Nga Sylvie Kauffmann - FT/
Në qershor të vitit 2024, më shumë se dy vjet pas pushtimit të plotë rus, Dmytro Kuleba, atëherë ministër i jashtëm i Ukrainës, ishte në një gjendje të rënduar kur e takova në Kiev. Vendi i tij po humbiste dhjetëra mijëra ushtarë. E pyeta se çfarë mendonte për qëndrimin e Europës. "Ja ku qëndron problemi i Europës", u përgjigj ai. "Ju nuk do ta kuptoni se çfarë është lufta derisa t'ju hyjë nën lëkurë. Mobilizimi mund ta copëtojë shoqërinë tonë, por prisni derisa nënat franceze të duhet t'i dërgojnë djemtë e tyre për të mbrojtur një vend të NATO-s që kufizohet me Rusinë."
Parashikimi i Kulebas nuk është realizuar ende, por hija e rëndë e luftës shpërtheu papritur në debatin kombëtar francez javën e kaluar, kur shefi i shtabit të forcave të armatosura, gjenerali Fabien Mandon, iu drejtua kongresit të kryetarëve të bashkive. I veshur me uniformën e forcave ajrore, ai paralajmëroi të zgjedhurit lokalë se Rusia po përgatitej për një përballje me "kombet tona" deri në vitin 2030. Lufta nuk është zhdukur aspak nga kontinenti ynë, tha ai, dhe Francës do t'i duhet "forcë karakteri për të pranuar se do të na duhet të vuajmë për të mbrojtur atë që jemi". Nëse Franca "lëkundet sepse nuk është e gatshme të pranojë humbjen e fëmijëve të saj… atëherë jemi në rrezik".
Paralajmërimi i Mandonit ishte në të njëjtën linjë me atë të shumicës së liderëve europianë, teksa Rusia po intensifikon luftën e saj hibride ndaj vendeve të NATO-s, përfshirë sulme kibernetike, sabotime dhe fushata dezinformuese. Po atë javë, ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius, u tha qytetarëve të tij se ata "mund të kenë kaluar tashmë verën e fundit paqësore", pasi eksplozivë ushtarakë u shpërthyen në një shinë hekurudhore në Poloni; ndërsa shefi i ushtrisë gjermane, gjenerallejtënant Christian Freuding, u përpoq t'i bindte se Bundeswehr-i ishte gati të "luftonte sonte". Ajo që tronditi francezët ishte përdorimi i shprehjes "fëmijët tanë" në fjalimin e Mandonit, duke ringjallur hijen e rekrutimit të detyrueshëm dhe vdekjes në fushëbetejë.
La Marseillaise, himni kombëtar i Francës, mund të fillojë me thirrjen nën armë drejt "fëmijëve të Atdheut", por tani jemi në shekullin XXI, jo në të tetëmbëdhjetin. Mandon preku një plagë të pambyllur. Në të majtën ekstreme dhe të djathtën ekstreme shpërtheu një valë zemërimi, ku ai u etiketua si luftënxitës. "Deklarata e tij shënon fillimin e betejës," u hodh kundër Jean-Luc Mélenchon-it, lideri i së majtës radikale La France Insoumise. "Por ne nuk duam luftë. Ajo sigurisht nuk është e pashmangshme."
Emisionet televizive u përfshinë në polemikë, rrjetet sociale u mbushën me komente. Historianët francezë diskutuan pse tradicionalisht lavdërojmë heroizmin në disfatë, të nënkuptuar në "humbjen e fëmijëve tanë", në vend që të vlerësojmë shkaktimin e humbjeve kundërshtarit. Ministri i Mbrojtjes dhe presidenti Emmanuel Macron dolën në mbrojtje të shefit të ushtrisë, i cili më pas doli në televizion kombëtar për të qetësuar francezët: me "fëmijë", ai nënkuptonte "ushtarë". Askush nuk po dërgohet të vdesë në llogoret e Donbasit, tha Macron. Por duhet të tregojmë se "nuk jemi të dobët".
Papritur, Franca, e cila ka qenë në paqe për 80 vjet dhe që ndodhet më larg Rusisë se Polonia apo Estonia, po debaton për luftën, vdekjen dhe sakrificën. Edhe pse mbështetja publike për ndihmën ndaj Ukrainës mbetet e fortë, deri tani ajo luftë shihej si një tragjedi e largët. Francezët i duan forcat e tyre të armatosura, por kjo dashuri shprehet kryesisht në Ditën e Bastijës, kur familjet mblidhen para televizorit për të parë paradën spektakolare dyorëshe në Champs-Élysées. Ata ndihen të sigurt me një ushtri prej mbi 200 mijë vetash, të mbështetur nga një arsenal bërthamor autonom. Dhe dërgimi i trupave në misione jashtë vendit si në Sahel ose Lindjen e Mesme, ku kanë pësuar humbje, nuk ka qenë problem.
Por siç thekson Thomas Gomart, një nga ekspertët më të rëndësishëm të marrëdhënieve ndërkombëtare, ato ishin "luftëra të zgjedhura". "Ukraina është destabilizuese sepse është një luftë e domosdoshme," thotë ai, "që na detyron të përballemi me kalimin nga një ritëm prej 10 vdekjesh në vit në 1000 në ditë." Ajo na detyron gjithashtu të përballemi me një realitet tjetër të ri: Europa do të duhet të merret vetë me çështjen ruse, ndërsa aleati i saj amerikan, prej kohësh i konsideruar garantuesi përfundimtar i sigurisë europiane, po tërhiqet.
Rishikimi kombëtar strategjik i Francës, i botuar në korrik, e identifikoi qartë Rusinë si një kërcënim të paprecedentë, por ishte më i paqartë për shkëputjen e SHBA-së nga Europa. Që atëherë gjërat janë errësuar akoma më shumë. Duke ndjekur një prirje të përgjithshme në Europë, veçanërisht në Gjermani, ku të rinjve 18-vjeçarë vitin e ardhshëm do t'u dërgohet një pyetësor mbi interesin dhe aftësinë e tyre për shërbim, Macron tani po propozon një shërbim të ri ushtarak vullnetar, të paguar, prej 10 muajsh, për të forcuar ushtrinë aktive të Francës dhe për të "përforcuar paktin ushtri–komb".
Të shtyrë jashtë zonës së tyre të rehatisë nga Vladimir Putini dhe Donald Trump-i, francezët po fillojnë ngadalë të përballen me pasojat e profecisë së Kulebës. / Financial Times - Syri.net
© SYRI.net