhat dhe shumica e monedhave nuk kanë figura reale europiane. Ndryshe nga dollari, ku shfaqen "etërit themelues", kartëmonedhat euro tregojnë dritare dhe ura imagjinare.

Kjo ndodhi sepse, në momentin e krijimit të euros, zyrtarët e BQE-së kishin frikë se figurat historike ose monumentet reale do të ishin përçarëse. Ndaj u përjashtuan emra si Karli i Madh, monumente si Notre-Dame apo Koloseu, madje edhe themeluesit e BE-së. U zgjodhën ura dhe dritare fiktive për të "simbolizuar hapjen dhe bashkëpunimin europian".

Kjo tingëllon bukur, por siç e dinë antropologët, është e vështirë të ndërtosh ndjenjë bashkësie pa figura, histori dhe simbole njerëzore. Njerëzit lidhen më lehtë me fytyra dhe tregime sesa me ide abstrakte. Mungesa e figurave të përbashkëta europiane pasqyron një problem më të thellë: identitetin e paqëndrueshëm të përbashkët të votuesve europianë.

Kjo e bën të vështirë që BE-ja të marrë vendime të shpejta dhe të shfaqë forcë në arenën ndërkombëtare, sidomos përballë një SHBA-je që po përqafon luftën dhe kultin e personalitetit. Mesazhi i paqes përmes bashkëpunimit teknik nuk është tërheqës për masat.

Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, po përpiqet ta ndryshojë këtë, të paktën me kartëmonedhat. Në vitin 2021, banka vendosi të ridizajnojë euron. Pas një sondazhi me 365 mijë europianë, u zgjodhën dy tema: "kultura", me figura si Marie Curie dhe Leonardo da Vinci, dhe "lumenjtë dhe zogjtë", për të simbolizuar unitetin pa kufij dhe dashurinë për natyrën.

Megjithatë, procesi ka qenë aq i ngadalshëm, sa kartëmonedhat e reja nuk do të dalin në qarkullim para se të përfundojë mandati i Lagarde-s. Ajo vetë pranon se nuk do të arrijë t'i nënshkruajë, gjë që e konsideron një keqardhje personale.

Europa ende nuk ka një figurë të fortë udhëheqëse, as në kartëmonedha dhe as në politikën globale, që të mund të përballet me figura si Trump. Ndoshta kjo është një vlerë, sepse kultet populiste janë të rrezikshme. Por e vërteta e hidhur është se një federatë teknokrate e ka shumë të vështirë të përballet me agresionin e bazuar te personaliteti.

Sot, BE-ja duket si bojskautët përballë mafies. Mbajeni parasysh këtë herën tjetër që shikoni një kartëmonedhë euro. Ndonjëherë paratë flasin, dhe dërgojnë mesazhe të pakëndshme. Europa ka një boshllëk simbolik të rrezikshëm në zemër të saj. / FT – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco