Vrasja e aleatit të Trump-it zbulon politikën e dhunshme dhe të shkatërruar të Amerikës

Vrasja e aleatit të Trump-it zbulon politikën e dhunshme dhe të shkatërruar të Amerikës

09:44, 11/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Anthony Zurcher/

Pak çaste para se të kriste arma që do të ndryshonte gjithçka, mijëra studentë ishin mbledhur nën qiellin e kaltër në një kolegj idilik në Utah për të dëgjuar një burrë që konsiderohej si një "rock star" i politikës konservatore në kampuset universitare.

Teksa 31-vjeçari Charlie Kirk ishte ulur nën një tendë, duke debatuar me kundërshtarë politikë që po merrnin radhën te mikrofoni, shumë të pranishëm në sheshin me bar duartrokisnin dhe disa protestonin. Sekonda më pas, të gjithë po vraponin të tmerruar.

Aktivisti u qëllua në qafë me plumb, duke u plagosur rëndë. Episodi u shfaq drejtpërdrejt nga kamerat, disa prej të cilave kapën vrasjen në detaje.

Imazhet do të jenë të vështira për t'u harruar, sidomos për shumë të rinj konservatorë për të cilët Kirk kishte statusin e një ylli. Udhëheqësi i lëvizjes së tyre, pavarësisht nga motivi përfundimtar i vrasjes, tani do të shihet si martir i kauzës.

Kirk, në të kaluarën, kishte paralajmëruar për atë që e quante kërcënim dhune nga kritikët e tij, të cilët ishin të shumtë, për shkak të stilit të tij provokues të konservatorizmit. Megjithatë, ai ishte i gatshëm të udhëtonte në kampuse kolegjesh, ku politika shpesh anon nga e majta dhe të debatonte me këdo.

Ai ishte mbrojtës i të drejtave për armët dhe i vlerave konservatore, kritik i ashpër i të drejtave transgjinore, dhe mbështetës i palëkundur i Donald Trump-it. Organizata e tij, Turning Point US, luajti një rol kyç në nxitjen e pjesëmarrjes në votime që e solli presidentin sërish në Shtëpinë e Bardhë sivjet.

Tenda ku u qëllua mbante mbishkrimin "prove me wrong" (provoje që e kam gabim). Ai ishte një hero sidomos për studentët e rinj konservatorë, duke i takuar aty ku ishin dhe duke u ofruar një lëvizje të tyren.

Vrasja e Kirk-ut është njëkohësisht një tjetër episod tronditës i dhunës me armë në Amerikë dhe më i fundit në një seri gjithnjë e më të gjatë dhune politike.

Më herët këtë vit, dy ligjvënëse demokrate të shtetit të Minesotës u qëlluan në shtëpitë e tyre, me njërën që humbi jetën nga plagët. Vitin e kaluar, Donald Trump ishte dy herë shënjestër e tentativave për vrasje. Episodi kur ai i shpëtoi një plumbi në një tubim në Butler të Pensilvanisë ngjan shumë me të shtënat e së mërkurës në Utah. Të dyja ndodhën para turmave të mbledhura në ambiente të hapura.

Dy vjet më parë, një agresor me çekiç në dorë hyri me forcë në shtëpinë e ish-kryetares së Dhomës, Nancy Pelosi, një demokrate e shquar. Në vitin 2017, një burrë hapi zjarr ndaj kongresistëve republikanë që po stërviteshin në një fushë bejsbolli në Virxhinian e Veriut.

Është e vështirë të parashikohet se ku do të shkojë politika amerikane nga këtu, por rruga duket e zymtë.

Dhuna sjell dhunë. Retorika gjithnjë e më përçarëse, e nxitur nga dhomat e jehonës së rrjeteve sociale dhe qasja e lehtë tek armët e zjarrit, çon në nerva të tendosura dhe rrit rrezikun e gjakderdhjes.

Aktivistët konservatorë po rishqyrtojnë se çfarë masash sigurie janë të nevojshme për paraqitjet publike, ashtu siç bënë shumë politikanë lokalë pas të shtënave në Minesota. Por atentati ndaj Trump-it në Butler thuajse pati sukses, pavarësisht pranisë së forcave të trajnuara të sigurisë vendore dhe federale.

Nëse krijohet ndjesia se askush nuk është i sigurt, se vetë jeta publike është shndërruar në një sport i përgjakshëm, kjo do të ketë efektin e vet gërryes mbi politikën amerikane.

Trump, në një fjalim me video nga Zyra Ovale të publikuar në faqen e tij Truth Social të mërkurën mbrëma, e quajti vrasjen një "moment të errët për Amerikën".

Por ai nuk humbi kohë duke fajësuar "të majtën radikale" për vrasjen e Kirk-ut. Ai përmendi disa nga rastet e fundit të dhunës politike, ato që kishin në shënjestër konservatorët, dhe tha se administrata e tij do të gjente "secilin prej atyre që kontribuuan në këtë mizori dhe në akte të tjera dhune politike".

Këto komente do të mirëpriten nga ata në të djathtën që, në orët pas të shtënave, kërkuan goditje ndaj grupeve të majta.

"Është koha që, brenda kufijve të ligjit, të depërtojmë, të prishim, të arrestojmë dhe të burgosim të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë kaos," shkroi aktivisti konservator Christopher Rufo në X.

Shumë republikanë dhe demokratë të njohur, përfshirë pretendentë të mundshëm për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, dënuan dhunën politike dhe kërkuan ulje të tonit të retorikës.

Por në Kongres të mërkurën në mbrëmje, një moment heshtjeje për Kirk-un u pasua menjëherë nga një debat me ulërima mes ligjvënësve, një tregues tjetër se tensionet partiake mbeten të larta.

Ndërkohë, në Utah, dëshmitarët, forcat e rendit dhe drejtuesit shtetërorë e lokalë vazhdojnë të përballen me traumën e ditës.

Në një deklaratë emocionale gjatë një konference për shtyp, guvernatori Spencer Cox, i cili shpesh ka folur kundër retorikës së nxehtë politike dhe përçarjes, përshkroi një komb, që së shpejti do të festojë një përvjetor të rëndësishëm të themelimit të vet, si një komb "të ndarë".

"A është ky?" pyeti ai. "A është ky rezultati i 250 viteve?"

"Lutem që të mos jetë kështu," u përgjigj ai.

Dyshimi në zërin e tij tregoi një të vërtetë të thjeshtë: sot, e ardhmja e Amerikës dhe mundësia për të rregulluar politikën e saj të dhunshme janë shumë të pasigurta. / BBC - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco