Rënia e Europës në profilin francez

Rënia e Europës në profilin francez

13:31, 09/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga redaksia e WSJ/

Kryeministri francez Sébastien Lecornu dëshiron të mbajë postin dhe të miratojë buxhetin dhe për këtë është gati të flijojë reformën më të madhe të përfitimeve sociale të një brezi. Sipas një raporti të ri për prirjet demografike në Francë dhe pasojat e tyre financiare, ky është një gabim i madh.

Popullsia në moshë pune në Francë po tkurret, ndërsa numri i pensionistëve po rritet. Kjo do të ketë "një ndikim të thellë në financat publike", paralajmëron Gjykata e Auditimit, institucioni shtetëror që kontrollon përdorimin e fondeve publike. Raporti i saj i javës së kaluar jep një pasqyrë të problemit më të gjerë të shteteve perëndimore me përfitimet sociale.

Pensionet janë përfitimi social më i madh në Francë dhe aktualisht konsumojnë rreth 14% të PBB-së. Në vitin 2023, kostoja kaloi 411 miliardë dollarë, thuhet në raport. Nëse shtohen edhe përfitimet e tjera të lidhura me moshën, qeveria franceze shpenzon më shumë se 47,500 dollarë në vit për çdo të moshuar. Shpenzimet e lidhura me moshën përbëjnë mbi 40% të shpenzimeve totale të Francës.

Këto kosto do të rriten ndërsa Franca plaket. Raporti parashikon se në vitin 2070, gati 30% e popullsisë do të jetë 65 vjeç e lart, nga 21.8% në vitin 2024 dhe 16.3% në vitin 2005. Edhe jetëgjatësia është rritur, që do të thotë se pensionistët do t'i marrin përfitimet për më shumë vite.

Dikush duhet të paguajë ndërsa "babai bëhet gjysh", por parashikimi është i zymtë. Sot në Francë ka 39 të moshuar për çdo 100 persona në moshë pune. Por deri në vitin 2070, njerëzit në moshë pune do të përbëjnë vetëm 50% të popullsisë, nga mbi 55% në vitin 2023.

Për më tepër, shumë nga ata që janë në moshë pune nuk po punojnë realisht. Shkalla e papunësisë në Francë ishte 7.7% në tetor 2025, krahasuar me mesataren 6% të Bashkimit Europian. Rreth katër në dhjetë përfitues të ndihmës së papunësisë janë nën 35 vjeç, pasi Franca e shpërblen papunësinë me pagesa të gjata dhe bujare.

Presidenti Emmanuel Macron u përpoq t'i reformonte këto politika shkatërruese për financat publike. Reforma e pensioneve e vitit 2023 e rriti gradualisht moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç, megjithëse kjo moshë mbetet më e ulët se në shumë vende të tjera të BE-së. Ai kishte synuar gjithashtu të reformonte edhe skemën e papunësisë.

Por kjo ndodhi para se ai të rrezikonte dhe të humbiste me zgjedhjet e parakohshme në vitin 2024, duke e lënë Francën me një Asamble Kombëtare thellësisht të përçarë. Reforma e papunësisë tani është e vdekur dhe shfuqizimi i reformës së pensioneve është një nga të paktat pika ku bien dakord koalicioni i majtë dhe e djathta populiste e Tubimit Kombëtar.

Ndërkohë, shpenzimet publike përbëjnë 57% të PBB-së së Francës. Dhe "për të siguruar financimin e shpenzimeve për personat mbi 65 vjeç", kjo përqindje do të rritet gradualisht në 60.8% deri në vitin 2070, sipas Gjykatës së Auditimit. Kjo parashikon që shpenzimi për frymë të mbetet në nivelet e vitit 2023 dhe të mos rritet. Shpenzimet sociale do të lënë mënjanë në mënyrë të pashmangshme përparësi të tjera, përfshirë mbrojtjen.

Raporti thotë se "rritja ekonomike mund të zbusë disa nga efektet" e një shoqërie në plakje. Por në klimën e sotme politike është më e lehtë të taksosh pjesët prodhuese të shoqërisë franceze për të paguar përfitime sociale gjithnjë në rritje. Punëtorët nga 40 deri në 59 vjeç kontribuojnë mesatarisht më shumë se 22,500 dollarë në vit në sistemin e mbrojtjes sociale. Kjo barrë tatimore është kundër rritjes ekonomike.

Raporti është një tjetër provë se rritja e përfitimeve sociale po dobëson demokracitë perëndimore. Edhe SHBA-ja po ndjek të njëjtën rrugë si Franca. / Wall Street Journal - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco