Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës qytetare në Tiranë, kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama

Ekipi i Trump-it po planifikon ristrukturim të IRS-së për të ndjekur më lehtë grupet me prirje të majta

Ekipi i Trump-it po planifikon ristrukturim të IRS-së për të ndjekur më lehtë grupet me prirje të majta

15:59, 16/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Brian Schwartz, Richard Rubin, Joel Schectman - Wall Street Journal

Administrata Trump po përgatit ndryshime rrënjësore a në Shërbimin e të Ardhurave të Brendshme (IRS) që do t'i mundësonin agjencisë të niste më lehtë hetime penale ndaj organizatave me prirje të majta, sipas burimeve të afërta me zhvillimet.

Një zyrtar i lartë i IRS-së, i përfshirë në këtë nismë, ka hartuar një listë me objektiva të mundshëm që përfshin edhe donatorë kryesorë të Partisë Demokratike, kanë thënë disa nga burimet.

Qëllimi i kësaj nisme është vendosja e aleatëve të presidentit Trump në divizionin hetimor të IRS-së, të njohur si IRS-CI, për të ushtruar kontroll më të fortë mbi njësinë dhe për të dobësuar rolin e juristëve të IRS-së në hetimet penale, kanë thënë zyrtarë të përfshirë. Ndryshimet e propozuara mund të hapin rrugën për hetime me motive politike dhe po udhëhiqen nga Gary Shapley, këshilltar i Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent.

Shapley u ka thënë njerëzve se planifikon të zëvendësojë Guy Ficco-n, shefin aktual të njësisë hetimore që ka dekada në agjenci, dhe se ka përgatitur një listë me donatorë dhe grupe që, sipas tij, duhet të hetohen nga IRS-ja. Në listë përfshihen miliarderi dhe donatori demokrat George Soros dhe grupet e lidhura me të, sipas një zyrtari të lartë të IRS-së dhe një personi tjetër të informuar për listën. Nuk dihet mbi çfarë bazash ligjore Shapley synon të nisë hetime të tilla.

Kjo përpjekje brenda IRS-së përkon me një nismë më të gjerë të administratës për të hetuar grupet me prirje të majta që, sipas presidentit, ndihmojnë në financimin e organizatave që po krijojnë anarki në qytetet e udhëhequra nga demokratët. Trump ka udhëzuar Bessent-in, i cili shërben gjithashtu si komisioner në detyrë i IRS-së, të identifikojë rrjetet financiare që, sipas tij, po nxisin dhunë politike. Demokratët e cilësojnë këtë nismë si të motivuar politikisht dhe pa prova reale.

"Scott do ta bëjë këtë. Kjo është e lehtë për Scott-in," tha Trump gjatë një takimi të kabinetit, duke iu referuar ndihmës së Bessent-it në këtë hetim.

As Shapley dhe as një zëdhënës i Departamentit të Thesarit nuk iu përgjigjën pyetjeve për ndryshimet në njësinë penale të IRS-së apo për objektivat e dëshiruara. "Jam mirënjohës që vazhdoj rolin tim në reformimin e IRS-së," tha Shapley.

Zëdhënësi i Thesarit tha se ekipi i Bessent-it në IRS po sjell "praktikat dhe organizimin më të mirë të sektorit privat amerikan" në agjenci. "Fokusi i ekipit mbetet në mbledhjen e taksave, privatësinë dhe shërbimin ndaj qytetarëve," shtoi ai.

Trump më herët kishte deklaruar në platformën Truth Social se George Soros dhe i biri, Alex, duhet të përballen me akuza federale sipas ligjit RICO dhe, në një intervistë të veçantë, shtoi se "Sorosi i vjetër duhet të jetë në burg" pa dhënë arsye konkrete. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë kohët e fundit u ka kërkuar disa zyrave të prokurorëve federalë të hetojnë Fondacionet e Shoqëria e Hapur të Sorosit, raportoi më parë Wall Street Journal.

Fondacionet e Shoqëria e Hapur e kanë dënuar këtë nismë të Departamentit të Drejtësisë si një përpjekje për të heshtur kritikët e Trump-it.

Trump i ka urdhëruar Bessent-in, si komisioner në detyrë i IRS-së, të referojë disa organizata jofitimprurëse në Departamentin e Drejtësisë për hetime të mëtejshme. Bessent është udhëzuar gjithashtu të përdorë zyrën e Thesarit për inteligjencën financiare dhe antiterrorizmin, për të hetuar flukset financiare të grupeve dhe për të gjurmuar burimet e mundshme të fondeve të paligjshme.

IRS-ja ka tentuar prej kohësh të qëndrojë larg polemikave politike, megjithëse jo gjithmonë me sukses. Gjatë administratës Obama, një raport i inspektorit të përgjithshëm në vitin 2013 arriti në përfundimin se IRS-ja kishte përdorur kritere të papërshtatshme për të përzgjedhur grupet konservatore për kontrolle të gjata dhe ndërhyrëse gjatë procesit për marrjen e statusit jofitimprurës. Departamenti i Drejtësisë e hetoi çështjen dhe refuzoi të ngrejë akuza ndaj Lois Lernerit, një ish-zyrtare e IRS-së, duke përfunduar se zyrtarët kishin treguar gjykim dhe menaxhim të dobët, por nuk kishin kryer krime.

Njësia hetimore e IRS-së (IRS-CI) është një instrument i fuqishëm. Ajo ka mbi 2000 agjentë, heton shkeljet penale të kodit tatimor dhe ndihmon agjencitë e tjera në luftën kundër krimeve financiare. Kjo është pjesa e IRS-së ku agjentët shpesh mbajnë armë, dhe është e ndarë nga auditorët dhe mbledhësit që merren me zbatimin civil të ligjeve tatimore.

Shapley ka qenë për një kohë të gjatë agjent i IRS-CI dhe ka pasur përplasje me eprorët dhe juristët e agjencisë, veçanërisht gjatë hetimit të tij ndaj Hunter Biden-it, për të cilin ai publikisht ka pretenduar se Departamenti i Drejtësisë e kishte zvarritur. Biden u deklarua fajtor për nëntë akuza të lidhura me taksat në vitin 2024, para se i ati, presidenti Joe Biden, ta falte.

Shapley shërbeu përkohësisht si komisioner në detyrë i IRS-së këtë vit, por u zëvendësua pas vetëm tri ditësh në krye të agjencisë, e cila gjatë vitit 2025 ka pasur një rotacion të shpeshtë drejtuesish. Megjithatë, Shapley kohët e fundit është rikthyer në rrethin e brendshëm të drejtimit të agjencisë.

Aleatët e Trump-it janë përqendruar te përdorimi i IRS-CI pasi janë përballur me pengesa në një përpjekje të veçantë për t'u hequr statusin jofitimprurës disa organizatave, sipas zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve.

Prej muajsh, zyrtarët e administratës së Trump-it kanë kërkuar mënyra për të ndryshuar rregullat, në mënyrë që statusi jofitimprurës të mund të revokohet më lehtë, pasi presidenti kishte thënë se Universiteti Harvard, një organizatë jofitimprurëse që është në përplasje me Shtëpinë e Bardhë, duhet ta humbiste këtë status.

Zyrtarët e administratës kanë tentuar të përdorin të ashtuquajturën "doktrinën e paligjshmërisë", një rregull që i bën organizatat jofitimprurëse të humbasin statusin nëse shkelin ligjin. Për shembull, disa zyrtarë të IRS-së kanë argumentuar se universitetet ku zhvillohen protesta pro-palestineze duhet të humbasin statusin jofitimprurës, duke pretenduar se lejimi i atyre demonstratave përbën mbështetje për terrorizmin.

Por juristët e IRS-së e kanë penguar këtë përpjekje, duke argumentuar se ligji kërkon që IRS-ja të ndërtojë një dosje të plotë hetimore, gjë që mund të zgjasë me vite.

Shapley dhe personat e afërt me të po propozojnë gjithashtu ndryshime në rregullat që përcaktojnë mënyrën se si zhvillohen hetimet penale të IRS-së, sipas burimeve të njohura me çështjen. Zakonisht, avokatët e zyrës së këshilltarit kryesor të IRS-së punojnë së bashku me agjentët e IRS-CI gjatë fazave të ndryshme të hetimit, veçanërisht për hapa të tillë si sigurimi i urdhrave të kontrollit dhe dërgimi i çështjeve në Departamentin e Drejtësisë për ndjekje të mundshme penale.

Manuali i të Ardhurave të Brendshme, i cili shërben si udhëzues procedurash për agjencinë, përcakton përfshirjen e juristëve të këshilltarit kryesor dhe të shefit të divizionit CI në rastet penale. Ai parashikon hapa shtesë për rastet e ndjeshme, si ato që përfshijnë zyrtarë federalë të zgjedhur apo organizata jofitimprurëse.

Sipas këtyre burimeve, Shapley dëshiron të ndryshojë manualin në mënyrë që avokatët e këshilltarit kryesor të kenë një rol më të kufizuar.

Disa juristë të lartë të taksave penale në IRS tashmë kanë shprehur shqetësim për metodat e hetuesve, ndërkohë që Trump po i nxit zyrtarët e administratës së tij të synojnë donatorët dhe organizatat jofitimprurëse, sipas personave të njohur me situatën. Disa prej këtyre juristëve të taksave penale kanë argumentuar privatisht kundër vazhdimit të paktën të një rasti, duke thënë se ai përbën ndjekje penale hakmarrëse dhe duket politikisht i motivuar.

Shapley më parë ka shprehur ankesa ndaj punës së avokatëve të taksave penale të IRS-së me agjentët e IRS-CI. "Këshilli për taksat penale nuk është një organizatë e respektuar brenda IRS-CI," tha Shapley gjatë një seance dëgjimore në Kongres në vitin 2023 lidhur me hetimin ndaj Hunter Biden-it.

Në një intervistë të dhënë të martën për Andrew Kolvet në emisionin "The Charlie Kirk Show", Bessent krahasoi përpjekjet e agjencisë së tij me punën e Departamentit të Thesarit për identifikimin e rrjeteve që financonin terrorizmin pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Kirk, një aktivist konservator, u vra në shtator, dhe Trump premtoi të godasë "të majtën radikale" pas këtij sulmi. Tyler Robinson, 22 vjeç, u akuzua për vrasje, dhe nëna e tij u tha hetuesve se djali i saj ishte bërë më i politizuar dhe me prirje të majta gjatë vitit të fundit. Ai ende nuk ka paraqitur një deklaratë për fajësinë, dhe autoritetet nuk kanë publikuar ndonjë provë për ndonjë të përfshirë tjetër.

"Po hartojmë lista të tjera rrjetesh, dhe për këtë ekziston tashmë një dosje e madhe," tha Bessent gjatë emisionit. "Kjo është aktualisht një çështje me rëndësi thelbësore për ne… Po e zbatojmë konkretisht këtu në Thesar. Do t' ndjekim deri në fund ata që mbajnë përgjegjësi për këtë." / WSJ - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco