Nga Rafael Pinto Borges/
Kur një njeri nuk ka skrupuj, nuk ka mjet që të mos e përdorë për interesin e vet. Dikur figurë e paprekshme e kampit pro-Bruksel në Poloni, Donald Tusk sot ndodhet në një pozitë të vështirë: i rrethuar nga një president i ri, shumë konservator dhe nacionalist, dhe duke u përpjekur me çdo kusht të mbajë pushtetin që i ka mbetur, ai është i gatshëm të bëjë çdo marrëveshje për përfitim politik. Kjo e ka çuar deri në atë pikë sa të ngrejë në një nga postet më të rëndësishme të shtetit një ish-komunist.
Posti i Kryetarit të Sejmit (parlamentit), i ngjashëm me Kryetarin e Kuvendit në Britani, tani i është dhënë Włodzimierz Czarzasty-t, një njeri që dikur ishte pjesë e partisë komuniste nën ndikimin sovjetik. Kjo tregon më shumë për hallet politike të Tusk-ut sesa për vetë Czarzasty-n. Me një president kundër tij dhe me të djathtën që po forcohet në sondazhe, Tusk kërkon njerëz që t'i binden, jo njerëz të pavarur. Edhe pse Czarzasty ishte pjesë e partisë komuniste në kohën kur ushtria shtypte protestat duke vrarë qytetarë, ai kurrë nuk u largua nga kjo parti.
Në këtë ka edhe një ironi të madhe. Prej vitesh, Tusk dhe mbështetësit e tij në Europë paralajmëronin se Polonia rrezikonte të kthehej në autoritarizëm nga konservatorët. Por sot është vetë Tusk ai që po rikthen në pushtet njerëz të së kaluarës komuniste, jo sepse i beson, por sepse ata i binden. Në një farë mënyre, liberalët eurofilë të Tusk-ut dhe nostalgjikët e komunizmit janë bashkuar në armiqësinë e tyre ndaj një Polonie vërtet të pavarur dhe në bindjen se Polonia duhet t'ia dorëzojë sovranitetin e saj një fuqie të huaj. Kjo aleancë nuk është aq e pazakontë sa duket.
Megjithatë, kjo nuk ka të bëjë me ideologji. Vendimet e Tusk-ut nuk udhëhiqen nga bindje, por nga dëshira për të mbijetuar politikisht. Presidenti Karol Nawrocki, shumë konservator dhe i vendosur, po përgatitet të bllokojë projektet e qeverisë së tij. Tusk nuk mund të lejojë një kryetar parlamenti që nuk i bindet. Ndryshe nga të tjerët, Czarzasty është shprehur hapur se do t'i shërbejë koalicionit qeverisës. Kjo është politikë si luftë llogoresh.
Por edhe veprimet e dëshpëruara kanë pasoja të rënda simbolike. Polonia ka kaluar dekada duke u çliruar nga trashëgimia e komunizmit, nga shtetrrethimi, ndalimi i fesë dhe shtypja me dhunë. Polakët e zakonshëm e urrejnë atë periudhë. Që sot rendin e punëve në parlament ta drejtojë një njeri që dikur shërbente për sistemin që shtypi "Solidaritetin" dhe mbajti Poloninë të robëruar për 45 vjet, është një poshtërim i madh. Edhe ish-presidenti liberal Bronisław Komorowski ka thënë se ndihet "i tmerruar" dhe "i fyer" nga ky emërim.
Ngjitja e Czarzasty-t në majë tregon edhe se rrjetet e vjetra të regjimit komunist ende ekzistojnë. Pasi u largua nga Partia Komuniste pas rënies së sistemit, ai u bashkua me pasardhësen e saj, Aleancën e Majtë Demokratike. Përmes saj, ai u bë pjesë e Këshillit Kombëtar të Medias, në kohën e një skandali të madh korrupsioni. Edhe pse nuk u akuzua kurrë zyrtarisht, emri i tij u lidh me prapaskena dhe ndikime të errëta. Në vitin 2021, ai pezulloi deputetë kritikë brenda partisë së vet, duke treguar se i pëlqen më shumë bindja e verbër sesa debati i lirë.
Është gjithashtu shqetësuese sa lehtë establishmenti europian e pranoi këtë marrëveshje. Të njëjtët njerëz që paralajmërojnë për "rrezikun e fashizmit" kur fitojnë konservatorët, tani heshtin kur një ish-komunist bëhet figura e dytë më e rëndësishme e një shteti anëtar të BE-së. Ndoshta sepse si elitat e BE-së ashtu edhe ish-komunistët besojnë se Polonia është më e sigurt kur është e bindur. Dikur urdhrat vinin nga Moska, sot nga Brukseli. Kanë ndryshuar fjalët, uniformat dhe ngjyrat, por ideja se sovraniteti është një problem për t'u kontrolluar dhe jo një e drejtë për t'u ushtruar, ka mbetur e njëjtë.
E vërteta është se një Tusk i fortë nuk do të kishte pasur nevojë për Czarzasty-n. Një kryeministër i sigurt nuk do t'ia dorëzonte disiplinën e parlamentit një njeriu të lidhur me korrupsionin dhe hijet e diktaturës. Por Tusk është i dobët politikisht. Dhe ai e di këtë. / European Conservative - Syri.net
© SYRI.net