Meloni flet me më shumë logjikë se homologët europianë për Ukrainën

Meloni flet me më shumë logjikë se homologët europianë për Ukrainën

10:47, 11/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Michael Curzon/

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni prej kohësh është quajtur “ndërtuese urash” mes BE-së dhe SHBA-së,sidomos me administratën e Donald Trump-it. Ajo dukej se e përmbushi këtë rol gjatë takimit të saj të martën me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ku theksoi “rëndësinë e unitetit të qëndrimeve mes partnerëve europianë dhe amerikanë”.

Ndërsa establishmenti i Brukselit duket i vendosur të minojë bisedimet për paqe të udhëhequra nga SHBA-ja, duke sugjeruar se lufta me Rusinë mund të përfundojë në fushën e betejës, Meloni tha se është e përqendruar te “hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën”.

Gazeta financiare italiane Il Sole 24 Ore raportoi se gjatë takimit një orë e gjysmë, Meloni i ka thënë Zelensky-t se, sipas fjalëve të gazetës, “opinioni publik është i lodhur” dhe se “duhen gjetur zgjidhje për t’i dhënë fund konfliktit. Shpejt”. Thuhet gjithashtu se kryeministrja i ka kërkuar Kievit të “vërë në plan të parë përfitimet e armëpushimit, përballë kostove të asaj që ukrainasve u duket si dorëzim”, duke shtuar se, sipas saj, “garanci të forta sigurie” do ta ndihmojnë ruajtjen e kësaj paqeje.

Revista Formiche shkroi se, ndryshe nga disa liderë europianë që shprehen “skeptikë” për bisedimet aktuale të paqes, “Meloni nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj për negociatat diplomatike mbi luftën në Ukrainë, as pas draftit të parë të planit amerikan, as pas ngushtimit të tij nga 28 pika fillestare në 19 aktuale”.

Më vonë, Zelensky falënderoi Melonin për mbështetjen e qeverisë së saj.

Zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini deklaroi gjithashtu në televizionin kombëtar se “qëndrimi i qeverisë italiane për konfliktin në Ukrainë është i balancuar”.

“Ne nuk jemi në luftë me Rusinë. Sa më shpejt të ulemi në tryezë, aq më mirë për të gjithë.”

Sa i përket financimit për Ukrainën, Salvini theksoi se “nuk do të heq para nga shëndetësia italiane për një luftë që tashmë është e humbur”.

Ky është një deklarim i rëndësishëm, pasi instituti kërkimor Kiel në Gjermani paralajmëroi të mërkurën se Europa nuk do të jetë në gjendje të kompensojë ndalimin e ndihmës amerikane për Kievin. Është e qartë se nevojitet një qasje tjetër. / EuropeanConservative – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco