NYET Marrëveshje - Takimi në Alaskë ishte një fillim, por Putini vazhdon me të njëjtat hile - dhe Trump e di këtë

NYET Marrëveshje - Takimi në Alaskë ishte një fillim, por Putini vazhdon me të njëjtat hile - dhe Trump e di këtë

14:40, 16/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Douglas Murray/

Siç e di mirë populli ukrainas, fqinjësia nuk është ndër cilësitë më të mira të Putinit.

Megjithatë, ishte pikërisht me një referencë për SHBA-në dhe Rusinë si “fqinjë” me të cilën Putini nisi bisedën e tij me presidentin Trump dje në Alaskë.

Në tapetin e kuq në aeroport ai i tha Trump-it: “Mirëdita, fqinj i dashur. Gëzohem që të shoh mirë me shëndet e gjallë.”

Kur e tregoi këtë në konferencën e përbashkët për shtyp më vonë, presidenti rus komentoi për fjalët e tij të mëparshme: “Mendoj se kjo është shumë fqinjësore.”

Të dy udhëheqësit po takoheshin pikërisht sepse Putini nuk është aspak i tillë.

Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës në vitin 2022 nuk ka pasur takime ballë për ballë mes liderëve të Rusisë dhe SHBA-së.

Pjesërisht sepse Putini ka refuzuar të ndalë luftën që e nisi vetë. Dhe pjesërisht sepse ka pasur shumë pak gjëra ku të bien dakord.

Pushtimi i Putinit ka shkaktuar mbi një milion të vdekur.

Ndoshta vetëm nga pala e tij.

Shifrat ndryshojnë për numrin e ukrainasve të vrarë që nga fillimi i konfliktit.

Trump erdhi në detyrë duke thënë se lufta nuk do të kishte nisur kurrë po të ishte ai president i SHBA-së në vitin 2022.

Dhe dje Putini u kujdes të theksonte se kjo ishte një pikë dakordësie mes dy palëve.

Ai foli për mosreagimin e administratës Biden ndaj paralajmërimeve që pretendon se u kishte dhënë.

Megjithatë, Trump u tregua i kujdesshëm që të mos binte pre e lajkatimeve.

Gjatë gjithë paraqitjes së përbashkët, ndërsa Putini fliste, Trump ruajti çehren e tij të kujdesshme e të menduar.

Ai e di që edhe një buzëqeshje në momentin e gabuar mund të jetë fatale kur ke përballë një partner si Putini.

Jo vetëm për shkak të njeriut që kishte në krah në skenë, por edhe për shkak të mediave botërore para tyre, shumë prej të cilave do të dëshironin të rikthenin memet për “kukullën e Putinit” ndaj Trump-it, që u përhapën aq shumë mes viteve 2016 dhe 2020.

I vetëdijshëm se çdo gjest, fjalë apo shtrëngim duarsh do të analizohej pa fund, Trump e organizoi dhe e kontrolloi takimin sipas kushteve të tij.

Putini është i njohur si manipulues i takimeve me liderët botërorë.

I pëlqen t’i zërë në befasi ose të duket si njeriu më i fuqishëm.

Në pistën e aeroportit, Trump u kujdes që të mos e përshëndeste as tepër ngrohtë e as shumë ftohtë.

Trump ishte në Alaskë për të bërë një marrëveshje.

Nëse Putini ishte aty për të njëjtën gjë, kjo duhej parë.

Por me një regji të zgjuar, një bombardues amerikan B-2 kaloi mbi kokat e tyre ndërsa Trump dhe Putin po ecnin drejt pozës së parë për fotografi.

Trump ndaloi, pa lart e dha përshtypjen sikur po thoshte: “Shiko pak, një nga ato avionët amerikanë që sapo shkatërruan reaktorët bërthamorë iranianë. Të kujtohen?”

Për dy orë e gjysmë liderët qëndruan të mbyllur pas dyerve dhe fakti që dolën bashkë ishte një shenjë në vetvete.

Trump kishte thënë më parë se, nëse nuk do të dilnin të dy pas takimit, atëherë do të thoshte se s’kishte për çfarë të flisnin.

Kujtohet takimi i Hanoit me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, në vitin 2019.

Edhe atëherë pati shumë bujë dhe pritshmëri të larta.

Por kur Trump kuptoi se nuk kishte marrëveshje me diktatorin koreanoverior, ai thjesht u largua.

Këtë herë nuk ndodhi kështu.

Dhe për këdo që beson se bisedat janë më të mira se lufta, kjo duhet parë si diçka pozitive.

Deklaratat e Trump-it në konferencën e përbashkët ishin miqësore dhe formale.

Por ai pranoi se edhe pse bisedimet ishin një fillim, nuk kishte marrëveshje.

Sepse kishte ende disa gjëra të vogla dhe “një që është më e rëndësishmja” për të cilat palët nuk ishin dakord.

Me shumë gjasë kjo gjë e madhe ishte nëse Putinit duhet t’i lejohet të mbajë territorin e Ukrainës që tashmë ka aneksuar.

Ky është një problem jo vetëm për popullin ukrainas, por edhe për aleatët e Amerikës në NATO, të cilët janë të bindur se t’i japësh Putinit diçka nga Ukraina nuk do ta ngopë, por vetëm do ta nxisë për më shumë.

Ka zëra në SHBA që thonë se kjo është thjesht një fantazi e nxitësve të luftës. Por aleatët e Amerikës në Lituani, Letoni, Estoni, Poloni, Finlandë, Suedi dhe pothuajse gjithë Europën e shohin ndryshe.

Dhe për ta kjo nuk është një lojë strategjike teorike.

Është çështje nëse vendet e tyre do të jenë në rrezik ekzistencial pushtimi nga Putini më pas.

Trump duhej të mbante një ekuilibër të kujdesshëm në Alaskë.

Ai arriti ta ulë Vladimir Putinin në tryezën e bisedimeve.

Dhe e bëri Putinin të thoshte se është “sinqerisht i interesuar” të përfundojë konfliktin. Diçka që Putini e përshkroi si “një tragjedi.”

Sikur pushtimi i tij tokësor të ishte si një tajfun apo cunami.

Thjesht një dukuri natyrore, por që mund të pastrohet më pas.

Gjithsesi, ishte një fillim.

Trump i tha botës se bisedimet kishin qenë konstruktive.

Në fund të konferencës për shtyp ai e quajti Putinin “Vladimir” dhe Putini sugjeroi që ndoshta takimi i radhës të bëhej në Moskë.

“Edhe mund të jetë e mundur,” tha Trump, me shaka.

Dhe kudo që të ndodhë, nëse dy liderët mund të kenë takime të tjera që ndihmojnë në përfundimin e luftës, kjo mund të jetë gjë e mirë.

Por Trump duhet të kujtojë edhe diçka tjetër që tha Putini, kur nuk ishin pas dyerve të mbyllura.

Gjatë fjalës së tij të gjatë (shumë më të gjatë se ajo e Trump-it), Putini theksoi se Rusia dhe Ukraina ndajnë shumë gjëra të përbashkëta, si edhe lidhje e rrënjë të thella mes tyre.

Trump duhet ta kujtojë këtë. Putini mund të hiqet sikur ka një lidhje shumë të mirë me ty.

Dhe prapë do të përpiqet të të shtypë. / New York Post - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco