Joe Rogan: Protestuesit janë të gjithë 'dështakë' të financuar nga demokratët dhe 'agjentë të FBI-së'

Joe Rogan: Protestuesit janë të gjithë 'dështakë' të financuar nga demokratët dhe 'agjentë të FBI-së'

11:36, 20/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në prag të tubimeve kombëtare "No Kings" që do të mbahen këtë fundjavë, Joe Rogan ka pohuar se protestuesit në mbarë vendin janë ose "dështakë," aktorë të paguar nga miliarderi liberal George Soros, ose agjentë të fshehtë federalë.

Në episodin e së mërkurës të podcastit të tij të famshëm "The Joe Rogan Experience," drejtuesi i njohur përsëriti një teori të pabazë konspirative të përhapur nga presidenti Donald Trump dhe aleatët e tij republikanë për protestuesit, një teori që daton prej disa vitesh.

"Të gjithë ata njerëz që protestojnë nëpër rrugë, 99% e tyre janë dështakë," tha Rogan duke tymosur një puro. "Të tjerët punojnë për shtetin. Janë agjentë të FBI-së dhe dështakë, kaq."

Rogan më pas iu kthye Sorosit, investitorit 95-vjeçar me origjinë hungarezo-amerikane dhe donatorit të madh të demokratëve.

"Ëshgë një tip me një furgon që paguhet nga George Soros dhe ka grumbuj pankartash që janë bërë te Kinko's," tha Rogan. "Nuk janë të bëra në shtëpi dhe thjesht mund t'i shpërndash ato dreq gjërash."

Rogan dhe Trump ndonjëherë janë ndarë në disa çështje, me podkasterin që e quajti javën e kaluar "të tmerrshme" politikën agresive të administratës ndaj emigracionit. Por të dy shpesh ndajnë të njëjtin qëndrim, dhe Rogan e mbështeti Trump-in para zgjedhjeve të vitit 2024.

Sorosi është një objektiv i përhershëm i të dyve. Trump e ka akuzuar atë për financimin e gjithçkaje, nga protestat e "Black Lives Matter" në verën e vitit 2020, deri te demonstratat kundër ICE-s që janë përhapur këtë vit në të gjithë vendin.

"Mund t'ju them që në disa zona të Los Anxhelesit mund ta quaje një kryengritje," tha Trump në qershor. "Ishte e tmerrshme, por këta janë kryengritës të paguar. Janë provokatorë të paguar."

"Njerëz të këqij e të sëmurë që bëjnë atë që bëjnë," shtoi ai, "por në shumë raste janë njerëz të paguar, jo gjithmonë, por shpeshherë."

Trump dhe aleatët e tij së fundmi i kanë portretizuar protestat e ardhshme "No Kings" si tubime antiamerikane.

"Ky është një tubim 'Urrej Amerikën' që do ta mbajnë më 18 tetor," tha kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson (R-La.). "Turma e Antifa-s, mbështetësit e Hamasit dhe marksistët, të gjithë do të mblidhen në shesh. Disa demokratë të Dhomës po shesin edhe bluza për këtë ngjarje. Është një mbledhje skandaloze për qëllime skandaloze."

Si Trump-i dhe Rogani, edhe sekretari i Transportit Sean Duffy ka pretenduar se protestuesit paguhen për pjesëmarrjen e tyre.

"Kjo të shtyn të pyesësh," tha Duffy të hënën në Fox News, "kush po e financon?"

Organizatorët e "No Kings" i kanë mohuar në mënyrë të përsëritur këto pretendime, duke theksuar se rreth 2500 protesta do të zhvillohen në të 50 shtetet këtë të shtunë.

"Ajo që do të shihni në 'No Kings II' në tetor është një turmë e zhurmshme, e gëzuar, që shpreh opinionet e saj politike në mënyrë paqësore e plot hare," tha Ezra Levin, bashkëthemelues i grupit Indivisible dhe një nga organizatorët. "Njerëz me qen, me fëmijë, me pankarta qesharake, muzikë, vallëzim, të qeshura, ndërtim komuniteti dhe një ndjenjë euforie kolektive që lind kur mblidhesh me shumë njerëz që ndajnë të njëjtin qëllim."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco